Katër persona mbetën të vrarë në një sulm me armë ditën e djeshme në Agia Napa të Qipros. Sipas mediave qipriote një prej tre atentatorëve është shqiptar, i identifikuar si Aleks Burreli. Objektivi i sulmit ishte biznesmeni Pano Kalopsidiotis, ndërsa tragjikisht u vranë edhe një çift policësh edhe një turist. Por kush është ky biznesmen? Kalopsidiotis ka qenë prej kohësh nën shënjestrën e atentateve.
Në vitit 2014, të tjera të shtëna plagosën babanë e biznesmenit që humbi jetën në spital, por edhe në atë kohë, u hetua pista e atentatit ndaj Pano Kalopsidiotisit. Policia dyshon se biznesmeni mund të ketë qenë nën shënjestër nga biznesmenë të tjerë rivalë restortesh. Gjithashtu, mendohet se shqiptari dhe dy të tjerët në kërkim të jenë vrasës me pagesë.