Është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, ish-futbollisti i Kombëtares dhe Partizanit, Kristaq Eksarko.
Gjatë karrierës së tij sportive, Eksarko ka shënuar suksese të rëndësishme, duke u shpallur dy herë kampion i Shqipërisë dhe fitues i një Kupe të Republikës me ekipin e kuq. Përveç kontributit në nivel klubesh, ai ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare me fanellën kuqezi.
“Një lajm shumë i trishtë për futbollin shqiptar në këtë fundvit. Ndarja nga jeta e Kristaq Eksarkos, ish-futbollist i Kombëtares dhe i Partizanit, është një humbje e madhe për komunitetin tonë.
Kristaq Eksarko ishte pjesë e një brezi që la gjurmë në historinë e futbollit shqiptar. Ai kontribuoi me profesionalizëm dhe përkushtim si me fanellën e Kombëtares, ashtu edhe me atë të Partizanit. Dy tituj kampion dhe një Kupë Republike të fituara, si edhe paraqitjet e tij në ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, mbeten dëshmi e vlerave që ai përfaqësoi në fushë.
Në këto momente të dhimbshme, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar”, shkruan Duka.











