Banorët e Hamburgut në Gjermani kanë votuar kundër organizimit të Lojërave Olimpike të vitit 2024. Hamburgu ishte një nga pesë vendet kandidate për organizimin e tyre, bashkë me Romën, Parisin, Budapestin dhe Los Angelesin, por 51.7% e banorëve të tij votuan kundër në referendumin e së dielës.
Kryebashkiaku i Hamburgut, Olaf Scholz, tha: “Nuk e donim këtë vendim të qytetarëve, por nuk kemi çfarë të bëjmë”.
Në Gjermani nuk organizohet një Olimpiadë që nga viti 1972, kur u organizua në Mynih. Dy vite më parë, ishin pikërisht banorët e Mynihut ata që votuan kundër Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022.
Qyteti organizator i Lojërave Olimpike 2024 do të zgjidhet në shtator të vitit 2017.