• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Investigimi/ Nga Amerika Latine në Kosovë: Si trafikohen gra për shërbime seksuale?

by E B
21/07/2026 17:21
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Në pak sekonda mund ta zgjedhësh qytetin. Më pas kombësinë, moshën, gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve dhe të syve, e madje edhe preferencat seksuale.

Mjafton një klikim dhe në ekran të shfaqen dhjetëra profile grash që ofrojnë shërbime eskorte në Kosovë.

Sipas autoriteteve kosovare, prapa disa prej këtyre profileve nuk fshihen gra që veprojnë me vullnetin e tyre, por viktima të trafikimit me qenie njerëzore.

“Ato që rekrutohen nga jashtë, sidomos nga shtetet e Amerikës Latine, rekrutohen me kontrata të rregullta. Paraqiten si punëtore të rregullta në Kosovë, me lejeqëndrim dhe pajisen me kontratë pune”, thotë për Radion Evropa e Lirë Zana Sadiku-Sertolli nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sadiku-Sertolli, e cila është koordinatore për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, thotë se kjo formë e rekrutimit dhe organizimit e ka vështirësuar ndjekjen penale të këtyre rasteve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme – përgjegjëse për lëshimin e lejeve të punës dhe lejeqëndrimeve për shtetas të huaj – për politikat dhe strategjitë për luftimin e këtij fenomeni, por as pas tri javësh nuk ka marrë përgjigje.

Lidhur me platformën ku ofrohet shërbimi i eskortave, REL-i ka pyetur edhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) nëse ka pasur ndonjë kërkesë për të bllokuar qasjen në këtë ueb-faqe në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Në të kaluarën, ARKEP-i ka ndërhyrë duke detyruar ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë të bllokojnë faqet e mediave ruse të sanksionuara në Kosovë. Ndërsa, edhe pse me shërbime që bien ndesh me ligjin, shumë platforma të basteve online që funksionojnë nga jashtë vendit, janë të qasshme në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë për REL-in se është duke monitoruar ueb-faqet e dyshuara, përfshirë atë ku listohen edhe gra nga Amerika Latine, por ka shtuar se “në këtë fazë nuk mund të ofrojmë informata të tjera”.

Në një raport të publikuar vitin e kaluar nga ky institucion thuhet se Kosova “vazhdon të mbetet vend i origjinës, transitit dhe destinacionit për viktimat e trafikimit” dhe se një nga format e reja të identifikuara është ofrimi i shërbimeve seksuale përmes faqeve online të eskortave.

Sipas atij raporti, viktimat janë zakonisht të moshave nga 18 deri në 30 vjeç dhe vijnë në mënyrë të organizuar nga vende si: Brazili, Venezuela, Kolumbia e Peruja.

Pikërisht një shtetase e Perusë është arrestuar në Prishtinë në vitin 2024 nën dyshimet se ishte njëra nga organizatoret e këtij rrjeti të trafikantëve.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar më shumë të dhëna nga Prokuroria Speciale për vazhdimësinë e procedurave në këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje.

Para disa muajsh, mediumi Kallxo.com raportoi se kishte siguruar një pjesë të dosjes hetimore të këtij rasti, ku dyshohet se organizatorët e rrjetit ua merrnin mbi 50 për qind të fitimeve vajzave të trafikuara, që rriheshin nëse nuk respektonin udhëzimet.

Edhe në Bosnje e Hercegovinë, Zyra e Prokurorëve tha për REL-in se gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka identifikuar disa shtetase braziliane të shfrytëzuara seksualisht përmes së njëjtës platformë.

Sipas saj, një grup i organizuar kriminal organizonte transportin dhe akomodimin e viktimave, ndërsa fitimet u dërgoheshin organizatorëve përmes kriptovalutave. Në hetime janë përfshirë edhe Europol-i, Interpol-i dhe autoritetet braziliane.

Në Kosovë, bashkëpunimi juridik me vendet e origjinës së këtyre viktimave është dëshmuar më i ndërlikuar në rastet ku vendi nuk ka marrëdhënie diplomatike me vendin e origjinës së viktimës, tregon prokurorja Sadiku-Sertolli.

