Në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH 1 HD, juristi Idajet Beqiri ka komentuar zgjedhjen e Klodjan Brahos në krye të SPAK, duke e cilësuar si një vendim që do të sjellë vazhdimësi të punës së Altin Dumanit, por edhe ndryshime të dukshme në ritmin e institucionit.
Beqiri u shpreh se nga intervistat e kandidatëve ishte e qartë që Braho do të vijojë në të njëjtën linjë me paraardhësin e tij, por do të bëjë diferencën.
“Nga intervistat e ndjekur dje, pash që do ketë një vazhdimësi të punës së z. Altin Dumani. Ai do të jetë në të njëjtën linjë me atë, por do bëjë dhe diferencën,” tha juristi.
Ai solli në vëmendje angazhimin e Brahos për dosjet e vjetra që kanë mbetur pezull, duke theksuar se ato do të vihen në lëvizje me hapa më të shpejtë.
“Nga ato që ai deklaroi dje ne pamë që ai parashtroi që ato dosje të vjetra që nuk kanë ecur me ritme të mira do vihen në lëvizje dhe do ecin me hapa më të shpejta,” shtoi Beqiri.
Juristi veçoi angazhimin e Brahos për çështjet më të ndjeshme të drejtësisë shqiptare, duke përmendur dosjet e 21 Janarit dhe Gërdecit.
“Ai tha se disa çështje specifike si 21 Janari do ecet shumë shpejt dhe do i jepet drejtim. Do t’i jepet drejtim dosjes së Gërdecit dhe disa dosje të tjera që janë të rënda,” u shpreh Beqiri.
Duke analizuar mënyrën e prezantimit të Brahos, ai e pa si një sinjal për seriozitetin e institucionit, duke theksuar se “se nga mënyra sesi i parashtroi çështjet e shikonte si një defekt të strukturës që ka dhe që ky institucion do merret më seriozisht,” theksoi ai.
Në fund, Beqiri nënvizoi angazhimin e Brahos për të ndalur rrjedhjen e informacionit nga brenda SPAK.
“Ai tha se nuk do ketë më rrjedhje të informacionit dhe gazetar që të blejnë informacion dhe sikurse dhe të kuptoj z. Braho që goditjet do të jenë dhe brenda institucionit sepse informacionet rrjedhin dhe nga vetë prokurorët,” përfundoi juristi.

