Disa orë pas incidentit, e ëma e Gert Shehut është marrë në pyetje nga oficerët e komisariatit nr1 në kryeqytet.
Për më shumë se tre orë nëna e 31-vjeçarit që goditi me grusht Sali Berishën ka dhënë dëshmi në Policinë e Shtetit. Dëshmia i është marrë pranë komisariatit nr.1 në Tiranë, por deri tani, nuk dihen detaje se çfarë ka deklaruar ajo konkretisht.
Për të shmangur ballafaqimin me median, nëna e Gert Shehut u transportua me automabulancë drejt Spitalit të Traumës, aty ku është shtruar i biri, pasi ky i fundit u dhunua nga mbështes të Sali Berishës në protestën e sotme.
Më herët, për mediat, nëna e Shehut i ka kërkuar falje edhe kreut të PD, Sali Berisha për incidentin që shkaktoi djali i saj gjatë protestës së opozitës.
Gert Shehu qëlloi me grusht Berishën në Bulevard, në një kohë që në Tiranë po mbahej edhe Samiti i BE dhe Ballkanit Perëndimor.
Menjëherë pas sulmit, agresori u qëllua dhe u mor nga demokratët e badigardët e Berishës në selinë e PD.
Prej andej, 31-vjeçari u shoqërua në komisariat e më pas në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore pas goditjeve që mori gjatë incidentit.
Pas verifikimit, rezultoi se Shehu vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Media siguroi edhe një epikrizë që tregon se i riu kurohej prej vitesh për çrregullime psikotike dhe ankth./m.j
Policia bëri me dije gjithashtu se Gert Shehu është person me precedent të mëparshëm penal për plagosje, prishje të qetësisë publike dhe narkotikë./m.j