“Ka shtete që nuk e njohin Kosovën dhe duhet të ekzistojë një marrëveshje bilaterale me shtetin ku e ka origjinën ajo viktimë, pasi që duhet të vlerësohet se a do të ishte e sigurt viktima që të kthehej atje [ose jo]”, thotë ajo, duke shtuar se, megjithatë, ky problem zgjidhet zakonisht përmes Zyrës për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë.

Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Agjencia evropiane e policisë, Europol, thotë se trafikimi për shfrytëzim seksual, përfshirë i grave nga Amerika Latine, është pjesë e rrjeteve kriminale që veprojnë në disa kontinente.

Në qershor të këtij viti, disa agjenci të policisë dhe sigurisë – Europol-i, Interpol-i, Frontex-i dhe Ameripol-i – koordinuan një operacion ndërkombëtar kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku morën pjesë edhe autoritetet kosovare.

Operacioni përfundoi me mbi 1.000 arrestime dhe identifikimin e një numri të madh viktimash nga Amerika Latine.

“Gjatë fazës operative, vendet pjesëmarrëse kryen veprime të synuara për zbatimin e ligjit, duke përfshirë kontrolle të përforcuara në pikat e nxehta, si kufijtë dhe aeroportet, si dhe hetime proaktive për rastet në vazhdim, që kërkojnë bashkëpunim operativ të nivelit të lartë”, tha Europol-i në përgjigjen për REL-in.

Kosova nuk listohet në mesin e vendeve ku pati arrestime.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri, mediat kanë raportuar për një situatë të ngjashme si në Kosovë me eskorta nga vendet e Amerikës Latine, por autoritetet shtetërore nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Ndërsa, në Serbi, ku është rritur numri i viktimave të identifikuara të trafikimit, raportuesi kombëtar për këto raste, Zoran Pashalliq, i tha REL-it se, deri më tani, nuk ka të dhëna për viktima nga Amerika Latine.

Për dallim nga Serbia, statistikat në Kosovë tregojnë se numri i viktimave të identifikuara të trafikimit ka rënë në vitet e fundit.

Megjithëse nuk specifikohet se sa prej tyre janë shfrytëzuar seksualisht, vetë policia e cilëson këtë si një nga format më të përhapura të trafikimit dhe pranon se numri real i viktimave besohet të jetë më i lartë.

Këtë muaj, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion nëpër sallone masazhi dhe në lokale të natës me muzikë, i cili përfundoi me arrestimin e disa personave.

Megjithatë, ata u dyshuan për veprat penale të mundësimit të prostitucionit e jo për trafikim me qenie njerëzore.

Ku qëndron dallimi? Prokurorja Sadiku-Sertolli thotë se dallimi qëndron te liria e personit: trafikimi nënkupton se viktima rekrutohet, kontrollohet ose detyrohet për t’u shfrytëzuar, ndërsa mundësimi i prostitucionit lidhet me organizimin ose përfitimin nga prostitucioni.

Ajo tregon se për shkak se trafikuesit sigurohen të mos lënë prova materiale, institucionet e hetuesisë në Kosovë e kanë të vështirë të sigurojnë prova materiale përtej deklaratave të viktimave.

“Këtu, sfidë tjetër është që viktimën ta bindësh që është viktimë e trafikimit”, tregon Sadiku-Sertolli, duke theksuar se ky problem shfaqet veçanërisht te viktimat nën moshën 18-vjeçare.

Sipas një raporti të Policisë së Kosovës, gjatë viteve 2021-2024 janë identifikuar 42 viktima në këtë grup-moshë, prej të cilave tetë ishin të moshave nga 12 deri në 14 vjeç. Shumica prej tyre thuhet të jenë shfrytëzuar për shërbime seksuale.

Por, jo vetëm mungesa e gjurmëve të lëna nga trafikuesit e vështirëson ndjekjen penale të këtyre rasteve, thotë Sadiku-Sertolli.

Ajo thotë se, pavarësisht bashkëpunimit të mirë mes institucioneve, sfida mbeten kapacitetet e kufizuara të disa prej tyre, veçanërisht mungesa e stafit në shërbimet sociale dhe pajisjeve të punës për policë.

Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, për rastet e trafikimit me qenie njerëzore në tre vjetët e fundit janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim.

Kodi Penal parasheh dënime prej pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin me qenie njerëzore, ndërsa në rastet më të rënda dënimi mund të arrijë deri në burgim të përjetshëm.

E, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2025 kritikon Kosovën pikërisht për politikën ndëshkimore.

