Kallëzohet penalisht nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, drejtoresha e Zhvillimit Urbanistik dhe kryeinspektori i Mbrojtjes së Terriorit në këtë bashki.
Kryebashkiaku i zgjedhur nga Partia Demokratike, dhe dy zyrtarët e lartë të bashkisë, akuzohen për shpërdorim të detyrës në dhënien e lejeve për shtatë objekteve shumëkatëshe në dëm të territorit publik.
“Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet per veprën penale të shpërdorimit të detyrës”- njofton IKMT.
Sipas inspektoriatit, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.
Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.
“IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve”- perfundon njoftimi.
g.kosovari