Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani ka reaguar pas ankesës së ish-ortakeve të TCH dhe denoncimit të Berishës që thoshte se Ben Blushin po ndikon tek gjyqtarët që kanë në shqyrtim gjyqin e pronësisë së Top Channel, mes Vjollca Hoxhës dhe ish-ortakëve të saj.
Berisha publikoi dhe disa fotografi ku shfaqet gjykatësi Ardian Dvorani teksa takohet me Ben Blushin. Në një reagim dërguar kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorm, gjykatësi Ardian Dvorani sqaron takimin që ka pasur me Ben Blushin në ambientet e një lokali në kryeqytet.
Dvorani sqaron se me Ben Blushin njihet personalisht dhe familjarisht, prej më shumë se 35 vjetësh dhe se për shkak të rrjedhave të jetës dhe të karrierave përkatëse, ndonëse nuk ndodhin shpesh, me thirrjen a kërkesën e njëri-tjetrit apo kur është rasti, dëgjoheshin dhe shikoheshin për të biseduar në përgjithësi.
Më tej ai vijon se “një rast i tillë, ka qenë edhe takimi dhe biseda me zotin Blushi, në datën 24.05.2018 në bar-restorantin e hotel Plaza, jo rastësisht si vend takimi sepse është fare pranë banesave të prindërve dhe të afërmve tanë që secili prej nesh i viziton shpesh, sikurse ndodhi edhe atë ditë. Biseda jonë ka pasur tema nga më të ndryshmet, por në asnjë moment biseda mbi çështje konkrete gjyqësore, përfshirë edhe atë për të cilën është paraqitur Kërkesa”.
Reagimi i plotë:
Kryetarit të Gjykatës së Lartë
Zotit Xhezair Zaganjori
Në datën 07.06.2018 jam njohur me një Kërkesë, të nënshkruar nga kërkuesit, zotërinjtë Albert Sino dhe Aurel Baçi, e depozituar në Gjykatën e Lartë me nr. 2284 prot në datën 06/06/2018, e cila ka për objekt kërkimin e përjashtimit tim nga gjykimi i çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017 dhe përmban motivet përkatëse të asaj Kërkese.
Nga konsultimi me sistemin elektronik të Gjykatës, sikure parashtrohet edhe në Kërkesën për përjashtim, çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 ka si palë ndërgjyqëse paditëse Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha etj. dhe palë të paditura, kërkuesit Albert Sino dhe Aurel Baçi. Shkak ligjor dhe objekt i padisë është detyrimi i të paditurve të njohin paditësit pronarë mbi 60% të aksioneve të shoqërisë “Top Channel” sh.a, për shkak se kontrata e shtiblerjes së aksioneve nr. 1154 Rep./598/2 Kol datë 15.06.2007 është absolutisht e pavlefshme etj. Sipas sistemit elektronik relator i çështjes është gjyqtari Artan Broci. Kopje e të dhënave publike të sistemit për këtë çështje e gjeni bashkëlidhur.
Kërkuesit, zotërinjtë Albert Sino dhe Aurel Baçi, kërkesën e tyre për “përjashtimin tim” nga gjykimi i kësaj çështjeje civile e mbështesin në këto motive :
* Në datën 24.05.2018, në orën 18.00 për rreth një orë e tridhjetë minuta unë jam takuar dhe kam qëndruar me zotin Ben Blushi, aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i Top-Channel, në bar-restorant “Panevino” të Hotel Plaza në Tiranë.
* Ditën e nesërme, pra në datën 25.05.2018, unë kam marrë pjesë në përbërje të Kolegjit Civil që ka shqyrtuar çështjen civile të sipërcituar.
* Kjo pjesëmarrja ime në përbërje të Kolegjit Civil për shqyrtimin e çështjes është kryer në shkelje të ligjit sepse unë nuk jam anëtar i atij Kolegji dhe nuk ka pasur procedurë shortimi për caktimin tim në përbërje të Koegjit Civil për shqyrtimin e çështjes së tyre.
