Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot, së bashku me Këshillin e Europës, projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke hapur konsultimin publik për një ndërhyrje të gjerë në legjislacionin procedural penal. Në qendër të ndryshimeve janë paraburgimi, alternativat ndaj arrestit në burg, forcimi i garancive procedurale dhe mbrojtja e të drejtave të individit.
Në prani të Kryeministrit, përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, Gogu e nisi fjalën me rastin e Afërdita Hysës, të shqyrtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, për të theksuar rëndësinë e arsyetimit të çdo vendimi që kufizon lirinë e individit.
Ministri solli në vëmendje të dhënat e Këshillit të Europës, sipas të cilave, në vitin 2024, pothuajse gjashtë në dhjetë persona në institucionet penitenciare shqiptare nuk kishin ende një vendim të formës së prerë, ndërsa kohëzgjatja mesatare e paraburgimit në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ishte rreth 253 ditë.
Gogu theksoi se arresti në burg duhet të ketë karakter përjashtimor, ndërsa pesha e akuzës nuk mund të jetë e mjaftueshme në vetvete për kufizimin e lirisë. Sipas tij, duhet të argumentohet konkretisht përse masat e tjera më pak kufizuese nuk janë të mjaftueshme.
Projektndryshimet parashikojnë forcimin e të drejtave të mbrojtjes gjatë hetimit, kufizimin e aksesit në të dhënat personale gjatë sekuestrimit të telefonave, mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë dhe masa shtesë për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së ministrit ishte funksionimi i alternativave ndaj paraburgimit. Gogu njoftoi se qeveria ka ndarë fondet për mbikëqyrjen elektronike dhe se Ministria e Drejtësisë angazhohet ta vërë atë në funksion brenda pranverës së ardhshme.
Ministri propozoi gjithashtu hartimin e një strategjie të përbashkët për paraburgimin, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, me fokus cilësinë e vendimeve, funksionimin e alternativave dhe transparencën.
Duke ftuar gjyqtarët, prokurorët, avokatët, akademikët dhe shoqërinë civile të kontribuojnë në konsultimin publik, të hapur deri më 28 tetor, Gogu theksoi rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve të drejtësisë në hartimin e ndryshimeve.
“Sfida e shtetit të së drejtës është t’u dalë për zot të dyjave. Të ndjekë krimin pa i hyrë në hak prezumimit të pafajësisë. Të mbrojë shoqërinë pa e trajtuar akuzën si dënim.”
Me këtë mesazh, ministri nënvizoi synimin për një drejtësi që tregon të njëjtën forcë përballë krimit dhe në mbrojtjen e lirisë.











