Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e partisë Demokratike për heqjen e mandatit për deputetin socialist Rakip Suli.
Selia blu akuzonte Sulin se ka përfituar fonde publike gjatë periudhës që ushtron detyrën e deputetit.
Opozita i’u drejtua me një kërkesë konkrete Gjykatës Kushtetuese e cila pas shqyrtimit vendosi rrëzimin e kërkesës.
Në vendimin e Gjykatës nuk u verifikua konflikt interesi nga e ligjvënësit socialist./a.m.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Vendim nr. 72, datë 07.12.2016
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Sokol Berberi, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Fatos Lulo, Besnik Imeraj, anëtarë, me sekretare Edmira Babaj, në datën 14.07.2016 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen me nr.45 Akti, që i përket:
KËRKUES: KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar në gjykim nga z.Geldjon Hysolli dhe znj.Jonida Hoxha.
SUBJEKTE TË INTERESUARA:
RAKIP SULI, përfaqësuar në gjykim nga Av. Aranit Roshi.
1/10-TA E DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar në gjykim nga z.Ivi Kaso dhe z.Gazmend Bardhi.
OBJEKTI: Konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Rakip Suli.
BAZA LIGJORE: Nenet 70, paragrafët 3 dhe 4, dhe 78, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 66/3 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Besnik Imeraj, pretendimet e përfaqësuesit të kërkuesit, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili e la në çmim të Gjykatës, prapësimet e përfaqësuesit të subjektit të interesuar, deputetit Rakip Suli, i cili kërkoi rrëzimin e kërkesës, pretendimet e përfaqësuesit të një të dhjetës së deputetëve të Kuvendit, i cili kërkoi pranimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
I
- Me vendimin nr.36 datë 02.08.2013 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Rakip Suli është shpallur kandidat fitues nga lista shumemërore e Partisë Socialiste për qarkun Tiranë.
- Në datën 16.12.2015, një grup prej 20 deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (Kuvendi) mocionin për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Rakip Suli. Nga aktet e bashkëlidhura rezulton se ky deputet ka qenë ortak në shoqërinë “Aurora Group” sh.p.k., kuotat e së cilës në datën 05.09.2013 ia ka transferuar djalit të tij Saimir Suli. Me kontratën e qirasë të datës 03.10.2014, OSSHE-ja, në cilësinë e qiramarrësit, ka lidhur me shoqërinë “Aurora Group” sh.p.k., në cilësinë e qiradhënësit, një kontratë qiraje për një ambient për arkiv qendror në Tiranë, me afat 3-vjeçar dhe çmim të përcaktuar. Sipas grupit të deputetëve ndodhemi para shkeljes së neneve 21 dhe 24 të ligjit 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike” (ligji nr.9367/2005), të cilat zbatohen jo vetëm për funksionarin, por edhe për personat e lidhur me të, çka përbën ushtrim të mandatit të deputetit në cenim të papajtueshmërisë së parashikuar nga neni 70/2 i Kushtetutës. Po ashtu, ata kanë pretenduar se personi i lidhur me deputetin Rakip Suli, konkretisht djali i tij madhor, ka përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit, të cilat në kuptim të nenit 35/2 të ligjit nr.9367/2005 konsiderohen se janë fituar nga një shoqëri në pronësi të vetë deputetit, për rrjedhojë është cenuar edhe ndalimi kushtetues i nenit 70/3 të Kushtetutës.
- Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e datës 01.03.2016, pasi ka zhvilluar procedurën e shqyrtimit të kësaj kërkese, ia ka kaluar atë seancës plenare për votim.
- Me vendimin nr.22/2016, datë 17.03.2016, Kuvendi ka vendosur: “Mosmiratimin e kërkesës së 20 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me objekt: “Konstatimi i mbarimit të mandatit të deputetit Rakip Suli dhe dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë me mandatin e deputetit””.
- Bazuar në interpretimin e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, bërë nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.7 datë 24.02.2016, 1/10-ta e deputetëve të Kuvendit, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kërkoi që Kuvendi t’ia dërgonte çështjen e mandatit të deputetit Rakip Suli Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi referuar edhe vetë kërkesës së këtij deputeti, me vendimin nr.29/2016, datë 14.04.2016, vendosi: “Dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetit të zotit Rakip Suli.”.
