Nga Bajram Peçi
Greqia na kërcënon me Veto në integrimin europian
Arsyeja është Beleri, kandidati për kryetar bashkie në Himarë, i cili i fitoi ato me 16 vota më shumë se Goro i PS-së. U ndalua dy ditë para zgjedhjeve dhe ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit nën akuzën e krimit të blerjes së votave përmes korruptimit.
Greqia, edhe nëse Beleri dënohet, nuk ka hallin se njeriu i qarqeve ekstremiste nacionalite të Athinës do vuaj burg! Jo-jo, ai le të rrijë në qeli, por “…duhet lejuar të betohet si kryetar bashkie”! Athinës kaq i mjafton, sepse po kaq i duhet për të vënë trumpetat se Himara, qëndër e krahinës famëmadhe shqiptare të Labërisë, banohet në shumicë nga grekë!
Beleri u dënua vite më parë nga gjykatat shqiptare për “Nxitje të urrejtjes etnike” me tre vjet burg. Para kësaj emri i tij lakohej dëndur, madje dhe nga shtypi grek se kish qenë i dyshuar si pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë. I arratisur, për mëse 10 vjet i kaloi jashtë Shqipërisë, priti deri sa të përfundonte sipas ligjit shqiptar afati i dënimit, i sigurtë tashmë se nuk mund të dënohej më.
Athina, ashtu si Beleri, sheh Ramën, jo organet e drejtësisë, si njeriun që do dhe e mban në arrest, po ashtu dhe si njeriun, që kur të dojë, me një fërshëllimë, në mos e liron, e lë të betohet!? Nëse nuk e bën këtë ajo do përdorë veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga koha kur vëndi ynë u bë një kandidat potencial i mundshëm për t’u bërë pjesë e BE-së, Greqia e ka përdorur Veton diku afër një duzine. Veto është përdorur nga Greqia, as më shumë dhe as më pak se si armë! Kur asaj i është dashur të japë copëra “dhuratash greke”, krerët e Shqipërisë së nëpërkëmbur nga harbutëria janë shtrënguar të lejojnë një peshkop grek të vendoset (në kundërshtim me statusin) në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare. Përdhosën kështu kujtimin e Fan Nolit dhe një aradhe të shquar shqiptarësh ortodoksë, duke e shndërruar hierarkinë kishtare në një formacion nacionalist, ku ndërthurret jo pak helenizmi, politika diktuese e Athinës ndaj fqinjëve, trashëgimia dhe e ardhmja ortodokse greke. Si për t’jua provuar këtë do i sillja lexuesit një pyetje që u bëra në stendën e Shtëpisë Botuese të Kishës Ortodokse Autoqefale në panairin e librit: A keni ju këtu ndonjë botim nga Fan Noli, themeluesi i kësaj kishe? Heshtje, ngritje supesh. Nuk kish asnjë për be!
Jo më pak e vogël është dhe gafa politike e qorrave tanë që, të kërcënuar nga Veto për heqjen e vizave Shngen, lejuan të ngrihen varreza për ushtarët grekë të rënë në luftë me Italinë, thellë në tokat shqiptare, buzë Vjosës, të cilat përmes manifestimeve të përvitshme të “Oqi-t”, u përcillen qytetarëve grekë dhe shqiptare si kufi shtetesh.
Pse Greqia mban ende në fuqi gjendjen e luftës me Shqipërinë?
Nuk kish ndodhur ndonjëherë që Greqia prej 1912-së të ndjehej e kërcënuar nga mëvetësia e Shqipërisë! E pushtuar nga Italia fashiste, toka e saj u përdor si rrugë për nisjen e një agresioni kundër Greqisë. Më 10 nëntor 1940 Greqia shpall dekretin mbretëror nr. 2636, në të cilin përcaktohet gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë, duke i konsideruar palë sulmuese. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Greqia nuk mbajti gjëndje lufte me Italinë. Ajo u shua me greqinë, fill pas Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1946, por jo me Shqipërinë. Më 28 gusht 1987, qeveria greke na thuhet se ka vendosur për heqjen e ligjit të luftës, mirëpo pa e botuar në gazetën zyrtare, pra kemi të bëjmë me një Ligj Lufte të pa abroguar. Deri më sot, dekreti i gjendjes së luftës me Shqipërinë dhe ligji i sekuestros për pronat e shqiptarëve nuk janë shfuqizuar.
