Diskutimi për publikun në Institutin Aspen në Berlin me përfaqësues të Ballkanit e BE-së e Gjermanisë u bë nën hijen e acarimit të marrëdhënieve për shkak të taksave të Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kur në vitin 2003, në Selanik, Ballkanit Perëndimor iu ofrua perspektiva Europiane, qëllimi ishte qëndrueshmëria afatgjatë e rajonit. Por që nga ajo kohë kanë kaluar 15 vjet dhe përparimet e arritura në këtë proces janë të vogla. Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, e cila ende nuk është përmbyllur përfundimisht, ka gjasë të jetë një histori e tillë suksesi.
“Por na nevojiten më shumë të tilla”, kërkoi Christian Hellbach, i ngarkuari i Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe vendet EFTA-s, të mërkurën në Berlin, në aktivitetin e Instituti Aspen.
Argumenti i tij: Pa histori suksesi, është e vështirë të binden qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së që të angazhohen për zgjerimin. Edhe pse në fakt, siç do të thoshte diplomati me përvojë – ndër të tjera ish-ambasador në Sarajevë – Ballkani Perëndimor nuk është në skaj, por në mes të Europës dhe angazhimi për të është në interes të drejtpërdrejtë të sigurisë së BE-së.
Debat për taksat ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës
Por vendime të tilla, si ai i qeverisë së Kosovës për t’u vënë taksa prodhimeve nga Serbia dhe Bosnja-Hercegovina, e vështirësojnë shumë punën bindëse me skeptikët ndaj Ballkanit, siç mësoi DW nga qarqet diplomatike të mërkurën në Berlin. Hapi i Kosovës, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj fushatës së Serbisë kundër kandidaturës së Kosovës në Interpol, sipas mendimit të diplomatëve, është i nxituar dhe nuk e nxjerr Kosovën aspak në një dritë pozitive, sidomos tani që ajo ka kryesinë e CeftA-s. “Çështjet tregtare duhen zgjidhur brenda CeftA-s,” – tha edhe ambasadori Hellbach gjatë bisedës në Aspen.
Zëvendësministri i Bosnjë-Hercegovinës, Josip Brkiç, e quajti vendimin e qeverisë Haradinaj për taksat ndaj vendit të vet “luftë tregtare që nuk përputhet me mekanizmin e Cefta-s”. Unë nuk e di se si mund të flasim për bashkëpunim dhe stabilitet në këto kushte, u ankua ai. Për kryenegociatoren e Serbisë me BE-në, Tanja Miščević, vendimi i taksave vetëm sa e vështirëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Kosova dhe Shqipëria kritikojnë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën
Zëvendësministri i Kosovës për integrim, Lirak Çelaj, e mori në mbrojtje vendimin e qeverisë së vet për rritjen e taksave : “Si Serbia, ashtu edhe Bosnja – Hercegovina kanë kaq vite që po na vënë pengesa. Kjo nuk është fqinjësi e mirë dhe nuk na lejon të jemi të barabartë. Me këtë hap, që u detyruam ta bëjmë, shpresojmë që Serbia dhe Bosnja –Hercegovina të ndryshojnë sjelljen e tyre ndaj Kosovës”, tha Çelaj.
Zëvendësministri i jashtëm i Shqipërisë dhe njëherazi kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Gent Cakaj, kujtoi në këtë kontekst qëndrimin bllokues të Serbisë në marrëveshjen për tarifat roaming të celularëve, që është një nga pikat kryesore të agjendës digjitale të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Sipas Cakajt, Serbia jep shkaqe teknike, por në fakt bllokada është vendim politik, për të penguar kështu pjesëmarrjen e Kosovës në këtë marrëveshje. Gent Cakaj, vetë 28 vjeçar, që ka kaluar një pjesë të jetës në Kosovë, tha se qytetarët e Kosovës e kanë më të lehtë të shkojnë në New York se në Sarajevë, për shkak të regjimit të vizave kundër tyre. Cakaj, si përfaqësues i Shqipërisë, nuk donte të komentonte vendimin e qeverisë së Kosovës, por kërkoi më shumë sinqeritet në komunikim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në pritje të zgjedhjeve për Parlamentin Europian
Siç mëson DW nga qarqet politike dhe diplomatike nga Berlini, çështja e liberalizimit të vizave, sikurse edhe ajo e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit, është e vështirë t’i ofrohet elektoratit, së paku deri në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në maj të vitit 2019.
Kjo është data që po presin të gjitha vendet për të vazhduar edhe zyrtarisht procesin e integrimit në BE. Objektivat ndryshojnë nga vendi në vend: Shqipëria dhe Maqedonia duan të çelin negociatat, Kosova të shijojë heqjen e vizave, Mali i Zi dhe Serbia të hapin kapitujt e rinj, Bosnja-Hercegovina të fitojë statusin e kandidatit.
Por a mund të garantojë Komisioni Europian që kjo agjendë do të mbetet e tillë? Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë e drejtorisë së Komisionit të BE-së për politikat ndaj vendeve fqinje dhe për negociatat e zgjerimit, është e qetë dhe optimiste, se politika nuk ka për të ndryshuar: Tekefundit, agjenda europiane ka mbijetuar tre legjislatura, tre komisione, kujton ajo. Calvera thotë se do t’i duhet sërish ta bindë shefin e saj të ri për domosdoshmërinë e kësaj agjende
Instituti Aspen organizon çdo vit një konferencë me përfaqësues nga rajoni i Ballkanit, Gjermania dhe BE-ja në Berlin për të diskutuar në atmosferë të qetë për çështjet aktuale politike. Konferenca zakonisht është me dyer të mbyllura, ndërsa tradicionalisht njëri prej paneleve hapet edhe për publikun e gjerë./DW
a.ç