Nga Lorenc Vangjeli
Ka një emër që vjen nga e shkuara që i bën bashkë në të sotmen të tre, Berishën, Metën e Bashën. Ai është Sokol Olldashi. Bestytnia që pranon se mallkimi i të vdekurit shuhet vetëm kur i kërkohet falje në varr, mund të marrë shpjegim edhe nëse vetëm vijëzohet rrugëtimi i çuditshëm i vetë Lulzim Bashës në politikë.
Si ministër i transporteve, ai do të kujtohet për autorësinë e procedurës së gabuar për një nga aktet më madhorë të qeverisjeve shqiptare – ndërtimin e Rrugës së Kombit – dhe për shmangien e llogaridhënies me metoda ngjale, frazeologji patriotike dhe thelb të boshatisur nga përmbajtja.
Si ministër i jashtëm, Basha firmosi me emrin e tij marrëveshjen e turpshme të detit me fqinjin jugor. Atij muk do t’i harrohet “flirti” prej adoleshenti me Dorën greke që bashkëfirmosi me të dhe shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes.
Si ministër i brendshëm, Basha ishte qyta e automatikëve që pushkatuan pa gjyq protestuesit e opozitës dhe nuk do t’i përmendet vazhdimish si u struk nën sqetullën e shefit të tij, në momentet kur nuk kuptohej qartë nëse veprimet e Doktorit diktoheshin nga marrëzia e momentit tragjik apo etja për pushtet pakufi e kishte marrosur deri në pikën e moskthimit.
Si kryetar bashkie në Tiranë, njëlloj si dhëndri që merr gruan e ëndrrave të të tjerëve me shkuesi, tiranasi Basha, nga poltroni i një megapushteti që e deshi në gjumë, por nuk e meritoi kur zgjohej, nuk arriti dot kurrë të fitojë simpatinë e kryeqytetasve.
Si kryetar opozite, vetëm një hap larg zyrës së kryeministrit, ai u bë befas politikani më radikal i pluralizmit shqiptar. Ai e shndërroi gjithë opozitën në një kamikaze të verbër që u vetëhodh në erë në themelet e sistemit duke e tronditur legjitimitetin e vetë sistemit në mënyrë të paimagjinueshme më parë. Dogji mandatet e deputetëve dhe për herë të parë, e la të gjithë opozitën pa asnjë kontakt me pushtetin real.
Duke nxjerrë popullin opozitar në rrugë, duke e futur atë në një spirale protestash të dhunshme, ai thjesht lartoi veten si stonues i melodisë së himnit kombëtar dhe subjekt i pazëvendësueshëm për memet politike dhe uli në minimum shpresat për rotacion.
Suksesi i padiskutushëm i Bashës është tjetër kund. Edhe miqtë e dikurshëm që tani i shmangen, edhe kritikët e vazhdueshëm të tij, dakortësojnë kur vlerësojnë se njeriu me një milion dollarë në xhep kur erdhi në politikë, me të gjitha gjasat tani që është përzënë nga politika, është një pasanik që nuk mund të tregojë burimin e dhjetra milionëve të tjerë të cilat, edhe miqtë, edhe kritikët ja numërojnë në xhepat me tulipanë.
Në një vend normal, për një politikan normal dhe në një kohë normale, secili segment i këtij rrugëtimi që vetëm kur shihet kështu i plotë i kuptohet absurditeti fatal që e shoqëronte, do të mjaftonte që Lulzim Basha të ishte bërë ish prej kohësh. Por kjo është vetëm ajo që duket. Dhe dukja në Tiranë nuk i ndahet vesit të vjetër që të jetë krejt ndryshe nga sa shfaqet. Në secilin rast dhe rast pas rasti, Basha betohej dikur në gënjeshtër ditën si njëshi i PD-së, për t’u ankuar netëve që ishte vetëm dyshi i saj. Kur e pranoi statusin prej pengu të Doktorit deri sa e përfundoi duke e mbajtur peng vetë Doktorin në mandatin e dytë. Se ai ishte totalisht ndryshe nga modeli Berisha në politikë, por e detyronte ai të ndiqte modelin bolshevik të drejtimit qoftë në qeverisje, qoftë në politikë në përgjithësi.
Bir për shpirt në formë dhe ujë shpesh i turbullt në thelb, i aftë që të merrte gjithmonë formën e enës ku e hidhnin, në të vërtetë Basha është politikan fatkeq dhe i pafajshëm. Ai është rimishërimi i më të ligës që pluralizmi grotesk shqiptar shpiku në dhjetra trajta e emra të përveçëm përpara tij. Anadollak me kostum alla franga, autokrat arrogant në ngastrën e pushtetit që i jepej të lëronte edhe kur lëvdonte demokracinë, më shumë agjent tatimor se politikan, ai është zhgënjimi monumental i shpresës se të rinjtë në politikë do të mund të ishin ndryshe nga paraardhësit e tyre, që njëlloj si ai, kanë një urrejtje patologjike për të vërtetat e thjeshta dhe një patologji të pandryshueshme dashurie për pasurimin nëpëmjet politikës.
Ndryshe nga Rama, Berisha e Meta, Bashën mund ta marrësh inat, mund ta ironizosh madje edhe ta përbuzësh, por ai as mund të urrehet dhe as mund të duhet. Ai mbeti një bimë OMGJ pa shije dhe pa aromë, por vetëm formë dhe ngjyrë në politikë. Ishte monoton si dok gri kinez dhe një mur prej gome me ambicje të mëdha me mundësi modeste intelektuale.
