Rikthimi i numrit dy të përjetshëm të socialistëve në post publik, ka ndezur debatin rreth të kaluarës së ish-ministrit të brendshëm të qeverisë së fundit të Partisë së Punës. Arsyet që e çuan të shkelë betimin 26-vjecarë, rrugëtimi politikë nga Tepelena, arbitrimi i betejës mes koministëve të vjetër dhe të rinj, dy dorëheqjet për të shpëtuar kryetarët dhe deri te ngjitja në kreun e Kuvendit si pritë e sulmeve të opozitës
Nga Luljeta Progni
Duhet të ketë një arsye të fortë, që e ka çuar Gramoz Ruçin të thyejë betimin e tij të 26 viteve më parë. Ata që e njohin, në raporte politike apo miqësore e dinë mirë se ai ka refuzuar të marrë poste drejtuese në qeverisjen socialiste, si në kohën e Fatos Nanos, ashtu edhe në qeverinë e parë të Edi Ramës. Kryetari duket e ka “bindur” që këtë shtator të ulet në karrigen e kryetarit të parlamentit për ta drejtuar për katër vite. Me shumë gjasë, Gramoz Ruçi do të ngjitet në atë poltron me të njëjtën përtesë, si miku i tij i kohëve të vjetra, Ilir Meta, kur ngjiti gati i dëshpëruar, shkallët e presidencës. Ishte Ruçi ai që ndikoi apo mori përsipër imponimin e rrugës së Ilir Metës drejt presidencës. Tani po duket kaq i imponuar të mbajë një post, i cili e ka vënë në shënjestër të kundështive nga të gjitha anët.
Është krejt normale nëse kthehemi në vitet e para të karrierës së tij politike. Ka qënë ministër i brendshëm në qeverinë e PPSH-së, pak javë pasi u shpall pluralizimi politik. Ka prej atyre që duan ta quajnë ministër i parë i Brendshëm në qeverisjen postkomuniste dhe le ta pranojmë si të tillë. Por, është fakt se Gramoz Ruçi, ishte Sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së për Tepelenën në dy vitet e fundit të diktaturës komuniste. Këtu merr argumentin indinjata e grupeve dhe individëve kundër emërimit të tij në krye të parlamentit.
Kur Gramoz Ruçi e ka pranuar detyrën e kryetarit të kuvendit, me siguri ka parashikuar se do të sulmohet shumë ashpër nga opozita por më së shumti nga të përndjekurit politik e më shumë akoma nga familjarët e viktimave të 2 prillit 1991. Është pikërisht ky moment i historisë së viteve të para të tranzicionit që e kishte çuar Gramoz Ruçin drejt vendimit për të mos marrë kurrë një detyrë të rëndësishme në drejtimin e shtetit, por për t’u angazhuar veçse në poste partiake në PS.
Ishte Ministër i Brendshëm pikërisht atëherë kur ndodhi ngjarja e 2 prillit, ku u vranë në Shkodër 4 të rinj, në protestat antikomuniste. Natyrisht që Gramoz Ruçi ishte i akuzuari i parë për atë krim të rëndë, që edhe pse formalisht u mbyll me një process gjyqësor, mbetet sot e kësaj dite i pazbardhur .
Pranvera e vitit 1991, ka qenë një stinë politike e ngarkuar me ngjarje të rëndësishme dhe zhvillime të vrullshme, fill pas dimrit që mbylli kapitullin e fundit të historisë prej pothuajse 5 dekadash të një prej sistemeve më te egra dikatoriale në Evropë.
Ishte shpallur pluralizmi politik dhe në një periudhë shumë të shkurtër u realizuan zgjedhjet e para pluraliste për kuvendin e ri, duke mos ju dhënë as kohë e as mundësi aletrantivave të tjera politike, përveç PPSH-së dhe organizatave të kontrolluara prej saj. Rrjedhimisht PPSH fitoi zgjedhjet e para pluraliste të zhvilluara më 31 mars dhe vendi u përfshi nga protestat masive në të gjithë Shqipërinë.
