• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, June 19, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Ish-deputeti demokrat: Humbja e PD-së, faji i gjeneralit të ushtrisë së vdekur dhe marshall Berishës e sorollopit të tyre

by Java News
27/06/2017 16:42
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, disa ditë pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga partia më e madhe e opozitës, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj lidershipit të Partisë Demokratike.

Teksa ka analizuar zgjedhjet lokale të 21 qershorit, ai thotë se kjo është humbja më e turpshme që ka pësuar ndonjëherë PD-ja.

Për këtë, ai sjellë në vëmendje gjendjen ku ishte PDja katër vite më parë dhe ku është tani.

“Në vitin 2011 koalicioni ynë fitoi 218 komuna e bashki, nga 384 gjithsej, d.m.th. 57 përqind.

Në harkun e katër vjetëve jemi më shumë se përgjysmuar. Numërimi i deritanishëm i votës proporcionale tregon për një distancë të frikshme me partinë e parë, Partinë Socialiste, distancë që nuk e kemi pasur kurrë.

Ky numërim po na bën konkurrentë të LSI-së”, thotë Hoxha.

Ish-deputeti demokrat, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Rama pas zgjedhjeve, Bashën e quan “gjeneral të ushtrisë së vdekur”.

Ai thotë se vërtetësia e kësaj deklarate e dhunon në shpirt dhe besoj se kjo dhunon çdo demokrat, të cilit i dhimbset partia e tij.

Për këtë, thotë ai, nuk e bën fajtor Ramën, pasi sipas tij, fajin e ka gjenerali i PD-së dhe, pas tij, faji bie dhe mbi marshallin, të cilët, po e çojnë PD-në me zor drejt vdekjes politike.

“Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë, unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PD-në do të duhet t’i themi, si gjeneralit, ashtu dhe marshallit, me soj sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futët në dhe Partinë”, u shpreh në një intervistë për “Shekulli”, ish-deputeti Fatos Hoxha.

Zoti Hoxha, numërimi i votave për zgjedhjet lokale po shkon drejt fundit. Keni një vlerësim për rezultatin për aq sa dihet, apo është ende herët?

Nuk është herët për të dalë në një konkluzion themelor, për të thënë nëse PD ka humbur apo i ka fituar këto zgjedhje. Nga ana tjetër është herët për t’u futur në detajin e gjësë, për të shpjeguar çdo bashki, çdo lagje, çdo fshat.

Eksponentë të PD-së kanë deklaruar se shifrat tregojnë rritje për PD. Ju jeni dakord me këtë konkluzion?

Eksponentët që thoni ju, unë i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe interes. Unë jam dakord dhe pajtohem plotësisht me deklaratën se administratorët zgjedhorë të PD-së janë treguar në lartësinë e detyrës dhe kanë numëruar me përgjegjshmëri votat dhe se kjo është arritje. Ata i kanë rezistuar në mënyrë shembullore thirrjes dinake për të mosnjohur zgjedhjet dhe për të prishur procesin, që u lëshua me tërbim nga zërat më me influencë brenda gardhit blu. Kjo është arritje, sepse përndryshe PD-ja do të ishte varrosur dhe nuk do ta ngrinte dot kokën për një kohë të gjatë. Përçmimi popullor nuk do t’i ishte ndarë për disa mandate. Por e gjitha kjo ka lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, aq sa ka lidhje ngjyra e fustanit të zëdhënëses me votën e shqiptarëve.

Rezultati i zgjedhjeve matet me atë që kemi fituar apo që kemi humbur, me aq sa jemi rritur apo jemi zvogëluar. Unë besoj se, pavarësisht se rezultati nuk është ende i plotë, sot mund të konfirmohet me siguri fakti se PD ka pësuar një humbje historike. E vërteta nganjëherë dhemb, por kur dhemb, shëron. Prandaj ta lemë mënjanë hipokrizinë dhe papërgjegjshmërinë dhe t’i qëndrojmë si burrat përballë realitetit. Të pranojmë dhimbjen dhe të vërtetën: Humbja është historike. E tillë është dhe përgjegjësia dhe faji i lidershipit ndaj demokratëve. E tillë duhet të jetë forca dhe dëshira për t’u ringritur. Lidershipin e PD-së në këto vite shumë zëra publik e kanë akuzuar si të papërgjegjshëm. Një provë tjetër flagrante e papërgjegjshmërisë nuk na duhet. Na duhet e kundërta. Ndaj unë do të ftoja publikisht liderët dhe zëdhënësit e tyre të heqin fustanin që veshën në këto zgjedhje dhe të veshin pantallona. Është koha të tregojnë burrëri. Është koha të tregojnë përgjegjshmëri. Është koha të nxjerrin e të mbajnë përgjegjësi.

