Procesi ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, vijoi këtë të enjte, 26 shkurt, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u dëgjuan dëshmitarët e thirrur nga SPAK në kuadër të akuzës ndaj tij për “korrupsion zgjedhor”.
Në seancë dëshmuan disa banorë të fshatit Stajkë, të cilët folën për takimet me Shkrelin dhe ndërhyrjet për energjinë elektrike dhe rrugën në zonë, duke mohuar që t’u jetë kërkuar vota në këmbim të shërbimeve.
“Na i solli dritat për një javë”
“Ne kemi shkuar si banorë të Stajkës dhe jemi ankuar se nuk kishim energji elektrike. Falë tij na erdhën dritat. Për ne është i nderuar dhe i respektuar. Falë tij kemi edhe rrugën”, ka thënë ai. Ai pranoi se ishte takuar me Shkrelin në lokalin e këtij të fundit në Kryebushat, së bashku me katër persona të tjerë, ku kishin kërkuar zgjidhje për dritat dhe rrugën. Sipas tij, energjia elektrike erdhi brenda një jave.
I pyetur për zgjedhjet e 11 majit, u përgjigj se “nuk kam marrë asnjë orientim nga Kristian Shkreli”.
Përgjimi
Në seancë, prokurori Dritan Prençi lexoi një përgjim të datës 18 prill 2025 mes dëshmitarit dhe Shkrelit, ku ky i fundit i thotë:
“Dritat i ke të kryme“ ndërsa më pas shton “Veç për Tomën”. Dëshmitari i përgjigjet: Mos e çaj kryt!
Sipas dëshmitarit, me “Tomën” në atë bisedë i referoheshin Tom Doshit.
Prokuroria paraqiti edhe një tjetër bisedë të datës 6 maj 2025, ku dëshmitari ftonte persona të tjerë të merrnin pjesë në një takim në Stajkë, duke përmendur ardhjen e Tom Doshit në një lokal. Ai sqaroi se bëhej fjalë për një miting dhe se pjesëmarrja kishte qenë “për respekt”.
“S’na ka ofruar para apo punë”
I pyetur nga mbrojtja nëse i pandehuri i kishte ofruar para, vend pune apo përfitime të tjera në këmbim të votës, dëshmitari u përgjigj prerazi: Jo, s’më ka ofruar asgjë. I kam kërkuar unë të na rregullojë linjën e energjisë elektrike. S’më ka kërkuar asgjë në këmbim.
Një tjetër dëshmitar deklaroi se banorët ishin ankuar për dritat dhe më pas problemi ishte zgjidhur.
“Kam përdorur telefonin e vëllait dhe kam folur me Kristianin për dritat. S’më ka kërkuar asgjë për votë”, tha ai.
“22 vite pa drita”
Edhe dëshmitari i tretë rrëfeu se zona kishte qenë pa energji elektrike për 22 vite.
“Jemi la me kusi, u thonim komshinjve mos e ndiz dritën sa të pjek bukën unë. U ankuam dhe na u zgjidh problemi. Kristiani na solli korentin dhe rrugën e makinës”, deklaroi ai, duke theksuar se nuk ishte orientuar nga askush për votën në 11 maj.
Ndërsa një tjetër tregoi se dritat ishin rregulluar para zgjedhjeve të fundit dhe se banorët kishin kërkuar ndërhyrje për shtyllat e amortizuara prej druri. Ai mohoi të ishte orientuar për votim, ndërkohë që avokati i Shkrelit pretendoi se disponon dokument që dëshmon se dëshmitari në fjalë nuk ka votuar.
Procesi ndaj Shkrelit vijon, ndërsa prokuroria po përpiqet të provojë nëse ndërhyrjet për energjinë elektrike dhe infrastrukturën në zonë janë përdorur si formë ndikimi në prag të zgjedhjeve të 11 majit.