Në qeverinë e dalë nga ato zgjedhje ishte ministër edhe Gramoz Ruçi. Ai ishte nisur nga Tepelena drejt kryeqytetit vetëm disa javë më herët për t’u emëruar Ministër i Brendshëm(Sekretar i parë i PPSH-së për Tepelenën në vitin 1989).
Gjithçka përkoi me momentin kur udhëheqësi i fundit komunist po bënte përpjekjet e fundit për të reformuar PPSH-në për t’i rezistuar stuhive të rrëzimit të sistemit komunist në vendet e ish – Bashkimit Sovjetik.
Ministri i Brendshëm i 2 prillit
Gramoz Ruçi ishte 38 vjeç kur u zgjodh nga Ramiz Alia për të mbajtur një ndër detyrat më të rëndësishme, atë të Ministrit të Brendshëm. “Me thënë të drejtën në fillim hezitova për ftesën e Ramiz Alisë, por në fund mendova se këtë detyrë dikush do ta bënte, pra një shqiptar do të ishte ministër i Brendshëm në atë kohë të vështirë të vitit 1991. Kështu vendosa ta pranoj këtë detyrë. Ky fat i mirë apo i keq më ra mua”.
Fat i mirë apo i keq? Deri më sot, në Shqipëri ngjarjet politike nuk kanë qenë ndonjëherë në dorën e fatit. As në dorën e Zotit, e aq më pak në dorën e shqiptarëve.
Megjithëse akuzohet shpesh për ngjarjen e 2 prillit, ende nuk kanë dalë në dritë dokumente qe ta implikojnë Gramoz Ruçin si njeriu që ka lidhje me urdhrin e dhënë për të qëlluar mbi turmat e protestuesve më 2 prill. Kjo ngjarje nuk u zbardh kurrë ashtu si shumë ngjarje të tjera të tranzicionit dhe autorët e vrajses së katër të rinjve shkodranë nuk dihet se ku janë dhe me çfarë merren.
Kongresi i 10 i PPSH
Ruçi, thotë se nuk është se e njihte udhëheqjen komuniste, madje nuk ia dinte aspak tendencat, sepse vinte nga Tepelena, provinca e largët me kryeqytetin. Por në ato rrëmujë ngjarjesh të vitit 1991, “provinciali” Gramoz Ruçi do të merrte pozicione strategjike për të menaxhuar ngjarje, që do të përcaktonin përfundimisht drejtimin e tranzicionit shqiptar. Pas ministrisë së brendshme, drejtimi i kongresit të 10 të PPSH, ishte prova e rradhës për një ndër karakteret më interesante të politikanëve të rinj të PPSH-së, që Ramiz Alia kishte promovuar në fund të viteve ‘80. “Unë vija nga një provincë si Tepelena dhe nuk i njihja mirë drejtuesit e partisë. Nuk kisha lidhjet e duhura, nuk njihja as tendencën e tyre.”
Gjithsesi, rezultati i kongresit të 10-të të PPSH, të cilin Ruçi e drejtoi, ngre dyshime për padijen e tij rreth tipareve të udhëheqjes komuniste. Ai ia doli të orjentojë debatin në atë kongres ashtu siç pritej, apo ishte paracaktuar nga udhëheqësi Ramiz Alia. Beteja mes anëtarëve të plakur të Byrosë politike dhe komunistëve të rinj, që ishin aty për të marrë pushtetin, u duk se po shkonte në skaj. Dëshmitarë të atij kongresi thonë se në tri ditët e debatit pati momente kur në tavolina u shfaqën edhe pistoleta. Përfundimisht, gjithçka shkoi siç duhet. Një ndër sfidat ishte edhe reagimi i 1500 delegatëve kur do të duhej të përjashtohej nga partia e veja e diktatorit. Por Gramoz Ruçi gjeti një strategji për ta shmangur. “Është e vërtetë që nuk hodha në votë Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën. E bëra këtë zgjedhje, pasi unë dyshoja se salla mund të reagonte në atë mënyrë sa Nexhmija të mos përjashtohej dhe Ramiz Alia të përjashtohej.