II
- Kuvendi, në mbështetje të nenit 70/4 të Kushtetutës, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) duke i vënë në dispozicion vendimet nr.22/2016 dhe 29/2016, raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si edhe kërkesën e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, sipas të cilëve deputeti Rakip Suli ka ushtruar mandatin e deputetit në kundërshtim me nenin 70, paragrafët 2 dhe 3 të Kushtetutës, për shkak se shoqëria ku ai ka qenë ortak, kuotat e së cilës më pas ia ka transferuar djalit të tij madhor, ka përfituar fonde publike. Kuvendi në parashtrimet e tij e ka lënë në çmim të Gjykatës zgjidhjen e çështjes.
- Subjekti i interesuar Rakip Suli ka parashtruar sa më poshtë:
7.1. Me vendimin nr.93, datë 17.05.2016, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mungesën e juridiksionit në shqyrtimin e një çështjeje analoge (atë të deputetes Valentina Leskaj). Duke qenë se edhe në rastin konkret kërkesa e deputetëve të opozitës është e bazuar në të njëjtat shkaqe dhe argumente ligjore si në rastin e disponuar me vendimin e mësipërm, Gjykata nuk duhet ta marrë në shqyrtim, pasi është ngritur për shkaqe që nuk janë të parashikuara nga ligjvënësi në Kushtetutë si raste për të cilat mund të investohet kjo Gjykatë.
7.2. Barazimi që i është bërë figurës së funksionit të deputetit me atë të çdo zyrtari të administratës shtetërore, për shkak të interpretimit të nenit 21 të ligjit nr.9367/2005, nuk është i drejtë, sepse vetë Kushtetuta ka dy raste që çojnë në atë që quhet “papajtueshmëri e funksionit të deputetit” dhe konkretisht të parashikuara në pikën 2 të nenit 70.
7.3. Kalimi i kuotave që deputeti Rakip Suli zotëronte në shoqërinë “Aurora Grup” është bërë në datën 05.09.2013 me anë të kontratës së dhurimit. Në momentin e transferimit të kuotave të kësaj shoqërie në favor të djalit të tij (Saimir Suli), ky i fundit, në bazë të certifikatës së gjendjes civile, rezulton i ndarë nga trungu i familjes që në vitin 2010. Po ashtu, kontrata e qirasë mes OSHEE-së dhe “Aurora Grup” sh.p.k, ku Saimir Suli është ortak në minorancë, është lidhur në datën 03.10.2014.
7.4. Në rastin konkret deputeti Rakip Suli nuk ndodhet para asnjë ndalimi nga ato të parashikuara në dispozitën e nenit 70 të Kushtetutës, për më shumë që kontrata është lidhur mes dy subjekteve private (OSHEE-ja ka qenë ortak me një aksioner mazhoritar privat).
7.5. Kontrata e kontestuar plotëson kushtet e nenit 35/4 të ligjit të posaçëm.
- Subjekti i interesuar, 1/10-ta e deputeteve të Kuvendit, ka parashtruar si vijon:
8.1. Papajtueshmëritë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese dhe janë kompetencë e saj sipas shkronjës “e” të nenit 131 të Kushtetutës.
8.2. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte kompetente për të vendosur vetëm për papajtueshmërinë e parashikuar nga neni 70/3 i Kushtetutës, kjo kompetencë i njihet nga neni 70/4 i Kushtetutës dhe nuk kishte arsye përse të përfshihej edhe në nenin 131/e. Formulimi i nenit 131/e është i përgjithshëm dhe u referohet të gjitha çështjeve që lidhen me papajtueshmëritë në ushtrimin e funksionit të deputetit.
8.3. Shoqëria “Aurora Group” sh.p.k., që është në pronësi të djalit të deputetit Rakip Suli, ka lidhur kontratë me një shoqëri publike, duke përfituar në këtë mënyrë fonde publike.
8.4. Legjislatori në parashikimet që ka bërë në nenet 21, 24, 35 dhe 45 të ligjit nr.9367/2005 ka pasur si qëllim mundësimin e institutit të papajtueshmërisë të parashikuar në nenin 70 të Kushtetutës.
8.5. Në rastin konkret masa e marrë nga deputeti nëpërmjet kalimit të shoqërisë nga ai te djali, nuk ka arritur të shmangë përfitimin e fondeve publike, gjë që vjen në kundërshtim me ndalimet e parashikuara në nenin 70 të Kushtetutës dhe ligjin nr.9367/2005 që synojnë pikërisht eliminimin e situatave të konfliktit të interesit.
