Ish-nënkryetari i PDsë, Jemin Gjana, kërkon nga kryetarët e degëve, të cilët morën rezultate zhgënjyese për PD në zgjedhjet vendore, të japin dorëheqjen.
Sipas tij, megjithëse analiza që PD do të zhvillojë për zgjedhjet e 21 qershorit nuk ka për qëllim ndëshkimin e individëve, por zbulimin e fenomeneve, disa nga kryetarët e degëve duhet të largohen dhe t’u përkushtohen sfidave të reja.
Në një intervistë për “Panorama”, Gjana rrëfen rikthimin në Kryesinë e PD, dhe ftesën nga kreu i opozitës Basha për të drejtuar Departamentin për Kontributet Historike.
Ish-ministri i Bujqësisë ka folur edhe për riorganizimin e partisë dhe përballjen me figurat e reja të afruara nga Basha pas marrjes së drejtimit të PDsë prej tij.
“Për të gjithë ata që drejtojnë sot në PD, duhet të kuptojnë që ne jemi forcë politike në opozitë. Ne mund t’i mbajmë karriget e PD-së në kryesi, Këshill Kombëtar, degët e saj, por nëse partia nuk vjen në pushtet, ajo humbet esencën politike, për të cilën ajo ekziston.
Qëllimi nuk është të vetëmbrohemi, qëllimi është të jemi më të hapur. Secili duhet të ecë me konceptin: “Dakord mora një shans, hyra për të drejtuar, nuk munda dot ta përballoja, këtu jam.
Duhet të ndërmarr një sfidë tjetër”. Por nuk mund të shkojmë me idenë kalojmë një humbje dhe përgatitemi për një humbje tjetër, thjesht për faktin se duhet të mbajë një karrige të Partisë.
Se në fund të fundit janë edhe vende që nuk paguhen”, shprehet ish –ministri i PD në një intervistë për gazetën Panorama.