* Pjesëmarrja ime në përbërje të Kolegjit Civil për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në kushtet e njohjes me zotin Ben Blushi – Drejtor i Përgjithshëm i Top-Channel dhe takimit me të një ditë më parë përbën rrethanë të rëndë papajtueshmërie me rolin e gjyqtarit në këtë proces.
* Njëkohësisht parashtrohet se, megjithëse i pacaktuar rregullisht me short, kam marrë pjesë edhe në dy seanca të tjera për shqyrtimin e çështjes gjatës javës pasardhëse, duke këmbëngulur për shqyrtimin e çështjes.
Zoti Kryetar, meqenëse Kërkesa për përjashtim i është drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe për dijeni mua dhe gjyqtarit relator të Kolegjit Civil. Duke respektuar shqetësimin e Kërkuesve dhe duke shqyrtuar motivet e tyre për paraqitjen e Kërkesës, vlerësoj se është vendi që të parashtroj qëndrimin tim lidhur me sa përmban Kërkesa, i cili kërkoj që ti behet i njohur menjëherë edhe Kërkuesve, zotërinjve Albert Sino dhe Aurel Baçi, si edhe palëve paditëse në gjykim Vjollca Hoxha etj., ashtu edhe publikut.
Së pari, është e vërtetë se, sikurse edhe tregohet qartë në materialin fotografik bashkëlidhur Kërkesës, në vendin, ditën, orën dhe kohën e treguar aty dhe shpjeguar nga Kërkuesit, jam takuar me zotin Ben Blushi.
Me zotin Ben Blushi njihemi, personalisht dhe familjarisht, prej më shumë se 35 vjetësh. Për shkak të rrjedhave të jetës dhe të karrierave përkatëse, ndonëse nuk ndodhin shpesh, me thirrjen a kërkesën e njëri-tjetrit apo kur është rasti, dëgjohemi dhe shikohemi për të biseduar në përgjithësi.
Një rast i tillë, ka qenë edhe takimi dhe biseda me zotin Blushi, në datën 24.05.2018 në bar-restorantin e hotel Plaza, jo rastësisht si vend takimi sepse është fare pranë banesave të prindërve dhe të afërmve tanë që secili prej nesh i viziton shpesh, sikurse ndodhi edhe atë ditë. Biseda jonë ka pasur tema nga më të ndryshmet, por në asnjë moment biseda mbi çështje konkrete gjyqësore, përfshirë edhe atë për të cilën është paraqitur Kërkesa.
Së dyti, jo vetëm të nesërmen e takimit me zotin Blushi, pra në datën 25.05.2018, por as edhe në ndonjë datë tjetër të mëparshme apo të mëvonshme, nuk kam marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017, për të cilën Kërkuesit kërkojnë përjashtimin tim.
Unë jam gjyqtar i Kolegjit Administrativ dhe jo i Kolegjit Civil. Pra, si rregull, nuk kam në cilësinë e relatorit çështje civile për shqyrtim dhe nuk kam detyrimin të marr pjesë në shqyrtimin e çështjeve civile në Kolegjin Civil.
Është e vërtetë se në datën 25.05.2018, në cilësinë e gjyqtarit zëvendësues, sipas grafikut detyrues të shortuar kohë më parë, kam marrë pjesë në shqyrtimin e disa kërkesave dhe rekurseve në dhomën e këshillimit të Kolegjit Civil, me relator gjyqtarin Artan Broci. Më saktësisht kam marrë pjesë në shqyrtimin dhe kam disponuar për 10 kërkesa dhe rekurse për çështje të ndryshme civile. Në këtë ditë gjykimi, në dhomën e këshillimit të Kolegjit Civil nuk është shqyrtuar çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 ku kërkuesit janë në cilësinë e palës së paditur.
Së treti, pjesëmarrja ime si gjyqtar zëvendësues (i gatshëm) në përbërje të dhomës së këshillimit të Kolegjit Civil të datës 25.05.2018 nuk ka qenë e parregullt apo vullnetare.
