Nga: Uvil ZAJMI
Përveç vendalinjve, janë të paktë ata që e dinë se përse një nga zonat më të njohura në qendër të kryeqytetit quhen pikërisht “Shallvare”. E konsideruar si një pikë orientimi, “Shallvaret” kanë ruajtur këtë emër pavarësisht sistemeve që kanë ndërruar. Cila është historia e Shallvareve, dhe pallateve që morën emrin e zonës?
Nga familjet e njohura që jetonin në këtë zonë, te fusha e sportit, arkitekti Strazimiri që i projektoi ato bashkë me pallatet “Agimi”; si ndryshoi Tirana prej fillimit të arkitekturës moderne të viteve ’30 në atë rus vetëm nga ndikimi i Bashkimit Sovjetik? Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Orhan Sakiqi, inxhinier ndërtimi, që ka banuar në shtëpinë e Këlliçve, në qendër të Shallvares, kujton ndërtimin e tyre, ballkonin-tribunë të shtëpisë ku vinte për të ndjekur aktivitetet festive e sportive Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha.
Z. Sakiqi nga vjen ky emër, “Shallvaret”?
Janë dy mundësi: E para, emri mund të jetë marrë nga Miltiadh Shallvari, një pasanik tokash. Së dyti, Shallvare në turqisht, sipas prof. Demir Alizoti, do të thotë brekushe. Kjo edhe nga thënia e historianit Agim Bardhi, sipas të cilit fusha ka shërbyer si shesh lojërash për garnizonin turk, i cili ndodhej fare afër, përballë Bankës së Shtetit. Më pas, në vitin 1916, sheshi është përdorur si pistë avionësh për ushtrinë austriake.
Fusha mori vlera sportive pas themelimit të KS Tirana në vitin 1920 nga drejtimi i Selman Stërmasit, pasi ajo ishte tokë ranore e nuk mbante ujë. Nga 1925 u bënë disa dhoma zhveshjeje, më pas në vitet ’30 pista e atletikës dhe një tribunë e vogël prej dërrase, e cila u prish gjatë luftës.
Çfarë arkitekture kishte Tirana e viteve ’30?
Rreth viteve ’30, Tirana karakterizohet me fillimet e modernizmit neoklasik dhe të fashizmit. Në atë periudhë u ndërtuan shumë vila private të prirura nga stili i fillimit të modernizmit në arkitekturë. Të tilla janë vilat Negvatal, ku ka banuar Petrit Dume, vila Evangjeli (sot ambasada turke), vila Libohova Erebara, etj. Projektues si Qemal Butka, Skënder Luarasi, Anton Lufi, Kristo Sotiri, kishin studiuar në Perëndim dhe sollën më të mirën e kohës në arkitekturë.
Në periudhën 1939-40 italianët ndërtuan në sheshin “Skënderbej” kompleksin e ministrive, Bankën, Bashkinë, Bulevardin, Kryeministrinë, Stadiumin, Akademinë e Arteve, Maternitetin, si dhe Pallatet e Aviacionit, Moskatet e Pallatet e Bardha, që shërbenin për nëpunës italianë që banonin në Tiranë. Janë ndërtime që i janë përshtatur terrenit dhe u kanë rezistuar ndryshimeve në kohë. Me përfundimin e luftës dhe miqësisë që e lidhi Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik, ndryshoi edhe struktura e ndërtimit dhe e formave. Pas viteve ’50 u kalua menjëherë në ndërtime të stilit klasik rus, madje shumë prej vilave u prishën.
Në këtë dekadë ndërtimet u mbështetën mbi huazime, imitime tipike të nxitura nga ideologjia e kohës, nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik. Ndërtimi i pallateve të Shallvareve, si dhe mjaft të tjera, u referohen dhjetëvjeçarit ’50-’60, deri kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u ndërprenë. Apartamente të larta, që dallohen për stilin barak, fasada të rënda, dritare të vogla, pa ose me ballkone false. Bashkë me bllokun e Shallvares, pallatet “Agimi”, ishin edhe Pallatet e Oficerëve në Rrugën e Durrësit.
Si e kujtoni Shallvaren e atyre viteve?