Në raport thuhet se dënimet nën minimumin ligjor dhe “shqiptimi i gjobave si ndëshkim i vetëm minojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikuesit përgjegjës, dobësojnë efektin parandalues, krijojnë shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e kësaj vepre penale”.

I njëjti raport vë në pah edhe një tjetër problem, të cilin e thekson edhe prokurorja Sadiku-Sertolli: mungesën e trajnimeve dhe ekspertizës.

Sipas raportit, shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht në rastet që përfshijnë kontroll emocional ose psikologjik të viktimave – gjë që mund të ndikojë në shqiptimin e dënimeve më të lehta ose në kualifikimin e rasteve si vepra penale me dënime më të ulëta se trafikimi me qenie njerëzore.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me sfidat që gjykatat hasin në trajtimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe masat që po ndërmerren për forcimin e kapaciteteve të gjyqtarëve në këtë fushë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje./ REL

Next Post
Banori që humbi ndërtimin në Theth përfiton nga Paketa e Maleve, Rama: Do të të mbështesim të bësh diçka fantastike

Banori që humbi ndërtimin në Theth përfiton nga Paketa e Maleve, Rama: Do të të mbështesim të bësh diçka fantastike

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Zbulohet Dokumenti/ Vlora Hyseni ishte propozuar në muajin gusht nga Franca për nderimin me gradën “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”!

Zbulohet Dokumenti/ Vlora Hyseni ishte propozuar në muajin gusht nga Franca për nderimin me gradën “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”!

September 23, 2026
Rruga Berat–Ballaban drejt përfundimit, Rama: Vijojnë me intensitet të lartë punimet! Infrastrukturë më e sigurt

Rruga Berat–Ballaban drejt përfundimit, Rama: Vijojnë me intensitet të lartë punimet! Infrastrukturë më e sigurt

September 23, 2026
“Mos bëni politikë me shëndetin”- Ministrja Spahiu i përgjigjet PD: E vërteta e dyerve të hapura, të zgjidhim hallet e qytetarëve!

“Mos bëni politikë me shëndetin”- Ministrja Spahiu i përgjigjet PD: E vërteta e dyerve të hapura, të zgjidhim hallet e qytetarëve!

September 23, 2026
Zjarri i fuqishëm në Akërni të Vlorës, flakët shumë pranë banesave dhe aeroportit! Dyshohet për piromani

Zjarri i fuqishëm në Akërni të Vlorës, flakët shumë pranë banesave dhe aeroportit! Dyshohet për piromani

September 23, 2026
Bordi ul naftën me 13 lekë, do të shitet 197 lekë për litër! Benzina shkon në 172 lekë litri

Bizneset dhe fermerët nën presion, Dhoma e Tregtisë së Kosovës kërkon uljen e akcizës së karburanteve

September 23, 2026
Aksident në aksin Fier-Patos/ Përplasen dy mjete, një i plagosur

Dy aksidente në Tiranë, 24-vjeçari përplas këmbësoren, i mituri pa patentë përplaset me murin!

September 23, 2026
Përplasje për Territorialen te Ligjet, PD kundër draftit të PS, braktis mbledhjen: Po bëni ndryshime pa pyetur qytetarët! Manja: S’i marrim dot kompetencat e Kuvendit

Përplasje për Territorialen te Ligjet, PD kundër draftit të PS, braktis mbledhjen: Po bëni ndryshime pa pyetur qytetarët! Manja: S’i marrim dot kompetencat e Kuvendit

September 23, 2026
I vuri zjarrin tokës së tij dhe flakët rrezikuan banesat, arrestohet 46-vjeçari në Shijak!

I vuri zjarrin tokës së tij dhe flakët rrezikuan banesat, arrestohet 46-vjeçari në Shijak!

September 23, 2026
Korridori 8 mund të nxisë bashkëpunimin energjetik mes Shqipërisë dhe rajonit

Korridori 8 mund të nxisë bashkëpunimin energjetik mes Shqipërisë dhe rajonit

September 23, 2026
Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK për lidhjen me Agasin, ish-kreu i SHISH: Kam kontakte vetëm me telefon dhe si bashkëpunëtor i shërbimit sekret

Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK për lidhjen me Agasin, ish-kreu i SHISH: Kam kontakte vetëm me telefon dhe si bashkëpunëtor i shërbimit sekret

September 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com