Nga Ilva Tare/
Rezultati i 21 Qershorit, si përherë ka nisur të analizohet nga kënvdështrime të ndryshme. Secili prej aktorëve në garë ka vënë në punë teorinë e spin-it apo spërdredhjes për të lexuar fitore edhe përpara hartës së frikshme ngjyrë lejla, që thyhet vetëm në Veri me një blu modeste. Të gjithë kanë të drejtë të shohin urë në vend të humnerës, por kjo zgjedhje nuk zgjat shumë dhe herët a vonë kur të mbërrijë 2017-ta do të duhet të përballen me pasojat e shkërmoqjes nga rënia e lirë.
Partia më e madhe në opozitë, Partia Demokratike një vlerë e rëndësishme në demokracinë shqiptare ka vetëm një mënyrë për t’u kthyer në jetë si një alternativë e besueshme dhe e demosmodshme për të cilën ka kaq shumë nevojë vendi, përballë një maxhorance pothuajse të rrezikshme nga pikëpamja numerike. Demokratët duhet të përballen me rezultatin ashtu sic është, pa shpresuar që grimcat e fitores të kthehen në alibi për të justifikuar humbjen.
Rezultati për opozitën ishte një humbje e qartë. Mori vetëm 15 bashki ndërsa maxhoranca plot 45. Humbi me votën për këshillat bashkiakë. Rreth 1 milion e majta dhe 500 mijë e djathta. Humbi me votën për kandidatë, rreth 830 mijë e majta dhe 660 mijë e djathta. Humbi në të dyja fletët e votimit që shqiptarët zgjodhën për të votëbesuar.
I kuptoj mbështetësit ndër radhët e humbësve që kapen pas fijes së flokut për të kërkuar fitore edhe në këtë humbje dhe në fakt disa elemente duhen vlerësuar. Partia Demokratike është përballë alternativës për të reflektuar mbi cfarë iu refuzua dhe cfarë iu votua nga shqiptarët. Madje, PD duhet të analizojë edhe disa fitore të vogla në këto zgjedhje dhe ti shndërrojë në modele për zgjedhjet e ardhshme.
Fushata me tone positive dhe thuajse e shkëputur nga tonet agresive të selisë blu e Halim Kosovës në Tiranë është shembulli se si një kandidat i djathtë mund të votohet më shumë se sa koalicioni, rreth 26 mijë vota më shumë. Fitorja në bastionet historike të së majtës, si Përmeti dhe Pogradeci, Mallakastra apo Selenica, nuk duhet parë si aksident, siç preferon maxhoranca e sotme. Sikundër mbajtja e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit duhet të analizohet për përzgjedhjen e kandidatëve që kur nuk emërohen nga qendra arrijnë të fitojnë zemrat e bazës.
Gabimi i lidershipit për ta trajtuar 21 Qershorin si referendum popullor kundër qeverisë dhe qeverisjes, duhet pranuar si i tillë, një orë e më pare. Opozita duhet të hapet seriozisht ndaj të rinjve dhe jo vetëm një grupi shokësh e shoqesh që u futën në strukturat drejtuese sa hap e mbyll sytë me lista që surprizuan edhe demokratët më fanatikë. PD duhet të hapet ndaj aleatëve të rinj, sepse në Shqipëri asnjë parti nuk ka fituar e vetme pa aleate, me përjashtim të kohërave që nuk kthehen më, të 1992-shit.
Partia më e madhe në opozitë dhe të zgjedhurit e rinj duhet të jenë gjithmonë në testin e performancës përpara elektoratit në mënyrë që të qarkullojnë elitat, për të mos I kthyer të zgjedhurit në të paprekshëm. Duhet forcë për ta përballuar humbjen dhe PD duhet të tregojë se e ka këtë cilësi.
Posaçërisht për Javanews.al