Sipas rregullave të funksionimit të Gjykatës së Lartë, aq më tepër në periudhën pas muajit Shtator 2017 ku jemi vetëm 9 gjyqtarë dhe nuk mund të funksionojnë normalisht secili nga tre kolegjet e kësaj Gjykate, bazuar në Urdhrin nr. 322 datë 26.12.2017, për çdo javë punë, për të plotësuar trupat gjykuese në rast mungese, papajtueshmërie a mosformimi të trupave gjykuese, nga një gjyqtar i secili Kolegj ka detyrimin të jetë i gatshëm të marrë pjesë në
plotësimin e trupës gjykuese të kolegjeve të tjera të Gjykatës së Lartë për çështjet që ata programojnë për shqyrtim në javën përkatëse.
Pikërisht, sipas shortimit të gjyqtarëve të gatshëm, për javën 21-25 maj 2018, kam qenë i caktuar i gjyqtar i parë zëvendësuses (i gatshëm) për plotësimin e trupave gjykuese të Kolegjit Penal dhe të Kolegjit Civil, nëse ata do të kishin nevojë për plotësim të trupës gjykuese.
Prandaj pjesëmarrja ime në dhomën e këshillimit të datës 25.05.2018 ka qenë përmbushje e detyrimit tim për të marrë pjesë në plotësimin e trupës gjykuese të Kolegjit Civil, meqenëse njëri nga gjyqtarët ishte në mungesë. Gjithsesi, theksoj se, në këtë datë, ndryshe nga sa tregohet në Kërkesën për përjashtim, çështja civile me nr. 11243-03031-00-2017 nuk është shqyrtuar. Po kështu, as para kësaj date dhe as deri më sot nuk kam marrë pjesë në shqyrtimin e saj.
Së fundi, nisur nga rrethanat konkrete të këtij rasti, ndonëse asnjëherë nuk kam marrë pjesë në shqyrtim, por nëse në të ardhmen për shkak të procedurave të shortimit do të gjendem përpara detyrimit për të marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017, ndjej detyrimin dhe vlerësoj të shprehem paraprakisht se nuk mund të jem në përbërje të trupës gjykuese që do të ngarkohej me shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Sipas Kushtetutës dhe ligjit, paanshmëria e gjyqtarit në pjesëmarrje dhe gjykim duhet të jetë e garantuar. Shkaqet që motivojnë ekzistencën e njëanshmërisë së gjyqtarit mund të jenë të natyrës objektive ose subjektive. Pra, paanshmëria e gjyqtarit jo vetëm duhet të jetë por edhe duhet të duket se është e garantuar.
Në rastin e çështjes konkrete, nisur nga rrethanat e krijuara, ndjeshmëria e çështjes dhe e palëve, fakti i vërtetë që jam takuar me zotin Ben Blushi – tashmë Drejtues i Top-Channel (me të cilin njihemi dhe shikohemi prej më shumë se 35 vjetësh dhe ndonëse atë ditë nuk kam biseduar për çështje gjyqësore), më sjell në bindjen dhe qëndrimin e palëkundur se është cenuar paanshmëria ime, edhe pse në dukje, në lidhje me mundësinë që në të ardhmen të jem pjesë e trupës gjykuese për shqyrtimin e çështjes civile me nr. 11243-03031-00-2017.
Prandaj, duke mos qenë pjesë e trupës gjykuese në shqyrtimin e kësaj çështjeje, nuk kam ende arsye procedurale për të hequr dorë nga gjykimi i saj, sikurse parashtrojnë Kërkuesit në kërkesë për përjashtimin tim. Megjithatë, këtë Kërkesë për heqje dorë do ta paraqes, pashmangshmërisht dhe menjëherë, kurdo që të jetë rasti, nëse rrjedh nga shorti, që të ngarkohem me detyrimin për të marrë pjesë në këtë gjykim.
Njëkohësisht ju bëj me dije se, krahas Kërkesës drejtuar Gjyktës së Lartë, ditën e djeshme, tashmë sot edhe në mjetet e medias po shfaqen njoftime dhe informacione mbi këtë rast. Prandaj, jam në të drejtën time si njeri dhe gjyqtar, si edhe në detyrimin tim për korrektesë e transparencë me palët dhe publikun që këtë parashtresë t’ia komunuikoj edhe mjeteve të inforimit publik.
Ardian Dvorani
Gjyqtar, Gjykata e Lartë.
ma.me