Greqia ka hedhur një hap tjetër në programin e madh të modernizimit të Forcave të saj të Armatosura.
Më 8 shtator, në kryeqytetin italian, Athina dhe Roma do të firmosin marrëveshjen që aktivizon blerjen nga Greqia të dy fregatave italiane FREMM të klasës “Bergamini”.
Në ceremoninë e nënshkrimit do të jenë të pranishëm ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, homologu i tij italian Guido Crosetto dhe drejtuesit e marinave të dy vendeve. Bëhet fjalë për dy anije që janë aktualisht në shërbim të Marinës italiane: Carlo Bergamini (F-590) dhe Virginio Fasan (F-591). E para pritet t’i kalojë Marinës greke gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2028, ndërsa e dyta gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2029, informon TCH.
Marrëveshja përcakton kushtet ligjore, ekonomike dhe teknike të blerjes, mbështetjen e anijeve pas marrjes në dorëzim, si dhe përfshirjen e kantierëve grekë në mirëmbajtjen dhe përshtatjen e sistemeve të reja. Parashikohet gjithashtu mundësia e blerjes së fregatave të tjera në të ardhmen. Ministria greke e Mbrojtjes nuk publikoi në njoftimin e saj të 26 gushtit shumën e marrëveshjes.
Specialistë të fushës vlerësojnë se vlera e dy anijeve në gjendjen e tyre aktuale arrin në rreth 467 milionë euro, shifër që për momentin nuk verifikohet zyrtarisht nga Ministria. Dy fregatat nuk janë të reja. Carlo Bergamini, anija e parë e programit italian FREMM, iu dorëzua Marinës italiane në vitin 2012 dhe është e konfigurimit “General Purpose”, ndërsa Virginio Fasan, e dorëzuar në dhjetor 2013, është e specializuar në luftën kundër nëndetëseve.
Të dyja kanë gjatësi rreth 144 metra, zhvendosje rreth 6.700 tonë, shpejtësi rreth 27 nyje dhe autonomi rreth 6.000 milje detare. Ato janë të pajisura, ndër të tjera, me raketa kundërajrore Aster 15/30, raketa kundër anijeve Teseo dhe silurë MU90. Blerja e FREMM-ve është pjesë e një transformimi shumë më të gjerë të Marinës greke.
Në janar të këtij viti në flotë u integrua “Kimon”, fregata e parë e re franceze FDI HN, e njohur edhe si Belharra. “Nearchos” dhe “Formion” janë dy njësitë e tjera që Naval Group ka planifikuar t’ia dorëzojë Greqisë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, në nëntor 2025 Athina firmosi edhe kontratën për fregatën e katërt FDI, “Themistocles”.
Kështu, në fund të programit aktual, Marina greke parashikohet të disponojë katër fregata të reja FDI dhe të paktën dy FREMM italiane, paralelisht me modernizimin e fregatave ekzistuese MEKO. Ministria e Mbrojtjes e konsideron këtë kombinim një nga shtyllat kryesore të rritjes së fuqisë detare të Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Programi i sotëm me Italinë është vazhdim i një cikli investimesh ushtarake që u përshpejtua veçanërisht pas vitit 2020.
2018 – F-16 Viper: Greqia nisi programin për modernizimin e pjesës më të madhe të flotës së saj F-16 në standardin Viper. Nuk bëhet fjalë për blerje avionësh të rinj, por për një nga programet më të mëdha të modernizimit të aviacionit grek, me një buxhet fillestar rreth 1,5 miliardë dollarë.
2021 – Rafale: Athina firmosi me Francën kontratën për 18 avionë luftarakë Rafale, 12 të përdorur dhe gjashtë të rinj. Një vit më vonë bleu edhe gjashtë Rafale të rinj, duke e çuar flotën në 24 avionë. Avioni i 24-t dhe i fundit mbërriti në Greqi më 9 janar 2025.
2021 – M-346: Marrëveshja greko-izraelite për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit Ajror në Kalamata përfshiu edhe 10 avionë të rinj stërvitorë M-346, simulatorë dhe modernizimin e sistemit të trajnimit të pilotëve grekë.
2022 – Fregatat franceze FDI/Belharra: Greqia firmosi kontratën për tre fregata FDI HN, me opsion për një të katërt. Paketa fillestare për tre anijet, armatimin dhe mbështetjen e tyre kishte një vlerë maksimale prej rreth 3,05 miliardë eurosh.
