Rrjeti Shqiptar i Përgjegjësisë Sociale (CSR Albania), në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si dhe me UNDP Albania, organizoi sot për të dytin vit radhazi dhënien e çmimeve për kompanitë më të mira në fushën e Përgjegjësisë Sociale.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u hap me fjalën përshëndetëse të Presidentit të Rrjetit Shqiptar për Përgjegjësinë Sociale, njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i ANTEA Cement, Adamantios Frantzis, i cili përcolli mirënjohjen ndaj tëpranishmëve për mbështetjen dhe ndaj të gjitha kompanive qëkanë shprehur interesin për tu bërë pjesë e nismës së CSR Albania duke integruar Përgjegjësinë Sociale si pjesë të aktiviteteve të tyre.
Duke vënë në dukje suksesin e deri tanishëm, Frantzis tha se është koha për një vëmendje më të madhe të kompanive dhe sipërmarrjeve ndaj aktiviteteve me Përgjegjësi Sociale, aktivitete që synojnë zvogëlimin e ndikimeve mjedisore dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik e social të komunitetit.
Frantzis njoftoi me kënaqësi se vetëm një muaj më parë, më datë 8 Qershor, Rrjeti Shqiptar për Përgjegjësinë Sociale të Korporatave është anëtarësuar në Rrjetin Lider të Përgjegjësisë Sociale në Europë.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Bashkim Sykja vlerësoi angazhimin e CSR Albania në nxitjen dhe krijimin e një qasjeje të re tek kompanitë e mëdha që operojnë në Shqipëri, të cilat përmes aktiviteteve me Përgjegjësi Sociale jo vetëm rrisin reputacionin e tyre dhe bëhen më konkurruese në treg por njëkohësisht kontribuojnë në mirëqenien e komunitetit.
I ngarkuari me Punë i Ambasadës së Hollandës në Tiranë, Gilles Bauwens pasi vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti dhe kontributin e CSR Albania foli për rëndësinë që ka inkurajimi i mëtejshëm i kompanive për të integruar dhe rritur praktikën e Përgjegjësisë Sociale në aktivitetet e tyre.
Një panel jurie i përbërë nga përfaqësues të biznesit dhe organizma të tjera, me eksperiencë të gjerë në fushën e Përgjegjësisë Sociale të korporatave zgjodhi si fituese për kategorinë e çmimit Praktika Më e Mirë për Kompanitë e Mëdha, kompaninë Vodafone Albania; për kategorinë Praktika më e Mirë për SME, juria përzgjodhi kompaninë Intracom Telecom Albania; dhe për kategorinë e tretë juria përzgjodhi International Commercial Bank, e cila u nderua me çmimin Iniciativa Më e Mirë.
Presidenti i Rrjetit Shqiptar për Përgjegjësinë Sociale, Frantzis shprehu mirënjohjen ndaj të gjitha kompanive që aplikuan dhe u bënë pjesë e konkursit të lançuar ndërsa i ftoi ato por edhe gjithë kompanitë e tjera të kenë si prioritet Përgjegjësinë Sociale në bizneset e tyredhe të bëhen anëtare të Albanian CSR Network.
Rreth Albanian CSR Network
Rrjeti Shqiptar i Përgjegjësisë Sociale është një organizatë jo fitimprurëse, anëtarët e të cilit janë përfaqësues të bizneseve të mëdha që operojnë në Shqipëri. Albania CSR Network është themeluar në mars të vitit 2013. Misioni kryesor i këtij Rrjeti është nxitja dhe promovimi i rëndësisë së përgjegjësisë sociale të korporatave për komunitetin e biznesit ashtu si edhe mjedisin tonë shoqëror. Qëllimi i CSR Albania është që përmes këtyre aktiviteve të promovohen praktika të qendrueshme biznesi. Rrjeti ka 15 anëtarë. Presidenca dhe Sekretariati i Përgjithshëm drejtohen nga ANTEA Cement.









