Nga Ornela Çuçi
“Fisnik lind, nuk bëheç”, është një nga shprehjet e mia të preferuara të gjyshes. Tashmë që i kam kaluar ca vjet edhe une kam edhe një shtesë të preferuar për shprehjen e saj:
Fisnik lind, nuk bëhesh… legen po ashtu!
Mirësia nuk mësohet, ajo lind. Po ashtu edhe shpirtngushtësia. Karakteri nuk është një rol. Është një shprehje e gjenomit tonë. Është fenotip – si dukemi në fund të fundit – por është i rrënjosur thellë në gjenotip: çfarë jemi në të vërtetë, edhe kur askush nuk na shikon.
Pra, në ato momente kur sheh qartë se cilët janë njerëzit në të vërtetë – pas maskave, fjalëve, qëllimeve – jeta të kujton diçka thelbësore: se ne jemi, para së gjithash, biologji. Dhe pastaj, gjithçka tjetër…
Ne shpesh e mendojmë veten si diçka më shumë se materie: flasim për shpirtin, për karakterin, për zgjedhjet – dhe sigurisht që të gjitha këto ekzistojnë dhe kanë rëndësi. Por thellë nën gjithçka, një oqean qelizash, gjenesh, hormonesh dhe impulsesh elektrike pulson brenda nesh. E në se vetëm një jon, një atom ndryshon kohën apo mënyrën e lëvizjes, na I hallakat organizmin e madje edhe jetën ndonjëherë .
Trupi ynë dhe çdo funksion – që nga rrahja e zemrës deri te derdhja e një loti – ka një bazë biologjike. E megjithatë, sa herë që lexoj edhe më tepër, edhe më tepër për këtë të vërtetë, nuk ndjej frikë apo habi – përkundrazi, mbushem me admirim për ata që kanë ditur ta rregullojnë atë në mijë vjecarë , pa I pasur scanerat tanë.
Mendoni pak: Brenda secilës prej qelizave tona ka një varg ADN-je me dy fije, një kod që mbart historinë e miliona viteve të evolucionit. Të shkruara në ADN-në tonë janë udhëzimet se si është ndërtuar trupi ynë, si funksionon, por edhe një pjesë e asaj se kush jemi ne si personalitet. Të gjithë ne mbajmë trashëgiminë e prindërve dhe të paraardhësve tanë në qelizat tona. Nuk mund të injorojmë se sa shumë ndikon materiali ynë gjenetik: nga ngjyra e syve dhe gjatësia e deri te ndoshta aspektet e temperamentit apo talentit tonë, gjenet luajnë një rol. E megjithatë, këtu është kthesa e bukur: ADN-ja jonë nuk funksionon e vetme, as nuk dikton gjithçka në izolim. Shkenca e epigjenetikës ka treguar se mjedisi në të cilin jetojmë, përvojat që kemi, madje edhe zgjedhjet tona personale, mund të ndikojnë se cilat gjene do të “shprehen” dhe cilat do të heshtin. Kështu, secili prej nesh në fund zhvillon një fenotip unik – shprehjen e veçantë të të gjitha karakteristikave tona – që rezulton nga një dialog i përhershëm midis gjeneve që trashëgojmë dhe mjedisit ku zgjedhim të vendosemi (if you don’t like it, move, you are not a tree).
Grekët e lashtë, në përpjekjen e tyre për të shpjeguar misterin e jetës, folën për Fatet: Klotho që rrotullon fillin e jetës, Lachesis që përcakton gjatësinë e saj dhe Atropos që e shkurton atë kur të vijë koha. Edhe Zeusi i plotfuqishëm, thanë ata, nuk mund të ndryshonte atë që Fatet kishin thurur për çdo të vdekshëm.
Imazhi i fuqishëm – por i tmerrshëm – i fatit: ideja se jetët tona janë plotësisht të paracaktuara nga forca jashtë kontrollit tonë. Sot, ne mund të themi poetikisht se “Fatet tona moderne” janë gjenet tona – ADN-ja jonë – e cila në të vërtetë përcakton kryesisht evolucionin tonë që nga momenti i konceptimit. Mendimi se ndoshta gjithçka është e shkruar në kodin tonë gjenetik duket i tmerrshëm, si një fat nga i cili nuk mund të shpëtojmë.
Për fat të mirë, realiteti është shumë më optimist: gjenet japin drejtime, por ato nuk shkruajnë të gjithë librin e jetës sonë. Dhe këtu vjen koncepti i vullnetit të lirë dhe pjesëmarrja jonë aktive në jetë. Ne nuk jemi spektatorë pasivë të programit tonë biologjik, por bashkëformësues të fatit tonë. Zgjedhjet që bëjmë çdo ditë – çfarë hamë, si ushtrohemi, si e menaxhojmë stresin, si dashurojmë , si mashtojmë bazuar në çfarë synimesh vendosim – mund të përmirësojnë ose të zbusin predispozitat tona gjenetike.
Një predispozitë nuk është fati. Një gjen mund të rrisë gjasat për një sëmundje, por mënyra jonë e jetesës mund ta mbajë atë “të fjetur”. Në mënyrë të ngjashme, ne mund të kemi një talent të lindur, por vetëm me përpjekje dhe praktikë do ta shohim atë të lulëzojë vërtet.
Ka një shembull tipik: i famshmi “Studimi i murgeshave”. Në këtë kërkim afatgjatë, shkencëtarët studiuan jetën dhe shëndetin e qindra murgeshave për dekada. Rezultatet ishin mahnitëse: Shumë murgesha, edhe pse pas vdekjes u zbuluan se kishin ndryshime të theksuara në tru të shkaktuara nga sëmundja e Alzheimerit, qëndruan mendërisht të afta deri në pleqëri. Çfarë kishin të përbashkët? Një jetë plot pozitivitet, mësim dhe vigjilencë shpirtërore. Murgeshat që në moshë të re shkruanin në ditarët e tyre me një fjalor të pasur dhe një ndjenjë optimiste, në fund jetuan më gjatë me mendje të kthjellët.
Ky studim tregon qartë se predispozitat biologjike nuk janë të barabarta me fatin e pashmangshëm – mënyra se si jetojmë dhe mendojmë mund të ndryshojë rrugën që gjenet tona na vendosën që në fillim.
Dhe çfarë do të thotë e gjithë kjo për ne?
Ne jemi kryesisht biologji dhe kemi brenda nesh procese të lashta, themelore të jetës. Por në të njëjtën kohë, ne jemi edhe qenie të ndërgjegjshme me vullnet, të aftë për të marrë vendime që rezonojnë edhe në qenien tonë biologjike. Sepse në jetë, njeriu nuk korr gjithmonë atë që dëshiron, por e sigurt do të korrë atë që është. Veprat nuk zhduken — qoftë në jetë n që ndërtojmë, qoftë në kujtimet që lëmë pas. Drejtësia e jetës nuk vepron gjithmonë menjëherë, por është e pashmangshme: nëse nuk e prek burimin, prek rrjedhën. Dhe s’ka dënim më të heshtur e më të thellë sesa ai që buron nga shkelja e së vërtetës së vetvetes.
Siç thoshte Pitagora: “Mos u përpiq të shërosh trupin pa u përpjekur të shërosh shpirtin.”
Sepse veprat, mendimet, ndërgjegjja – janë energji që mbeten në rendin e gjërave.
Dhe në këtë rend, gjithçka që lind jashtë mase, e gjen masën e vet në kohë.
Rubrika: Refleksione nga Diskutimet me Studentët e Bioteknologjisë në FSHN