Manipulues i jashtëzakonshëm në raporte personale, i aftë t’i thoshte secilit atë që tjetri do të donte të dëgjonte, hipotekë e pafundme premtimesh asnjëherë të mbajtura, ai pati raporte kontraverse me të tre pushtetet e parashikuara në Kushtetutë. Përballë ekzekutivit ai ishte mundësia e dështuar, në raport me parlamentin, u bë atentator i thelbit moral të tij, ndërsa me drejtësinë, ishte gjithmonë klienti i munguar në apelin e saj.
Basha nuk ishte ndryshe as në raport me pushtetin mediatik. Sjellja e tij me median ishte një tërësi aktesh, të gjitha të denja për manualin klasik të manipulimit. Si askush tjetër para tij që rëndom akuzohen për përdorim shkopi e karrote ndaj medias, ai përdori në mënyrë kriminale një pjesë të konsiderueshme të elitës së saj duke e vënë në pararojë të betejës së tij publike. I vuri përpara vetes dhe bënte sikur ndiqte nga pas idetë e tyre për nevojën e përmbysjes deri dhe me armë të Edi Ramës, bënte sikur ju bindej atyre se qeverisja ishte një regjim që nuk mund të mundej me votë, por se duhej dërmuar me mosbindje civile dhe revolucion.
Ai i përdori të gjithë ato zëra autoritarë si alibinë e tij për radikalizimin deri në kufinjtë e destabilitetit të vendit dhe veten e vendosi si autorin e një akti që po ja diktonte opinion publik. Shumica dërmuese e këtyre emrave që sot po e trajtojnë si fatkeq të prekur nga Corona Virusi që i duhet ndenjur larg në distancë higjenike, në asnjë rast, nuk ka kërkuar ndjesë publike qoftë për thirrjet për të rrëmbyer kallashnikovët, qoftë për ngutin për t’u vetëdjegur përpara qendrave të votimit dhe qoftë për ngenë me të cilën vranë çdo alternativë për rikthimin e opozitës në pushtet.
E pavarësisht të gjithave, edhe pse çdo merhum e gjen vetë udhën për të humbur, edhe mbas shpërthimit të skandalit për financime të mundshme ruse në favor të tij, Lulzim Basha është pa faj. Ai është thjesht një keqkuptim fatkeq, është një çudi që nuk zgjati as tre mandate në politikë. Duke nisur me të shkuarën, në kohën kur ylli i tij ngjitej lart dhe për kufi dukej se do të kishte vetëm tavanin e zyrës së kryeministrit, ai u përcoll si shpresë për të rrëzuar poshtë Berishën dhe Metën nga njëra anë dhe Ramën nga ana tjetër. Me të tre musketierët e Tiranës ai pati raporte të ndryshueshme me një variabël miqësish dhe armiqësish që zgjasnin me stinë.
I pari, Berisha e pati zgjidhje dhe zgjedhje personale, i dyti, Meta ishte përkrahësi i tij përkundër Berishës dhe Ramës dhe i treti, Rama, ishte steka e gjatë e bilardos që e godiste drejt secilës vrimë që zgjidhte vetë. Të tre këta, jo për meritë të forcës së tyre, por për shkak të dobësisë proverbiale të Bashës, sot po shohin se si po përcillet mikarmiku i tyre, në adresën më të ligë të mundshme për një politikan.
Në këtë zbrazëti figurash që popullojnë Tiranën politike, është edhe një personazh tjetër, që mungon në apel dhe që e lidh Bashën me dy krerët e sotëm të opozitës. Ai quhet Sokol Olldashi.
Berisha sepse nuk i dha garën e premtuar me Bashën.
Meta sepse u bë hambari i votave në ndeshjen për kryetar PD-je. Bashën vetë sepse i morri çfarë i përkiste. Shfaqet edhe Rama në sfond sepse llogoret e përkundërta politike, i kishin kryqëzuar në ditë të ligë fatet e tyre.
Ndaj sot, tetë vjet më pas, më shumë se një çudi e fatit, fatet e trazuara të Berishës, Metës dhe Bashës, duket sikur i bashkon një mallkim. Një mallkim që jua ka bërë të treve nga lart Sokol Olldashi i ndjerë, i ikur plot pezm dhe brengë nga kjo botë. Dhe me gjasë, forca e atij mallkimi, ende nuk ka sosur. E ndoshta do të vazhdojë sipas bestytnisë, deri sa secili prej tyre, t’i kërkojë ndjesë mbi varr të vdekurit, që Iku atëherë kur duhet të qëndronte.
Një portretizim i shkëlqyer i një njeriu bosh nga brënda, e mbi të gjitha pa parime e pa moral!
Një njeri karrjerist i tërbuar, që hyri në Politikë në sajë të aftësive “Rri drejt e fol shtrëmbët”, të gënjeshtrimit pa skrupull, të shitjes të idealeve të aktivistëve të luftës së shënjtë të UÇK, vetëm për t’ju servilur atyre ndëkombëtarëve, që punonin në favor të Poltikës Serbe, etj!
Njeri me një ambicje të madhe për karjerë, e mani për t’u kapadisur e për tu pasuruar pa kriter, që donte të arrinte deri në majë të Pushtetit në sajë vetëm të intrigës, strekëndëshit, të mashtrimit e tradhëtisë!
Njeri i gatshëm për të shitur e për të shkelur me këmbë këdo, vetëm për të arritur në majë, e për tu kapardisur si “Burr Shteti”!
Mallkimi i S. Olldashit është i merituar, dhe e ndjektë këtë njeri dhe dy “mostrat” e Politikës Shqiptare të këtyre 30 viteve të fundit, deri sa ata të marin ndëshkimin e merituar!