Kaq i rëndë ju duket rezultati? Nuk është pak i ashpër ky prononcim?

Koalicioni i PD-së ka konkurruar për kandidatët e bashkive dhe nga 61 bashki ka fituar vetëm 15 d.m.th, vetëm 25 për qind të tyre. Në vitin 2011 koalicioni ynë fitoi 218 komuna e bashki nga 384 gjithsej, d.m.th. 57 përqind. Në harkun e katër vjetëve jemi më shumë së përgjysmuar. Tjetër, numërimi i deritanishëm i votës proporcionale tregon për një distancë të frikshme me partinë e parë, Partinë Socialiste, distancë që nuk e kemi pasur kurrë. Ky numërim po na bën konkurrentë të LSI-së. Mbase për lidershipin tonë kjo e dhënë nuk është dëshpëruese. Ai është lidership i rritur dhe edukuar me miqësinë me LSI-në. Por nuk duhet harruar se LSI-ja rezultatin e saj e ka rezultat në rritje.

Ne e kemi rezultat në pikiatë. Po vazhduam kështu, udhëheqësit tanë pas dy vjetësh duhet të paguajnë që ta quajnë shok Ilir Metën (më falni që po flas për lekë në kontekstin e LSI). Mua rezultati më duket ekstremisht i rëndë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve, kryeministri Rama, ma quajti dje kryetarin e partisë sime “gjeneral të ushtrisë së vdekur”. Kjo deklaratë më dhunon në shpirt. Besoj se dhunon çdo demokratë që i dhimbset partia e vet. Por unë nuk bëj dot budallain dhe të bëj fajtor Ramën për këtë dhunë. Fajin ma ka Gjenerali im dhe, pas tij dhe mbi të, Marshalli, të cilët po na çojnë me zor drejt vdekjes politike. Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PD do duhet t’i themi si Gjeneralit, ashtu dhe Marshallit, me soj e sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futet në dhe Partinë!

A keni ju një shpjegim për humbjen? E gjeni dot pse-në e saj?

Shkaqet e humbjes do të analizohen gjatë. Jam i sigurtë se shumë njerëz do të shprehen për to. E mira e do që të dëgjohen të gjithë, edhe pse midis tyre do të ketë plot që do të përpiqen t’i mbulojnë të vërtetat e të na çojnë në qorrsokak. Unë në këtë reagim të nxehtë po them vetëm një pjesë të asaj që modestisht shoh si shkak, atë që quaj themelore dhe që nuk dua të na e fshehin. Zgjedhjet e vitit 2013 PD i humbi për shkak të arrogancës më të cilën trajtoi elektoratin, i paraqiti një ofertë politike fyese dhe u tha; nuk keni nga shkoni, do të votoni ushtarët e mi.

Listat e kandidatëve të PD-së u përpiluan pa kriter politik. Në to u përfshinë njerëz të diskredituar politikisht apo me probleme të mprehta korrupsioni, ish-titullarë institucionesh me emër të zi sterrë, eksponentë historik të PS-së ose kundërshtarë të dhunshëm kundër demokratëve dhe qeverisjes demokrate, njerëz apolitike dhe pa lidhje në bazën demokratike, personazhe me lidhje të forta me krimin dhe të kamufluar një pjesë e tyre edhe në listat e aleatëve, individë që ditën e zyrtarizimi të listave, mesazh të parë elektoral në çdo tavolinë kishin mburrjen për shifrën e eurove apo dollarëve me të cilin kishin blerë kandidimin. Elektorati i tregoi se ai di t’i përdorë instrumentet që demokracia i ka dhënë për t’u mbrojtur nga horrat. Mua më duket se PD në këto zgjedhje u fut me të njëjtin mentalitet, stil dhe platformë, me të njëjtën ofertë fyese.

Sigurish që do të merrte të njëjtën përgjigje nga populli. Populli nuk përtypi dot platformën antikrim të fushatës, jo se është tolerant ndaj krimit, por sepse ajo platformë ishte përpunuar dhe po artikulohej nga autorët e kriminalizimit të politikës, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk hoqën dorë nga aleanca me krimin dhe kandidimi i kontingjentit kriminal. Populli demonstroi se di të gjykojë dhe të zgjedhë. Njerëzit me integritet dhe personalitet të fortë fituan në tërësi edhe në bastionet e së majtës. Populli i votoi ata pa dallim ngjyre. Përjashtimet e rralla, kur kandidatë me cv të dyshimte kanë fituar erdhën kryesisht nga dy shkaqe: ose denoncimi i tyre nuk ishte i vërtetë, serioz dhe i qartë, ose oferta e krahut tjetër ishte më zi se oferta e kriminalizuar e PD-së.

