Bordi ka marrë donacione, por ato janë depozituar drejtpërdrejt përmes llogarisë së tij në JPMorgan, sipas zëdhënësit të bordit.
Fondi i krijuar nga Banka Botërore për Bordin e Paqes të Donald Trump nuk ka marrë asnjë financim, pavarësisht premtimeve që arrijnë në 17 miliardë dollarë nga SHBA-ja dhe liderë të tjerë botërorë, raportoi të mërkurën Financial Times, duke cituar katër burime të njohura me çështjen.
“Janë depozituar zero dollarë”, tha një prej burimeve.
Bordi ka marrë donacione, por ato janë depozituar drejtpërdrejt përmes llogarisë së tij në JPMorgan, sipas zëdhënësit të bordit.
“U krijuan disa opsione për të marrë financime”, tha një zyrtar i Bordit të Paqes për Financial Times. “Në këtë fazë, kontribuuesit kanë zgjedhur të përdorin opsione të tjera.”
Llogaria në JPMorgan nuk ka detyrim të raportojë gjendjen e saj financiare te kontribuuesit dhe anëtarët e bordit, ndryshe nga Banka Botërore, shkroi Financial Times.
Bordi i Paqes do të raportojë financat në kohën e duhur
Bordi i Paqes është zotuar të raportojë financat te bordi i vet ekzekutiv “në një kohë që do të konsiderohet e përshtatshme”, tha zyrtari.
Maroku ka kontribuar me rreth 20 milionë dollarë, të cilat kanë ndihmuar në financimin e zyrës së Nickolay Mladenov, “përfaqësuesit të lartë” për Gazën pas luftës, si dhe pagat e komitetit teknokratik palestinez të krijuar nga bordi për të qeverisur Gazën, raportoi Financial Times.
Gjithashtu, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë 100 milionë dollarë për trajnimin e një force të re policore për Gazën, por fondet janë të ngrira dhe programi nuk ka nisur ende, sipas dy personave të njohur me çështjen, të cituar nga Financial Times.
Departamenti Amerikan i Shtetit është angazhuar të rialokojë rreth 1.2 miliardë dollarë nga fondet e ndihmës për projekte në axhendën e bordit, por këto fonde ende nuk janë shpenzuar.
“Asnjë prej këtyre parave nuk po menaxhohet nga Bordi i Paqes dhe Departamenti i Shtetit na thotë se nuk ka asnjë synim që ndonjë prej këtyre fondeve të menaxhohet nga Bordi i Paqes”, tha një ndihmës i lartë i Kongresit për Financial Times.
Departamenti i Shtetit dëshiron të japë rreth 50 milionë dollarë drejtpërdrejt për bordin, por fondet ende nuk janë shpërndarë. Zyrtarët kanë siguruar Kongresin se bordi nuk do të mund t’i përdorë këto fonde pa u ngritur më parë sistemet e nevojshme për të marrë fonde amerikane, tha ndihmësi kongresional për Financial Times.
Departamenti i Shtetit tha se “mbështet vizionin e presidentit” dhe “vazhdon të vlerësojë sesi autoritetet ekzistuese, programet dhe koordinimi ndërinstitucional mund të mbështesin më mirë këto objektiva”, shkroi Financial Times.
Zëdhënësi i bordit tha se, ndonëse Bordi i Paqes ka nisur procedurat e tenderimit për punët e sigurisë dhe rindërtimit, ende nuk është dhënë asnjë kontratë.
“Një pjesë e madhe e kësaj lidhet me faktin se ne ende nuk po operojmë në Gaza”, tha zëdhënësi për Financial Times, duke shtuar se Hamasi ende nuk është çarmatosur.
Trump paraqiti fillimisht një plan me disa faza, që parashikonte çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe rindërtimin e Gazës.
Megjithatë, nuk është bërë përparim në asnjë prej këtyre objektivave, shkroi Financial Times, duke shtuar se dy persona të njohur me planifikimin për Gazën thanë se “asnjë dollar amerikan” nuk është përdorur për rindërtimin e Gazës.
Mungojnë sistemet për përpunimin e fondeve
Dr. Bishara Bahbah, një akademik i njohur palestinezo-amerikan, i cili ndihmoi në negociatat me Hamasin për administratën Trump, tha se komiteti ende nuk ka nisur punën brenda Gazës për shkak të “mungesës së çdo financimi që do t’u mundësonte të zbatonin diçka në terren”.
“Ata e dinë se nëse shkojnë në Gaza, njerëzit do të vërshojnë drejt tyre për të kërkuar ndihmë dhe ata nuk kanë mjete, nuk kanë mundësi”, tha Bahbah për Financial Times.
Zëdhënësi i bordit tha se nuk ekziston ende një sistem “për të menaxhuar fluksin e shërbimeve dhe mallrave që parashikohen si pjesë e planit”.
“Nuk është se po mbajmë para të grumbulluara në një llogari bankare dhe pastaj po japim kontrata për gjëra që nuk mund të realizohen”, tha zëdhënësi, përfundon artikulli i Financial Times.
Shqipëria pjesë e Bordit të Paqes
Shqipëria është mes vendeve mbështetëse të Bordit të Paqes, nismës së promovuar nga administrata Trump për administrimin dhe rindërtimin e Gazës pas luftës.
Parlamenti shqiptar miratoi në janar 2026 marrëveshjen për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, nismë e promovuar nga presidenti amerikan Donald Trump për administrimin dhe rindërtimin e Gazës pas luftës. Marrëveshja u miratua me 113 vota pro, një abstenim dhe asnjë votë kundër.
Sipas dokumentit të miratuar nga Kuvendi, Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues në organizatë, çka i jep rol në strukturën vendimmarrëse të Bordit të Paqes dhe në formësimin e politikave të tij. Dokumenti e përshkruan bordin si një organizatë ndërkombëtare me mision promovimin e stabilitetit, rikthimin e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes në territore të prekura nga konfliktet.
Qeveria shqiptare argumentoi se pjesëmarrja në bord forcon profilin diplomatik të vendit dhe partneritetin strategjik me SHBA-në. Marrëveshja parashikon mandate trevjeçare për shtetet anëtare, me mundësi rinovimi.
Në shkurt 2026, Shqipëria mori pjesë edhe në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes në Uashington, ku diskutimet u përqendruan te qeverisja e përkohshme e Gazës dhe planet për rindërtimin pas luftës
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik ndonjë angazhim financiar i drejtpërdrejtë nga Shqipëria për fondin e Bordit të Paqes. Raporti i Financial Times tregon se edhe vetë fondi zyrtar i ngritur nga Banka Botërore nuk ka marrë ende para, pavarësisht premtimeve që arrijnë në 17 miliardë dollarë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë shihet kryesisht në planin diplomatik dhe politik, në kuadër të pozicionimit të saj pranë aleatëve perëndimorë dhe mbështetjes për nismat ndërkombëtare të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Çfarë është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare e promovuar nga Donald Trump për mbikëqyrjen e planit të paqes dhe rindërtimit të Gazës. Sipas raportimeve të Time në shkurt, rreth 25 deri në 27 shtete kanë pranuar t’i bashkohen ose të marrin pjesë në këtë nismë, mes tyre edhe Shqipëria.
Megjithatë, nisma nuk ka marrë mbështetje të plotë nga fuqitë kryesore perëndimore. Sipas Time, vende si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Kanadaja kanë refuzuar t’i bashkohen bordit, ndërsa BE-ja dhe disa vende europiane kanë marrë pjesë vetëm si vëzhguese.











