Organizata islamiste palestineze, Hamas, e cila kontrollon Rripin e Gazës, ka njoftuar të mërkurën se ka kapur një delfin të pajisur me kamera dhe material spiunazhi, kanë njoftuar në faqet e tyre të internetit gazetat “Jerusalem Post” dhe “Yediot Arahonot”.
Sipas Hamasit, delfini spiunonte për llogari të Izraelit. Janë lëvizjet e delfinit ato që kanë ngjallur dyshime te një komando detare e Hamasit. Pajisja është zbuluar pasi kafsha është nxjerrë nga uji. Sipas një mediumi palestinez, delfini, përveç kamerave, mbante një armë e cila mund të gjuante shigjeta. Kjo nuk është hera e parë që delfinët trajnohen dhe përdoren për qëllime ushtarake. Më 2013, tre delfinë të ushtrisë ukrainase, të trajnuar për luftë dhe për zbulimin e minave, ishin kapur pasi ishin larguar nga “baza” e tyre.









