Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë është i padrejtë, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të bëjnë të pamundurën për korrigjimin e tij përmes procedurave të apelimit. Duke folur në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se deklarata e miratuar në Kuvend për këtë çështje përbën hapin e parë dhe, sipas tij, shpreh vullnetin e popullit të Kosovës.
“Deklarata në Kuvendin e Kosovës është hapi i parë dhe shpreh vullnetin e popullit. Ne do të bëjmë të pamundurën që ky aktgjykim të korrigjohet në Apel”, tha Kurti.
Në mbledhje, kryeministri foli edhe për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti tha se gjatë qëndrimit në SHBA ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe për çështje ekonomike dhe tema të tjera me interes për Kosovën. Ai u ndal edhe te marrëveshja e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas Kurtit, përfaqësuesit politikë shqiptarë nga këto tri komuna kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.











