Zëvendësministrja e Çështjeve Sociale Gentiana Sulo flet për procesin e Hapjes së Dosjeve dhe nga do të fillojë i gjithë procesi. Deri më tani ka dështuar disa herë, kurse në këtë herë sfida është që të vazhdohet sepse Shqipëria ka një mungesë të madhe të seriozitetit sa i përket krimeve të Komunizmit, thotë ajo, dhe detajon hapat që do të ndërmerren…
Intervistoi Ben Andoni
Vonesa na ka futur në një qerthull, që sipas zëvendësministres Sulo, autoritetit që po e ndjek të gjithë procesin, por edhe që e ka ideuar, po na bën të na e shtojë dhimbjen. Ka besim se do t’i shkojë deri në fund procesit sepse Garancia e procesit buron nga një mbështetje e gjerë e opinionit publik për të adresuar çështjet e të shkuarës, në kërkim të dëshmive të nevojshme për të bërë transparencë. Deri më tani veç qeverisë mbështetja e madhe ka ardhur dhe nga faktori ndërkombëtar që do të asistojë, por për optimistët e mëdhenj, e ka një përgjigje të drejtpërdrejtë, që të mos nxitojnë sepse rruga është e gjatë: Vetë gjermanët e ndryshuan 8 herë Ligjin e tyre të dosjeve në këto 20 vjet, ndërkohë Çekët edhe më shumë herë, thotë ajo.
Si e shikoni dhe nga do fillojë procesi i Dosjeve? A mendoni se do ketë vullnet të shkojë deri në fund?
“Vullneti politik u shpreh me miratimin nga ligjvënësi të Ligjit 45/2015 ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’, i cili hyn në fuqi më 12 qershor 2015. Sipas përcaktimeve të këtij Ligji, brenda një muaji nga kjo datë pritet të votohen në parlament pesë anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDiSS), i cili është një institucion i pavarur dhe kolegjial që do të themelohet posaçërisht. Nga ky grup përzgjidhet nga parlamenti edhe kryetari ose kryetarja e këtij institucioni te pavarur. Më pas, kryesia e AIDiSS do të hartojë aktet nënligjore të nevojshme për organizimin dhe funksionimin e tij, përfshirë organikën e buxhetin e institucionit, dhe do të themelojë institucionin që do të merret me trajtimin e materialit arkivor, duke ia vënë atë në shërbim publikut.
Mendoj që mbështetja e institucioneve kyç është shprehur në të gjitha rastet me veprime të rëndësishme qoftë nga Kryeparlamentari Meta, ashtu dhe Kryeministri Rama e po ashtu edhe nga sferat e rëndësishme të politikë-bërjes pavarësisht sa delikate u paraqitet çështja. I mbetet vetë AIDiSS-së që do dalë nga ky proces të dëshmohet eficent dhe të bëjë detyrën që i është caktuar. Nevojitet shumë punë, integritet dhe përkushtim dhe dëshirë për të mësuar nga modelet e suksesshme, tashmë të sprovuara të Gjermanisë, Çekisë etj.
Garancia për ta shpënë deri në fund procesin buron nga një mbështetje e gjerë e opinionit publik për të adresuar çështjet e të shkuarës, në kërkim të dëshmive të nevojshme për të bërë transparencë. Kam bindjen se shoqëria e jonë, dhe sidomos vektorët më aktivë si media ashtu dhe studiuesit do ta mbështesin punën e nisur duke e përdorur këtë shërbim të ri që po i ofrohet publikut, dhe po qe nevoja të bëjnë presionin e duhur për një cilësi të punës në këtë institucion.