Kështu e gjykova unë në atë kohë dhe duke ju ruajtur këtij rezultati vendosa të mos i përfshij në procedurën e përjashtimit me votë. Në një rast të tillë, vendime të tilla do të kompromentonin të gjitha ndryshimet e rëndësishme që po ndodhnin në atë Kongres. Unë nuk kisha këtë përvojë që kam sot, dhe e treta, sot ne e kemi të qartë nga vijmë, ku jemi dhe ku do vemi. Atëherë kishim të qartë nga vinim, dinim ëndrrën ku donim të shkonim, por nuk e dinim ku ishim dhe situata ishte shumë komplekse…” Gramoz Ruçi arbitroi në podiumin e kongresit të fundit të partisë-shtet, betejën mes komunistëve të rinj e të vjetër.
Aty u realizua skenari që do të finalizohej me pastrimin e imazhit të së shkuarës së përgjakshme të PPSH-së. Ndodhi brenda një nate. Në mëngjesin e 12 qershorit, PPSH u gdhi me një emër të ri, Partia Socialiste e Shqipërisë, pa byroistë, pa Nexhmijen, pa Llambi Gegpriftin, pa Vito Kapon, Muho Asllanin, Hekuran Isain, Spiro Kolekën, Adil Çarçanin e të tjerë. Brenda asaj partie, Gramoz Ruçi, Fatos Nano e të tjerë do të nisnin betejën e re përballë Sali Berishës, me të cilin dikur kishin qënë shokë të një ideali. Kishin përballë edhe të tjerë si Edi Rama, publicisti i asaj kohe që kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të partisë së Gramoz Ruçit, si ndëshkim për të shkuarën komuniste.
Dy dorëheqje për të shpëtuar kryetarët
Gramoz Ruçi mbeti në krye të PS-së si sekretar i përgjithshëm për më shumë se dhjetë vjet. Ishte thuasje në një llogore më Fatos Nanon në të gjithë historinë e konfliktit të brendshëm në PS. Mbeti besnik i kryetarit të partisë në betejën e tij me Ilir Metën. Është me rëndësi momenti kur ai dha dorëheqje në kongresin e vitit 1996. Dorëhqeja e Ruçit, ishte një veprim taktik, që i jepte udhë strategjisë së Fatos Nanos për të larguar kundërshtarët nga drejtimi i partisë. Përmes një letre drejtuar KPD së korrikut 1996, Gramoz Ruçi, përcjell “emocionet” për idealet e partisë dhe arsyet e dorëheqjes për t’i hapur rrugë reformimit. .”
… Në situatën e sotme politike e gjykoj të arsyeshme të deklaroj përpara jush e opinionit publik dorëheqjen time nga të gjitha funksionet drejtuese në PS, duke mbetur një shok e mik i përjetshëm i idealeve socialdemokrate evropiane të partisë sonë. Gjej rastin t’ju siguroj ju, anëtarët e simpatizantët e PS, se e gjithë puna ime partiake e shtetërore, ka qenë e pastër si ujët e maleve të Kurveleshit dhe ka qenë i ndershëm si karakateri i pastër shqiptar. Dua të garantoj gjithashtu, se Partisë Socialiste i kam shërbyer me përkushtim, por aktin e dorëheqjes time, si një atribut normal i demokracisë, e bëj për të njëjtën gjë, që ajo të jetë përherë një organizëm i gjallë politiko-shoqëror me program e statut gjithnjë në reformim, se reformimi është proces i vazhdueshëm jo vetëm për partinë tonë, por për të gjithë shoqërinë shqiptare….
Ju lutem të pranoni dorëheqjen time të parevokueshme dhe të më ndjeni e më kuptoni drejt, pa e marrë atë si një tërheqje nga idealet e partisë tonë” .-shkruante Ruçi në aktin e dorëheqjes.