Një vendim i qeverisë greke ka qenë i pamjaftueshëm të shfuqizoj Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ishte thjesht një sjellje hipokrite. Ligji i luftës i vendoste të gjitha pronat e shqiptarëve në Greqi nën administrim dhe shfrytëzim nga shteti grek. Në këto pasuri, jo vetëm të shqiptarëve të krahinës çame, por të të gjithë shqiptarëve në hapësirën greke, parashikohen trojet, punishte e fabrika, toka bujqësore dhe llogaritë bankare. Por, në tërësinë e interesave të dukshme e të padukshme të Greqisë, për të mbajtur në fuqi këtë ligj, qëndrojnë edhe motive të tjera me natyrë racore dhe ultarnacionaliste të kohrave bizantine. Sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë që punojnë si emigrantë në Greqi, mund të konsiderohen kur të duan pa asnjë të drejtë, që mund të trajtohen si të ketë dëshirë shteti grek, siç ka ndodhur dhe jo rrallë vazhdon të ndodhi.
Sa sipër, nuk ja përton që këto ditë ta nxjerrë në pah gazeta italiane “ilriformista.it”, përmes së cilës shpjegon se një nga arsyet e bllokimit që Greqia i bën Shqipërisë, është edhe çështja e Çamërisë, pronat e shqiptarëve, genocidi i ushtruar, persekutimi dhe shpërngulja masive e shqiptarëve nga ushtria greke.
Me fqinjët, pse gjithnjë në armiqësi?
Me Turqinë, deri para një viti u shkulën nga ishin e nga s’ishin, krerët amerikanë, gjermanë, francezë, që të shmangnin një prag lufte mes dy shteteve anëtarë të NATO-s, Greqisë e Turqisë. Konfliktet mes tyre ndizen e shuhen periodikisht me egërsi e demonstrime muskuj armësh. Herë-herë zbuten, siç po ndodh tani, që ndërsa shkruaj këto radhë presidenti Erdogan ka mbërritur në Athinë.
Armiqësia mes tyre mori trajtat e papajtueshmërisë kur Greqia bindi veten se me rënjen e Perandorisë Otomane kish ardhur koha që territore të Perëndimit të Azisë së Vogël që banoheshin pandërprerje nga popullsi greke, të aneksoheshin e të bëheshin pjesë e mbretërisë së tyre. Lufta e filluar në vitin 1919 përfundoi në vitin 1922 me shkatërrimin total si të ushtrisë ashtu dhe të komunitetit të etnisë greke, çka pasoi humbjen përgjithmonë të këtyre territoreve, përzënjen ose shkëmbimin e tyre. Për të keqen tonë, kjo situatë u shfrytëzua nga qeveria greke të shpopullojë në masë popullsinë me kombësi shqiptare e besim mysliman nga Çamëria e t’i dërgojë në Turqi. Tokat e tyre ju dhanë grekëve të Azisë së Vogël.
Kohët e reja sollën mes tyre arsye të tjera, ku dallojnë ndarja e Qipros; kërkimet turke për naftë në hapësirën detare egjeane, që konsiderohen nga Greqia si shkelje të vijës kufitare; ishujt Samos, Kos, Kios e Lesbos janë përpos se pak milje larg bregut të Republikës Turke, të cilave Traktati i Lozanës u detyron çmilitarizimin, çka, sipas Turqisë, nuk respektohet.