Rrugicat e Shallvares ishin të shtruara me kalldrëm me gurë lumi, me mure rrethues të ulëta, ku pas tyre dalloheshin zambakët e bardhë e mëllagat shumë ngjyrëshe, me shtëpi me dyer pa çelësa. Nga veriu ka qenë shtëpia e Ali Topit, që me ndërtimin e ndërtesave pranë Bankës u prish; një godinë ku ishte klubi i Partizanit, afër shtëpisë së Topit, ishte shtëpia trekatëshe e familjes Shijaku, që më parë ka shërbyer edhe si shkollë. Ngjitur me të ka qenë shtypshkronja “Gutenberg”, e para e tillë në Tiranë, pronë e familjes Ndroqi.
Aty pranë kanë banuar inxhinieri i Bashkisë, Spiro Vinjau, dhe familjet e hershme tiranase Dashi. Haxhi Hafiz Mahmud Dashi ka qenë imami i parë i xhamisë së re, ndërtuar në Rrugën e Kavajës me kontributin e banorëve të zonës në truallin e dhuruar nga bamirësi Dine Hoxha. Më tej, shtypshkronja e Qazim Kasharit, që shërbeu më vonë për shtypjen e bonove të thesarit. Përkundrejt shtypshkronjës ishte shtëpia, materniteti, klinika e dr. Bashos, që më vonë ka shërbyer si “Shtëpia me Gjethe”. Në Shallvare ka banuar historiani Osman Myderizi, ngjitur me të banonte sopranoja Tefta Tashko.
Foto e fushes se Shallvareve ku filloi ndertimi. Ne sfond Pallatet e bardha te ndertuara nga italianet.
Foto e fushes se Shallvareve ku filloi ndertimi. Ne sfond Pallatet e bardha te ndertuara nga italianet.
Më kujtohet edhe sot vdekja dhe varrimi i saj nëpërmjet fushës së Shallvares për të kaluar më pas te Bami. Aty ka qenë dhe është shtëpia e tregtarit Hamdi Dizdari, sot e dr. Kapshticës. Në atë zonë, pra te Shallvarja, kanë jetuar familja e prof. Mehmet Vokshit, Hoxhollit, Çulit, Zavalanit, agronomit Ali Ypi, Kusi, familja e mjeshtri të tenisit Sali Nallbanit, familjet Daja, Alliu, Lazri, Gjoçaj, familja e muzikantëve Lela, etj. Nga ato ndërtime sot ka mbetur vetëm shtëpia e Ndroqit.
Shtëpia juaj ka qenë pikërisht aty?
Vetë kam lindur te “Materniteti i dr. Bashos”, mjek i Zogut, i diplomuar në Austri, që e kishte atë ndërtesë edhe klinikë mjekësore. Shumë afër me të ishte shtëpia jonë dykatëshe e ndërtuar nga Masar Këlliçi, gjyshi im, deputet i Parlamentit të parë shqiptar që ndodhej në mesin e fushës së sportit, jo më shumë se 50 m larg saj.
Duke qenë se ajo nuk kishte tribunë qendrore për autoritetet, si e tillë, për disa kohë ka shërbyer ballkoni i shtëpisë sonë. Në këtë tribunë ka qëndruar Ahmet Zogu për të parë manifestimin me kuaj të kryer nga kozakët. Fusha ka shërbyer edhe për manifestime ushtarake. Ajo ishte edhe një qendër dëfrimi për rininë tiranase ku mblidheshin për lojërat popullore, festa fetare, si dhe studentët që vinin nga jashtë për pushimet verore. Mbas 1944 në tribunën tonë vinte edhe komandanti.
Për cilin komandant e keni fjalën?
Duke qenë si e vetmja shtëpi afër fushës me ballkon në katin e dytë që shërbente si tribunë, për të parë ndeshje apo manifestime, aty ka ardhur edhe Enver Hoxha, ashtu si edhe Zogu e ka shfrytëzuar atë ballkon për të ndjekur aktivitetet sportive të kohës. Kur vinte Enver Hoxha, Edhe familjarët dilnim disa orë përpara, pasi shtëpia kontrollohej. Ndërsa kur vinte Zogu, jo. Në shtëpinë tonë, siç ju thashë, banonim së bashku me dajën tim, Reshat Këlliçi, Bedihanë gruan, e tre djemtë e tij, dr. Adnanin, Masarin e Zamirin.
Aty kanë kaluar adoleshencën edhe Luan e Skifter Këlliçi, të afërmit tonë. Ndër më frekuentusit e saj ka qenë Sejfulla Malëshova kur ishte ministër, por edhe më vonë kur e shpallën “oportunist”. Madje, në këto vite kur ai vinte te Reshati, daja im, që e kishte shok të ngushtë, shtëpia jonë rrethohej. Deri në vitin 1964, kur ajo u prish dhe u ndërtua shkolla “20-Vjetori”.