2024 – F-35: Greqia firmosi «Letter of Offer and Acceptance» me Shtetet e Bashkuara për 20 avionë F-35A të gjeneratës së pestë, me të drejtën për të porositur edhe 20 të tjerë. Dorëzimi i avionëve të parë parashikohet të nisë në vitin 2028. Autorizimi amerikan kishte vendosur një tavan maksimal prej 8,6 miliardë dollarësh për një paketë që mund të përfshinte deri në 40 avionë dhe pajisjet përkatëse.
2025 – Fregata e katërt FDI: Më 14 nëntor 2025 u firmos kontrata për ndërtimin e fregatës së katërt, “Themistocles”, duke e çuar në katër numrin e FDI-ve të porositura nga Greqia.
Dhjetë M-346 dhe lidhja ushtarake me Izraelin
Një kapitull më vete është bashkëpunimi me Izraelin. Në vitin 2021, Athina dhe Tel Avivi nënshkruan marrëveshjen për ngritjen e Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit Ajror në Kalamata.Programi, me vlerë rreth 1,65 miliardë dollarë dhe kohëzgjatje rreth 20 vjet, përfshin 10 avionë të rinj M-346, simulatorë, sisteme trajnimi dhe mbështetjen e flotës së avionëve stërvitorë. Dy M-346 e parë mbërritën në Kalamata në maj të vitit 2023.Ky projekt konsiderohet një nga marrëveshjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ushtarak mes Greqisë dhe Izraelit dhe synon përgatitjen e pilotëve për avionët e gjeneratës së re si Rafale dhe F-35.
Modernizimi përfshin edhe helikopterët. Marina greke ka blerë shtatë MH-60R Seahawk, të njohur si “Romeo”, të specializuar kryesisht në luftën kundër nëndetëseve dhe objektivave sipërfaqësore. Tre të parët mbërritën në Greqi në mars 2024 dhe sot Marina greke liston zyrtarisht shtatë MH-60R në përbërjen e saj. Ato do të veprojnë së bashku me helikopterët më të vjetër S-70B Aegean Hawk dhe do të bashkëpunojnë me fregatat e reja të flotës.
Edhe më i madh është programi i Ushtrisë greke për 35 UH-60M Black Hawk. Kontrata iu dha Sikorsky-Lockheed Martin në vitin 2024 dhe përfshin, përveç helikopterëve, trajnimin e personelit dhe mbështetjen fillestare. Autorizimi amerikan për paketën e plotë kishte një vlerë maksimale prej 1,95 miliardë dollarësh. Në gusht të vitit 2026 helikopterët ende nuk kanë mbërritur në Greqi. Pilotët dhe teknikët e parë grekë po trajnohen në SHBA dhe, sipas planifikimit aktual, dhjetë Black Hawk e parë pritet të mbërrijnë gjatë gjysmës së parë të vitit 2027.
Ndërkohë Ankaraja ndjek me vëmendje armatosjen greke që zhvillohet në një mjedis të ndjeshëm gjeopolitik në Egje dhe Mesdheun Lindor.Në një përgjigje zyrtare të Ministrisë turke të Mbrojtjes drejtuar Parlamentit dhe të datës 10 gusht 2026, Ankaraja deklaron se ndjek me vëmendje aktivitetet e bashkëpunimit ushtarak dhe programet e armatimit të Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Dokumenti, i bërë publik fillimisht nga Nordic Monitor, mban firmën e ministrit turk të Mbrojtjes, Yasar Güler. Ankaraja i kushton vëmendje të veçantë edhe afrimit ushtarak Greqi–Izrael, duke pranuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar në industrinë e mbrojtjes, stërvitje, manovra dhe teknologji. Ministria turke thotë se një bashkëpunim i tillë është i pranueshëm për sa kohë respekton të drejtën ndërkombëtare dhe nuk drejtohet kundër vendeve të treta, por thekson se e ndjek atë nga afër.
Dokumenti përmend edhe Qipron dhe deklaron se Turqia mbetet e vendosur të mbrojë, sipas formulimit të Ankarasë, sigurinë, të drejtat dhe interesat e saj dhe të Republikës Turke të Qipros Veriore, entitet i njohur vetëm nga Turqia.
Në pjesën më të fortë të përgjigjes, Ministria turke e Mbrojtjes thotë se kryen përgatitjet dhe merr masat e nevojshme për çdo zhvillim që mund të paraqitet në terren, duke përfshirë “kriza, tensione dhe luftë”. Megjithatë, dokumenti nuk thotë se një konflikt është i afërt dhe nuk identifikon Greqinë apo Izraelin si kundërshtarë konkretë në një skenar lufte.