Por populli mbi të gjitha ndëshkoi hipokrizinë e lidershipit të PD me këtë platformë. Nuk doli kundër mesazhit, por kundër mesazherit. Ky është për mua shpjegimi i parë për rrënimin e votës proporcionale të PD-së. Shpjegimi i dytë është i ngjashëm si dy pika uji me të parin, prandaj dhe e përforcon akoma më shumë efektin negativ të tij. Lidershipi i PD-së artikuloi në këto zgjedhje luftën kundër oligarkisë, kur i madh e i vogël në Shqipëri e di skllavërimin e PD-së nga oligarkia. PD ra nga pushteti për shkak se shtetin qeveria e saj ia nënshtroi oligarkisë dhe krimit. Autorit të këtij akti të pashembullt tradhtie politike nuk i hyri gjemb në këmbë.

Përkundrazi, vazhdon dhe drejton fijet e politikës së djathtë, vazhdon e na cakton përfaqësuesit, vazhdon e na përpunon platformat. Edhe në këtë rast shqiptarët nuk patën asgjë kundër mesazhit, por refuzuan mesazherin. Këto janë dy të vërteta që të gjithë analistët afër lidershipit të PD do të përpiqen t’i fshehin, t’i kamuflojnë, t’i kundërshtojnë. Por këto janë nga ana tjetër dy të vërteta, pa njohjen dhe pranimin e të cilave, nuk ka analizë të vërtetë, nuk ka mësim, nuk ka shërim. Ndaj po nxitoj t’i them një orë e më parë. Ngritja e PD-së nga varri varet shumë prej tyre. Demokratët nuk duhet të pranojnë më kompromis. Nga ky qëndrim varet jeta dhe e ardhmja e tyre politike.

Next Post
Akuzohej për trafik droge, Krimet e Rënda lirojnë Ben Çamin

Akuzohej për trafik droge, Krimet e Rënda lirojnë Ben Çamin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Postblloqet policore për kontrollin e alkoolit të shoferëve

Elektorati violet, blu etj, dhe gri

June 19, 2026
Gjykata Administrative shqyrton nesër kërkesëpadinë për pavlefshmërinë e emërimit Prokuror të Ols Dados, i pranishëm edhe Veliaj

Dosja për Ols Dadon, Shoqata rreshtohet krah Veliajt, ngre dyshime për ligjshmërinë e emërimit të prokurorit

June 19, 2026
Eglant Koçi dyshohet se u vra me plumb në kokë, familjarët identifikojnë trupin! Dërgohet për ekspertizë në morg

Eglant Koçi dyshohet se u vra me plumb në kokë, familjarët identifikojnë trupin! Dërgohet për ekspertizë në morg

June 19, 2026
Provimet e lirimit/ 29 mijë minimaturantë testohen sot në Gjuhën Shqipe

Provimet e lirimit/ 29 mijë minimaturantë testohen sot në Gjuhën Shqipe

June 19, 2026
Ndryshime në Polici/ Emërohen 65 shefa të rinj komisariatesh, në disa qytete të vendit

Ndryshime në Polici/ Emërohen 65 shefa të rinj komisariatesh, në disa qytete të vendit

June 19, 2026
Ulet çmimi i naftës në bursë, Ibrahimaj: Pushon së funksionuari Bordi i Transparencës

Ulet çmimi i naftës në bursë, Ibrahimaj: Pushon së funksionuari Bordi i Transparencës

June 19, 2026
Padia kundër Ols Dados, zhvillohet sot seanca e Veliajt në Administrative

Padia kundër Ols Dados, zhvillohet sot seanca e Veliajt në Administrative

June 19, 2026
Revolucioni i flamingove dhe frika nga Perëndimi

Revolucioni i flamingove dhe frika nga Perëndimi

June 19, 2026
Kievi sulmon ashpër Moskën, godet rafinerinë e naftës/ Zelensky: Nëse digjet Ukraina, do të digjet edhe Rusia

Kievi sulmon ashpër Moskën, godet rafinerinë e naftës/ Zelensky: Nëse digjet Ukraina, do të digjet edhe Rusia

June 19, 2026
“Prioritet pastërtia dhe siguria”, Gonxhja inspekton plazhet publike të Kavajës: Fokus te aksesi i lirë

“Prioritet pastërtia dhe siguria”, Gonxhja inspekton plazhet publike të Kavajës: Fokus te aksesi i lirë

June 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In