Qindra supermarkete në Francë janë goditur nga një sulm kibernetik që shkaktoi rritjen e temperaturave në frigoriferë dhe ngrirës, duke dëmtuar sasi të mëdha ushqimesh të freskëta dhe të ngrira. Humbjet ekonomike vlerësohet se mund të arrijnë në miliona euro, ndërsa autoritetet franceze kanë nisur hetimet për incidentin.
Sipas raportimeve, hakerat morën kontrollin e programeve kompjuterike që menaxhojnë temperaturën e pajisjeve frigoriferike, duke i ngrohur disa prej tyre deri në 50 gradë Celsius për disa orë gjatë natës, përcjell A2 CNN.
Sulmi preku disa prej rrjeteve më të mëdha të tregtisë ushqimore në vend, përfshirë Coopérative U, Intermarché, Netto, Carrefour, Monoprix dhe E.Leclerc. Programet e prekura ofrohen nga kompania daneze Danfoss dhe mundësojnë menaxhimin në distancë të pajisjeve frigoriferike.
Më shumë se 100 supermarkete të rrjetit Coopérative U, u vunë në shënjestër, ndërsa 180 pika shitjeje të Intermarché dhe markës Netto u prekën nga sulmi. Për të parandaluar përhapjen e problemit, rreth 100 dyqane të tjera u shkëputën urgjentisht nga interneti.
Carrefour raportoi se frigoriferët u komprometuan në 80 nga 6 mijë dyqanet e tij. Ndërkohë, Monoprix bëri të ditur se sulmi preku rreth 5% të më shumë se 400 pikave të shitjes. Ushqimet për të cilat nuk mund të garantohej siguria u hoqën nga tregu. Intermarché deklaroi se kishte asgjësuar të gjitha produktet ushqimore të prekura, për të shmangur rreziqet shëndetësore.
Kompania Danfoss tha se pajisjet e prekura ishin modele të vjetra, për të cilat nuk mund të përditësohej më programi i sigurisë. Sipas transmetuesit francez BFMTV, dy supermarkete në rajonin e Alsasës raportuan humbje prej 270 mijë eurosh.
Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim për krim kibernetik, duke e cilësuar ngjarjen si një sulm në shkallë të gjerë ndaj disa rrjeteve të mëdha të shitjes së ushqimeve në Francë.