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
- Për juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese
- Gjykata Kushtetuese vlerëson se juridiksioni i saj në çështjen objekt shqyrtimi lidhet me përmbajtjen e nenit 70 të Kushtetutës.
- Sipas paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Kurse sipas paragrafit 4 të tij: “Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”. Në këtë dispozitë janë përcaktuar subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim (Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij), si dhe Kuvendi si subjekt i posaçëm që vë në lëvizje gjykimin kushtetues. Përmbajtja e nenit 70/4 të Kushtetutës reflektohet edhe në nenin 66/3 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit kërkesa për papajtueshmëri mund të paraqitet në Gjykatë nga Kuvendi për sa kohë vazhdon mandati i deputetit. Vendimmarrja e Kuvendit, në kuptim të nenit 70/4 të Kushtetutës, është në funksion të legjitimimit të këtij subjekti për inicimin e gjykimit kushtetues për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit (shih vendimet nr.29, datë 30.06.2011; nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Nga pikëpamja formale, në rastet e konstatimit të papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, është Kuvendi që vë në lëvizje Gjykatën, e cila është organi që shprehet për themelin e çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të nenit 70/3 të Kushtetutës.
- Për sa i takon çështjes së juridiksionit të saj, që lidhet me papajtueshmërinë e mandatit të deputetëve, Gjykata ka theksuar se “parashikimi nga kushtetutëbërësi i rasteve të papajtueshmërive që lidhen me mandatin e deputetit përbën një garanci për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, pavarësisë në ushtrimin e mandatit parlamentar, si dhe evitimin e konflikteve të interesave. Ndërsa sipas paragrafit 2 të nenit 70 Kushtetuta jonë ua ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, në pikën 3 të kësaj dispozite ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutëbërësi, i cili ka pasur si qëllim eliminimin e plotë të shkaqeve për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi të mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ai ka si anëtar i organit më të lartë përfaqësues[…]. Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në Rregulloren e këtij organi.” (shih vendimin nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjykata vëren se në rastin konkret është kërkuar konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës, si dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367/2005, për shkak se shoqëria ku është ortak shtetasi Saimir Suli (djali i madh i deputetit Rakip Suli), kuotat e të cilit më parë ishin në pronësi të këtij deputeti, ka përfituar të ardhura që burojnë nga fondet publike si pasojë e lidhjes së një kontrate qiraje me një shoqëri me kapital 100% shtetëror, siç është OSSHE-ja.
- Sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj, kurse sipas nenit 21/1 të ligjit nr.9367/2005: “Asnjë individ, kur ky njësohet me një zyrtar në njërin nga funksionet e përcaktuara në kreun III, seksioni 2 të këtij ligji, gjyqtarët e prokurorët në nivelin e gjykatës së shkallës së parë e në atë të apelit, dhe asnjë shoqëri tregtare, ortakëri a shoqëri e thjeshtë, ku ky zyrtar zotëron, në mënyrë aktive apo pasive, aksione a pjesë në kapital, në çfarëdo sasie, nuk mund të lidhë kontratë ose nënkontratë me asnjë institucion publik”. Sipas paragrafit 1 të nenit 24 të këtij ligji, persona të lidhur me zyrtarin konsiderohen edhe fëmijët në moshë madhore të tij, kurse sipas paragrafit 3 të po këtij neni ndalimet dhe kufizimet për zyrtarin, të përcaktuara në këtë seksion, zbatohen edhe për personat e lidhur me të.
- Bazuar në paragrafin 4 të nenit 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencën kushtetuese, Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkelje të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë, sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre.
- Sipas subjektit të interesuar, 1/10-ës së deputetëve, çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë me mandatin e deputetit, Kushtetuta i ka parashikuar në kompetencat që i janë dhënë Gjykatës Kushtetuese sipas nenit 131/e të Kushtetutës.
- Gjykata e vlerëson këtë pretendim si të pambështetur. Pika 2 e nenit 70 të Kushtetutës përbën një rregullim specifik dhe bazuar në rregullin interpretues, sipas të cilit norma specifike ka përparësi mbi normën e përgjithshme, lex specialis derogat lex generalis (shih vendimin nr.2/2010 të Gjykatës Kushtetuese), kjo dispozitë ka përparësi mbi nenin 131/e, i cili përmban një rregullim të përgjithshëm ku listohen kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.