Me Bullgarinë, legjendat homerike sjellin vargjet për luftën e Trojës, të cilën helenët e filluan për shkak të një gruaje. Në vitin 1925, jo një grua u bë shkak për të nisur një luftë, por një qen në pronësi greke! Kafsha e mjerë na paska kaluar kufirin dhe u vra nga rojet bullgare. Kaq u desh që të fillonte një luftë mes tyre dhe (për t’u ndaluar), u desh të ndërhynte Lidhja e Kombeve.
Armiqësia Greko-Bullgare vinte nga kohërat e Perandorisë Osmane. Grekët dhe bullgarët, ndonëse me fe të njëjtë, përbënin kombësi linguistike dhe kulturore të ndryshme. Greqia e kish fituar pavarësinë e saj në vitin 1832, ndërsa Bullgaria e arriti këtë vetëm në vitin 1908. Kontradiktat e pretendimet mes tyre çuan në Luftën e Dytë Ballkanike të vitit 1913, në të cilën Bullgaria doli humbëse. Më tej shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ku Bullgaria, në aleancë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, përsëri doli humbëse ndaj Greqisë dhe Serbisë. Greqia, duke qenë në anën e palës fituese e detyroi Bullgarinë të heqë dorë nga Traka Perëndimore, duke i dhënë fund pranisë së saj në Detin Egje.
Me Maqedoninë, pa e zgjatur shumë, Greqia, duke patur një provincë të saj me emrin Maqedoni, e pengoi atë në gjithçka, deri sa e detyroi të ndryshojë emrin.
Me Italinë, ndonëse i ndante një det, tensionet në shumë raste të shek. XX morën përmasa të skajshme. Fillimisht, prej shpërbërjes së Perandorisë Otomane, Italia nxitoi të pushtojë ishullin e Rodosit dhe një sërë ishujsh të tjerë egjeanë, ish territor i një Turqie në shëmbje, por që banoheshin kryesisht nga kombësi greke. Konfliktet u acaruan pasi shteti grek organizoi vrasjen e Enriko Telinit dhe ndihmësat e tij, të cilët ishin në detyrë nga Lidhja e Kombeve për përcaktimin e kufijve Shqipëri-Greqi. Pasoi pushtimi i Korfuzit dhe detyrimi i shtetit grek të dëmshpërblejë Italinë. Rreth dy dekada më pas vjen agresioni i Italisë fashiste për pushtimin e Greqisë, akt prej të cilit Greqia i mban inat jo Italisë, por Shqipërisë, shfaq një qendrim e frymë armiqësie të pakuptueshëm, ndonëse kanë kaluar 80 vjet.
Ska çështje çame për Greqinë, është gënjeshtra që diplomacia athinase përsërit pa rreshtur në takime mes palësh ose në demonstrimet e tyre nacionaliste në rrugë ose parlament. Është një shkak madhor pse mban gjëndje lufte me ne, ndërsa të dy shtetet janë anëtarë të një pakti dhe për më tepër kanë mes tyre një traktat miqësie.
Jetojmë në një shekull kur duhet që urrejtjet dhe fanatizmat t’i kenë ngelur shekullit të kaluar; kur dallimet fetare, sidomos në Shqipërinë e bashkëjetesës paqësore, nuk vihen re, por s’ngjet keshtu në Greqi; kur fanatizmat ultranacinaliste të Voroeprit dhe Himarës (që e duan patjetër Helene), u ngjajnë vajtimeve të mjera të politikave që Europa i ka kapëxyer me kohë! Edhe Goro, kandidati i PS (që nuk e duan), i përket komunitetit grek, por jo, duan Belerin, sepse ai është krijesë e përgatitur për një diversion të mëtejshëm në idenë e vdekur të Vorioepirt, kotjen në ëndrrat e trashëgimisë të Perandorisë Bizantine.
Sa herë kryeministri Rama u kujton se betimi i Belerit (ashtu si dhe gjykimi i tij) janë çështje të drejtësisë, po aq herë kryeministri dhe ministra të qeverisë greke reagojnë me nervozizëm, duke përdorur të njejtën armë: Veton!
“Jupiter, ti po nxehesh, domethënë ti nuk ke të drejtë” (Thënje e vjetër greke)