Energji pozitive buron edhe nga partnerët ndërkombëtarë ku spikat qeveria gjermane me ndihmën e saj të vazhdueshme që kulmoi edhe me vetë vizitën javën e shkuar të z. Roland Jahn – Komisionerit Federal të dosjeve të STASI-t në Gjermani dhe premtimin për ta mbështetur punën e AIDiSS në të ardhmen, zyrën e OSBE-së me këshillat ligjore që dha gjatë procesit të hartimit të legjislacionit si dhe me partnerët Çekë që kanë shprehur interes për të ndihmuar për mbarëvajtjen e punës së Autoritetit, duke sjellë përvojën e tyre të freskët në këtë proces”.
Ju personalisht po bëni një punë të madhe për infrastrukturën e këtij procesi. Cilat janë vështirësitë më të mëdha deri më tani….
“Mosbesimi për procesin ka qenë një nga pengesat tona më të mëdha. Dihet tashmë që qysh prej viteve ’90 ka pasur disa tentativa për të trajtuar trashëgiminë dokumentare të diktaturës. Proceset ‘Bezhani’ dhe ai ‘Mezini’ patën efekte të kufizuara, nuk i dhanë publikut asnjë mundësi për t’u njohur me Dosjet, dhe nuk rezultuan në analiza fenomenologjike të përndjekjes dhe rolit të institucioneve si Sigurimi në shoqërinë tonë dhe në individë të veçantë etj. Po ashtu, një tentativë për një Ligj të hapjes së dosjeve i vitit 2008, që synoi edhe Lustracionin, rezultoi antikushtetues dhe u anatemua si ligj i destinuar për luftë politike. Mund të them me bindje se publiku kishte arsye për të qenë mosbesues. Gjithsesi me miratimin e Ligjit dhe sidomos me mbështetjen ndërkombëtare që ky ligj mori, mendoj se ky mosbesim duhet tejkaluar.
Për krijimin e besimit te ky proces thelbi është krijimi i një Autoriteti të besueshëm dhe funksional. Do të ishte shumë i rëndësishëm një vullnet i përbashkët i krahëve të politikës, shoqatave të ish- të përndjekurve dhe atyre të të Drejtave të Njeriut, që kanë tagër për të propozuar anëtarë të Autoritetit, që të mbështesin persona me integritet shumë të lartë moral e intelektual dhe që i kanë shërbyer demokratizmit të shoqërisë deri më sot”.
Presidenti Nishani, pak ditë më parë, ka thënë se i gjithë procesi i Dosjeve është i pamundur sepse po e bëjnë fëmijët e atyre që persekutuan. A kishte mundësi shteti shqiptar të ishte i bashkuar në këtë proces?
“Që ditën që kam marrë detyrën për të ndjekur çështjet që lidheshin me të kaluarën diktatoriale jam ndeshur me faktin që shoqëria jonë është shumë e ndarë në raport me të shkuarën. Ka moskuptime e keq-informime të një shkalle të paneglizhueshme gjë që ka pasojat e veta edhe në mungesën e njohjes dhe nivelin e empatisë për vuajtjet e qindra-mijëra personave. Po ashtu, ka ndasi edhe për ngjarje madhore dhe të rëndësishme historike. Po përmend për ilustrim p.sh. debatet e forta dhe emocionale që lindën me rastin e festimeve të 70-vjetorit të Luftës Antifashiste – një ngjarje e madhe që u festua në mbarë botën si një fitore e madhe e njerëzimit ndaj diktaturës së egër nazi-fashiste. Them me bindje se hapja e Dosjeve dhe transparenca e të shkuarës duke bërë dokumentimin e fakteve historike do sjellë më afër shoqërinë dhe politikën në gjykimin ndaj së kaluarës, do konsolidojë demokracinë tonë ende të re dhe do ta bëjë më kompakte shoqërinë tonë.
Theksoj se miratimi i Ligjit është vetëm hapi i parë për transparencën e të shkuarës diktatoriale. E ftoj shoqërinë dhe sidomos politikën ta shohë këtë, si një proces që nuk është i ‘shkruar në gur’. Me njohjen më nga afër që do përftojmë nga hapja e dosjeve të para të gjithë kemi detyrë të kërkojmë me insistim përtej integritetit të procesit që sapo nisi, pse jo dhe përmirësim apo evolucion të qasjes. Vetë gjermanët e ndryshuan 8 herë Ligjin e tyre të dosjeve në këto 20 vjet, ndërkohë Çekët edhe më shumë herë”.