- Në konkluzion, Gjykata vlerëson se konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet e parashikuara nga neni 70/3 i Kushtetutës, kurse për të gjitha rastet e tjera legjislatori ka parashikuar vetë Kuvendin si institucionin i cili vendos për heqjen ose jo të mandatit të deputetit.
- Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se në rastin konkret nuk plotësohen kushtet për vënien e saj në lëvizje në kuptim të përmbajtjes së nenit 70/4 të Kushtetutës dhe çështja në fjalë e paraqitur nga Kuvendi nuk hyn në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë kërkesa duhet rrëzuar.
PËR KËTO ARSYE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 70, 70/4 dhe 131/e të Kushtetutës, si dhe të neneve 66/3, 67/2, 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,[1]
V E N D O S I:
- Rrëzimin e kërkesës
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
MENDIM PARALEL
- Në çështjen me kërkues Rakip Sulin ndaj të njëjtin qëndrim me shumicën për rrëzimin e kërkesës, por nuk pajtohem me linjën e arsyetimit të bërë prej saj në lidhje me themelin e çështjes. Për këtë arsye e çmoj të rëndësishme të shprehem me mendim paralel.
- Bazuar në interpretimin e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, bërë nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.7, datë 24.02.2016, Kuvendi, referuar edhe vetë kërkesës së deputetit Rakip Suli, me vendimin nr.29/2016, datë 14.04.2016, vendosi: “Dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetit të zotit Rakip Suli”. Mendoj se Kuvendi nëpërmjet këtij vendimi nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, në kuptim të nenit 70/4 të Kushtetutës. Qëndrimi im në lidhje me këtë çështje mbështetet në dy argumente kryesore, të cilat i kam theksuar edhe në mendimin e pakicës të vendimit nr.32/2016 të Gjykatës Kushtetuese.
- Së pari, Kuvendi, nëpërmjet vendimit nr.29/2016, nuk legjitimohet për vënien në lëvizje të Gjykatës për kërkesën objekt shqyrtimi në kushtet kur nuk ka një vendimmarrje të Kuvendit, sipas kuptimit që i është dhënë nenit 70/4 të Kushtetutës në mendimin e pakicës të vendimit nr. 7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mendim pakice jam shprehur se “kuptimi i pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës është ky: Kuvendi vihet në lëvizje për shkelje të pikës 3 të nenit 70; Kuvendi vihet në lëvizje nga Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij; Kuvendi vendos për shkeljen e pikës 3 të nenit 70 dhe, për rrjedhojë, dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese; Gjykata Kushtetuese konstaton papajtueshmërinë. Kuvendi nuk ka rol formal dhe nuk është i detyruar ta dërgojë në çdo rast për shqyrtim çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi i Kuvendit, që ka verifikuar shkeljen e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës nga ana e deputetit, ndaj të cilit është kërkuar procedimi, detyrimisht i dërgohet Gjykatës Kushtetuese”. Kuvendi duhet të marrë vendim fillimisht për verifikimin e shkeljes dhe më pas çështja i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nuk ka një vendimmarrje të Kuvendit, sipas kuptimit të mësipërm të nenit 70/4 të Kushtetutës, ndaj çmoj se Kuvendi nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me anë të kësaj kërkese.
- Së dyti, në përputhje me qëndrimin e mbajtur në mendimin e pakicës të vendimit nr. 7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se Gjykata, si rregull, është një organ që ka funksion rishikues, si dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës (neni 124 i Kushtetutës). Ajo nuk bën vlerësimin fillestar të çështjes në themel, por kontrollon, në aspektin kushtetues, vendimmarrjen e institucioneve kushtetuese, pasi këto janë shprehur. Në këtë kuptim, edhe në rastin e procedurës për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, ajo rishikon vendimmarrjen e Kuvendit, sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, pasi Kuvendi, i cili nuk ka një rol krejtësisht formal, ka marrë vendimin t’ia dërgojë çështjen për konstatimin e papajtueshmërisë.
