Granit Cana tregon për sëmundjen që e shoqëron prej 7 vitesh: Kam qarë si fëmijë dhe mendova më të keqen

Granit Cana, ish-pjesëmarrës i edicionit të parë të Big Brother VIP, ka ndarë detaje për periudhën më të vështirë që ka kaluar në jetën e tij.

Gjatë një interviste ekskluzive për emisionin ‘Shqipëria Live’, me moderatore Sidorela Gjonin, ai zbuloi se prej gati 7 vitesh përballet me një gjendje të rëndë shëndetësore.

Cana tha se simptomat i janë shfaqur edhe gjatë qëndrimit në Big Brother VIP, por në atë kohë zgjodhi të mos fliste për problemin. Sipas tij, kishte frikë se banorët dhe publiku do ta interpretonin rrëfimin si një përpjekje për t’u viktimizuar.

“Jam mirë, ka kohë që po përballem me një pjesë të kësaj gjendjeje, megjithëse nuk e di nëse mund ta quaj sëmundje. Kanë kaluar gati 7 vite që kur nisi, fillimisht në mënyrë sporadike. Më shfaqej një pamje e turbullt për rreth 5 minuta dhe më pas largohej, ndaj nuk e konsideroja diçka serioze. Kur hyra në Big Brother, banorët më thoshin: ‘Ua, të ikën sytë’. Dy ose tri herë u përpoqa të flisja për këtë, por ata mendonin se po e përdorja për lojë. Pas daljes nga Big Brother, nuk e dija nëse gjendja ishte ndikuar prej saj apo nga stresi i lojës.

Arrita në një pikë kur nuk mund të shqiptoja as 2-3 fjalë dhe e kisha të vështirë të përqendrohesha. Në fillim vunë re një lloj strabizmi te sytë dhe nisa kontrollet. Mjeku më tha se sytë ishin të shëndetshëm, por më rekomandoi një skaner, pasi dyshonte për tumor në sinus. Edhe skaneri rezultoi në rregull dhe ne nuk dinim më ku të drejtoheshim. Kryem edhe analiza gjaku, ndërsa u konsultova gjithashtu me neurologë”, tregoi Cana.

Ish-banori i Big Brother VIP rrëfeu se për një periudhë prej 2 vitesh ka kaluar edhe në depresion, gjatë së cilës ka pasur mendime për vetëvrasje.