Si filloi ndërtimi pallateve?
Duke qenë se Tirana nuk kishte ndërtime të mjaftueshme, dhe pas prishjes me Jugosllavinë kërkoheshin ndërtime masive, me idenë që të jenë pranë Komitetit Qendror, rreth Bllokut, pra, të një elite qeveritare që po krijohej. Për të ndërtuar bllokun e madh me pallate, u shfrytëzua zona e Shallvares si e lirë që ishte dhe në qendër të Tiranës. Pamja kryesore e Shallvareve ishte e zgjedhur mirë, nga lindja, pasi përballë saj ishte vetëm lulishte “Rinia”, e cila brenda një nate u mboll me pemë nga studentët e Institutit Bujqësor.
Shtëpia jonë nuk u prek, pasi ndërtimi përfshinte zonën para saj. Arkitekti ishte Gani Strazimiri, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. U aplikua stili klasik rus, pasi ashtu ndërtohej në ato vite në republikat sovjetike e për pasojë edhe në Shqipëri. Punohej kryesisht me mjete primitive, me skelete dërrase, me tulla, apartamente të vogla, po kështu ballkonet, ndërtesa të mbuluara me çati që më vonë u hoqën duke mos e ruajtur stilin e vjetër. Gati tre vjet, 1951-1953, vazhdoi ndërtimi i plotë i pallateve në Shallvare. Pastaj u vijua me pallatet “Agimi”, matanë Lanës, edhe këto të stilit total sovjetik, madje projekte të ngjashme me ato që ndodhen në Moskë.
Kujtoj inxhinierët ndërtues, si Koço Tomçe, Ballkize Nallbani, etj. Unë isha nxënës në Teknikumin e Ndërtimit dhe i ndiqja nga afër punimet edhe për të mësuar nga ky profesion. Zbatues ishte ndërmarrja e ndërtimit “21 Dhjetori”. Kur përfunduan, ato ishin ndërtesat më të larta në Tiranë. Fillimisht u ndërtua blloku i parë në formë “L”-je, pastaj i dyti, ai me hark përgjatë Lanës dhe i treti, ai në formë “U”-je, në qendër. Kati parë, me përjashtim të pjesës qendrore, ishte pa dyqane pasi kishte bodrume, të cilat fillimisht u përdorën dhe u shfrytëzuan si magazina, pastaj si banesa për familje të persekutuara, të varfra, të cilat i jepte kryesia e lagjes.
Më vonë u ndërtuan edhe tri rrugët kryesore që e rrethonin bllokun e Shallvareve: Rruga “4 Shkurti”, ajo paralel me Tajvanin (sot “Rugova”), ajo “Zhan D’Ark” përgjatë Lanës (sot “Fishta”) dhe rruga “Myslym Shyri”, që u hap në vitin 1964 pasi u prish Parku Sportiv Rinor. Fushat e Tenist Nallbanit u zhvendosën atje ku janë sot, në krah të Pallateve të Bardha, dhe unë kam qenë arkitekti i projektit të sistemimit të tyre. Donin t’i bënin fusha basketbolli, por ngulën këmbë Bilbil Klosi e Isuf Alibali, pasi ishin admirues dhe praktikues të tenisit.
Po pallatet “Agimi” kur u ngritën dhe pse u quajtën kështu?
Janë vite ku rritet në mënyrë progresive e të shpejtë numri i popullsisë së Tiranës dhe pikërisht në atë periudhë kërkesa për ndërtimin e pallateve, shtimin i apartamenteve, ishte imediate. Duke shfrytëzuar sërish terrenin e lirë, sapo përfundoi objekti i pallatit të Shallvareve, në vitet 1953- 55 u punua për ndërtimin e atyre “Agimi”, paralel në krahun tjetër përgjatë Lanës, që ishin si një vazhdimësi e pallateve të Shallvareve, pasi edhe për to u aplikua e njëjta strukturë arkitektonike.
Me pamje krejtësisht veriore, ai bllok ndërtimesh ishte pranë Bllokut të udhëheqjes. Morën emrin “Agimi” si simbolin që përfaqëson kjo fjalë. Ndryshe nga Shallvaret, si krah pune u përdorën rreth 500-600 të burgosur që kanë punuar për ndërtimin e pallateve “Agimi”. Madje, gjatë punës pati edhe një tentativë arratisjeje, u rrethua e gjithë lagjja, deri sa e kapën të larguarin./panorama/b.d