Çfarë kemi humbur deri më tash me këtë zvarritje?
“Jo pak. Të prekurve të Diktaturës i kemi vonuar dhe vështirësuar shërimin e plagëve!
Ende sot e tregojmë në mënyrë të pasaktë historinë tonë. Sidomos, nuk kemi shembur disa idhuj të rremë të kësaj historie!
Kemi stërzgjatur tranzicionin duke mbetur peng të së shkuarës dhe kemi vonuar kështu zhvillimin tonë social-ekonomik!
Rrezikojmë t’u lemë brezave të rinj një shoqëri të përçarë për sa i përket të kaluarës.Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme mendoj se e kemi ulur shumë poshtë stekën e moralit të shoqërisë”.
A mendoni se do të marrë jetë iniciativa juaj tjetër për gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve gjatë komunizmit?
“Puna ka nisur me krijimin e sektorit për gjetjen e personave të zhdukur gjate diktaturës, miratuar me urdhër të Kryeministrit që prej muajit tetor 2014 dhe që funksionon brenda strukturës së Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, në varësi të MMSR.
Prej muajsh, MMSR po punon me Zyrën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur (ICMP), që janë partneri i vetëm në gjendje të na ndihmojë në këtë proces. Jemi në fazën kur po institucionalizohet bashkëpunimi i shtetit shqiptar me këtë Zyrë dhe kemi hartuar një program pune të përbashkët. Programi parashikon ndihmë ligjore dhe institucionale për të krijuar kapacitete më të mira për të proceduar çdo rast si dhe program pilot bashkëpunimi për identifikimin e personave të gjetur në varrezën masive të Dajtit si dhe për gjetjen dhe identifikimin e personave në varrezën masive të ish-kampit të punës në Ballsh. Marrëveshja e Bashkëpunimit Shqipëri-ICMP dhe një deklaratë e posaçme për rolin e shtetit tonë në procesin e gjetjes së të zhdukurve gjatë diktaturës priten të firmosen gjatë muajit korrik 2015”.
Cilat janë specifikat e pushtetit të dhunës së komunizmit? Mendoni se do të bëjmë ndonjëherë katarsis për të?
“Është fakt tashmë i njohur nga të gjithë se Shqipëria dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist përjetuan një sistem çnjerëzor dhe më të egrin në Evropë. Ky fakt më është përforcuar edhe më tej gjatë punës sime në MMSR, gjatë procesit të dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë gjatë këtij regjimi. Kemi një numër shumë të madh të të dënuarve politike dhe periudha shumë të gjata të burgosjes apo internimit të tyre.
Më vjen keq që është bërë ende shumë pak për rehabilitimin e tyre moral, historik e psiko-social. Ashtu si më vjen shumë keq, që është bërë shumë pak për regjistrimin e memorieve të këtyre njerëzve dhe të atyre që nuk jetojnë më.
Hapja e dosjeve do ta ndihmojë në dokumentimin e dhunës së komunizmit dhe analizën e ngjarjeve dhe fenomeneve që ndodhën jo vetëm me përndjekjen dhe mohimin e të drejtave të njeriut por edhe aspekte të tjera të jetës në komunizëm. Besoj se katarsisi ka potencial shërues nëse shoqërohet jo vetëm me transparencë por edhe me procese serioze të njohjes së thellë të dinamikës së individit, familjes, shoqërisë, politikës e ekonomisë, e sektorëve të tjerë të jetës përfshirë këtu artin, kulturën, arsimin etj. Me qëllimin e vetëm garantimin e demokracisë dhe imunizimin e shoqërisë dhe shtetit kundra viruseve të dëmshme të së shkuarës”.