Por, shumë shpejt ai hoqi dorë nga dorëheqja. Ngjarjet e vitit 1997 çuan drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Ruçi u kthye në PS në postine sekretarit të Përgjithshëm ndërsa PS fitoi zgjedhjet e 29 qershorit të atij viti. Gati dhjetë vite më pas Ruçit do ti duhej të jepte sërish dorëheqeje, por kësaj here për të shpëtuar Edi Ramën. Ishte tetorit i vitit 2005. Një muaj më herët Fatos Nano kishte dhënë dorëhqeje si kryetar i PS-së dhe në garë për ta fituar këtë post ishin Edi Rama dhe Rexhep Meidanin. Gramoz Ruçi deklaroi paraprakisht mbështetjen për Edi Ramën, duke vendosur në njëfarë mënyre përfundimin e garës pa filluar ende. Në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të 13 tetorit 2005, u paraqit për miratim një platformë me ndryshime në statutin e PS-së. Platforma e Ramës, me ndryshimet në statutin e partisë, mori emrin “platforma Ruçi”.
Në seancën e parë të kongresit, në 8 tetor 2005, u votua për dy platformat. Delegatët e kongresit votuan kundër “platformës Ruçi”, dhe situata u vështirësua për kandidatin Rama. Pas rënies së platformës, Gramoz Ruçi dha dorëheqjen, duke marrë përsipër edhe dështimin e kësaj platforme. Në takime dhe negociata të gjata dhe të vështira midis dy grupeve, gjatë gjithë natës, me ndikimin e fortë të Gramoz Ruçit, u vendos të votohej ditën e dytë të kongresit për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe të sekretarit të përgjithshëm. Atje u zgjodh kryetar i PS-së fitoi Edi Rama, përballë kandidatit Rexhep Meidani.
Gramoz Ruçi ka mbajtur gjithmonë vendin e autoritetit të dytë në PS dhe është e gjithëpranuar se gëzon një mbështetje të fortë në elektoratin e PS-së. Nuk e ka përdorur kurrë këtë pushtet kundër kryetarit. Me sa duket Ruçi është i vendosur të qëndrojë aty i dytë, si shtylla kurrizore e PS-së, por duke i shërbyer karriges së kryetarit, cilido që të ulet atje. E ka fituar këtë status që në sfidat e para me të cilat e përballi Ramiz Alia.
“Qari dhe zarari”
Ngjarjet kanë rrjedhur vrullshëm këto 27 vjet. Sot, Gramoz Ruçi është kryetar i një parlamenti, që mban shumë mbiemra të byrosë politike që janë rithyer në politikë këto dhjete vitet e fundit përmes bijve, nipërve, nuseve e dhëndurëve. Fatos Nano nuk është më në PS. Janë larguar thuajse të gjithë ata intelektualë që iu bashkuan PS-së në vitin 1991,e përmes të cilëve kjo parti ia doli të shfaqej me një imazh të reformuar. Në krye të PS-së së Ruçit është Edi Rama dhe përballë tyre në sallën e Kuvendit është sërish Sali Berisha, por jo më si kryetar i PD-së, por si deputet “i thjeshtë” i saj. Si dikur në vitin 1990, Berisha do të zhvillojë betejën e tij. Në krah të Berishës në opozitë do të jetë Lulzim Basha dhe lista e tij e shumëpërfolur, por shumë larg politikës së zhurmshme që vetëm Berisha di ta bëjë në parlament.
Gramoz Ruçi do të jetë në atë podium, si një “rrufepritëse” për çdo sulm që mund t’i vijë brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit. Ndoshta për këtë arsye Ruçi shkeli betimin e tij të hershëm për të mos marrë poste drejtuese. “…unë jam nga ata që nuk i përsëris gabimet”, ka thënë Ruçi, në një intervistë të pesë viteve më parë. Kjo përgjigje i përket vlerësimit të tij për një moment të rëndësishëm në historinë e PS-së, debatin e brendshëm në këtë parti që kulmon me mbledhjen e famshme të KPD-së së vitit 2001. Ai merr përsipër provokimin e atij debatiti në KPD dhe thotë se po të kthehet pas në kohë, nuk do ta bënte sërish. “Qari me zararin ishin 50 me 50”. Në rrugën e re të Gramoz Ruçit, në krye të Kuvendit të Shqipërisë, nuk dihet mirë sa është qari e sa zarari.(Mapo)