Nga Andrea Danglli/
Çuditet opinioni ndërkombëtar se si humoristi Volodymyr Zelensky mundi të ulet në kolltukun presidencial të Ukrainës duke triumfuar më 73% të votave para një politikani race si Petro Poreshenko!
Kjo shënjon diçka të jashtëzakonshme për popujt perëndimorë të cilët shfaqen të befasuar dhe nxitojnë të bëjnë komente, analiza e studime mbi “fenomenin”.
Ata me të drejtë pyesin:
“-Si ka mundësi që një humorist të fitojë garën?
-A mund ta drejtojë shtetin një njeri i komedisë?
-Po sikur ta trajtojë me tallje postin e lartë që iu besua?”
Ndërkohë, ec e pyeti shqiptarët e shkretë që as rrudhen, as nxihen dhe as kafshojnë buzën nga kureshtja. Habia ndërkombëtare me humoristin ukrainas është normalitet alla-shqiptar.
E pse duhet të shqyejmë sytë nga çudia kur ne parlamentin tonë e kemi pasur skenën më të madhe të humorit dhe forcat politike akademitë më të sofistikuara të komedisë. Madje daljet e tyre publike janë shfaqjet më të mëdha argëtuese ku nuk nevojitet biletë, dekoder apo abonim për t’i ndjekur me dashamirësi. Ky shërbim “Stand–up comedy”ofrohet falas.
Sa shumë e shumë talente humori ka ulur ky vend në karrige politike dhe askush nuk është befasuar por thjesht… ka qeshur. Ata janë zgërdhirë me ne, ne jemi zgërdhirë me ata, ata na kanë zhvatur çdo ditë duke na tallur me lezet por edhe ne ama i kemi tallur lezetshëm duke i zhvatur një pesëdhjetshe njëherë në katër vjet.
Imunë ndaj dhimbjes, ne jemi gajasur me ta edhe kur na kanë grabitur, shkelur, mashtruar, tallur, përbaltur, pështyrë, përdhunuar apo vrarë.
Demek-demokracia jonë e çalë i pranon dhe duartroket të gjithë komikët e politikës pa përjashtim. Madje edhe ata që dolën në skenë pa sens humori, e kuptuan që nuk i ecte dhe u detyruan të ndryshojnë shpejt. Nëse nuk je pak karagjoz, nën gjykimin tonë konsiderohesh një lider i dështuar që s’ia ke haberin për të bërë për vete këtë popull i cili duket se është dënuar për të përsëritur historinë dhe gabimet e saj. Përsëritja e gabimeve, fatkeqësisht nuk konsiderohet më “mëmë e dijes” por “baba i papërgjegjshëm” që zhduket për t’i shpëtuar përgjegjësive.
Ndaj edhe nuk habitemi se pse ky vend ka ngelur sheshxhirim i preferuar nga të gjithë komedianët pa diplomë, ku paratë i fitojnë sido që ta prodhojnë filmin.
Lajmet e raportuara sot nga mediat e huaja gjithashtu për ne tingëllojnë si materiale humoristike për t’u pasur zili. E dhimbshme për t’u pranuar por kjo është e vërteta.
Kaq tani për tani, pasi edhe unë si gazetar duhet të raportoj për shfaqjen e radhës ku si gjithmonë pyes veten: -Duhet të qesh apo të qaj?