Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, Vilson Bala, është paraqitur, këtë të mërkurë, 30 shtator, në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku pritet të merret në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e Ergys Agasit.
Bala pritet të japë shpjegimet e tij përpara prokurorëve të SPAK lidhur me rrethanat që po verifikohen në këtë dosje.
Vilson Bala ka drejtuar më herët Policinë e Durrësit, ndërsa përpara kësaj detyre ka qenë në krye të Forcës së Posaçme Operacionale. Në nëntor të vitit 2024, ai u prezantua si drejtues i DVP Durrës.
Më pas, në janar të vitit 2026, Bala u emërua drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, detyrë të cilën e mban aktualisht.
Kujtojmë se Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht. Ai ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të një hetimi të SPAK. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me fondet publike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.
Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për dyshime mbi përfshirjen e tij në skema të përfitimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë dhe zyrtarë shtetërorë.