- Ky përfundim është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës, përkatësisht me vendimet 29, datë 30.06.2011 dhe nr.44, datë 07.10.2011 të saj, nga leximi i të cilave vërehet se: “[…] bazuar në nenin 70, pika 4, të Kushtetutës, konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit është në kompetencën e kësaj Gjykate. Kjo normë ka përcaktuar Kuvendin si subjekt të posaçëm që vë në lëvizje këtë gjykim kushtetues, si dhe subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim (Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij) (§ 18 i vendimit nr. 29, datë 30.06.2011; § 9 i vendimit nr. 44, datë 07.10.2011). Në asnjërin prej këtyre vendimeve nuk është theksuar tekstualisht se Gjykata është organi i vetëm që vendos për themelin e çështjes, pra nëse veprimet konkrete të një anëtari të Kuvendit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetutëbërësi ka parashikuar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të Kuvendit, që ka verifikuar shkeljen e pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, në mënyrë që Gjykata, e cila ka funksion rishikues, të konstatojë më pas shkeljen.
- Si përfundim mendoj se kërkuesi në rastin konkret nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Anëtar: Sokol Berberi
MENDIM PAKICE
- Në çështjen me kërkues Kuvendi i Shqipërisë, me objekt konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Rakip Suli, nuk jam dakord me vendimin e shumicës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, në vijim paraqes argumentet e mia si gjyqtare në pakicë.
- Sipas shumicës “bazuar në paragrafin 4 të nenit 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencën kushtetuese, Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkelje të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë, sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre. Pika 2 e nenit 70 të Kushtetutës përbën një rregullim specifik dhe bazuar në rregullin interpretues, sipas të cilit norma specifike ka përparësi mbi normën e përgjithshme, lex specialis derogat lex generalis, kjo dispozitë ka përparësi mbi nenin 131/e, i cili përmban një rregullim të përgjithshëm ku listohen kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Në konkluzion, Gjykata vlerëson se konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet e parashikuara nga neni 70/3 i Kushtetutës, kurse për të gjitha rastet e tjera legjislatori ka parashikuar vetë Kuvendin si institucioni i cili vendos për heqjen ose jo të mandatit të deputetit” (shih paragrafët 15-18 të vendimit).
- Bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 70 të Kushtetutës për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë. Sipas kësaj dispozite subjektet që iniciojnë procedurat parlamentare për këtë qëllim janë Kryetari i Kuvendit ose një e dhjeta e anëtarëve të tij, kurse Kuvendi është subjekti i posaçëm që vë në lëvizje gjykimin kushtetues. Në rastet e shkeljes së paragrafit 3 të nenit 70 Gjykata ka theksuar se Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen. Në raste të tilla hapësira e vlerësimit të Kuvendit lidhet vetëm me verifikimin e kritereve juridiko-formale, duke respektuar procedurat parlamentare të parashikuara në rregulloren e këtij organi (shih vendimin nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Megjithatë, këto dispozita nuk mund të interpretohen se kufizojnë juridiksionin e Gjykatës për rastet e shkeljes së paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës, pra për rastet e papajtueshmërive të tjera të përcaktuara me ligj. Edhe pse sipas këtij paragrafi Kushtetuta ua ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, kurse në pikën 3 të këtij neni e ka vendosur ndalimin në rang kushtetues, këto parashikime nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me juridiksionin e Gjykatës. Ndërkohë që në rastin konkret Gjykata duhet të lexojë dhe të interpretojë dispozitat kushtetuese që përcaktojnë juridiksionin e saj jo në mënyrë të shkëputur, që do të thotë se neni 70 i Kushtetutës duhet të lexohet së bashku me nenin 131 të saj.
- Sipas shkronjës “e” të nenit 131 të Kushtetutës Gjykata Kushtetuese vendos për “çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre…”. Ndërkohë që dispozita e mësipërme është materiale, neni 70/4 i Kushtetutës është një dispozitë me karakter procedural, që ka si qëllim të përcaktojë një rregullim të ndryshëm për mënyrën e vënies në lëvizje të kësaj Gjykate në rastet e shkeljes së paragrafit 3. Kjo dispozitë procedurale në vlerësimin tim nuk mund të interpretohet se përcakton nga pikëpamja materiale edhe objektin e kontrollit kushtetues, pra duke lënë jashtë rastet e papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës.
- Nëse do të bënim një interpretim të ndryshëm, pra se Gjykata ka kompetencë të shqyrtojë vetëm rastet e papajtueshmërisë sipas paragrafit 3 të nenit 70, atëherë rastet e papajtueshmërisë të parashikuara në paragrafin 2 të po këtij neni do të mbeteshin jashtë kontrollit, për sa kohë që nuk ka një parashikim tjetër specifik në lidhje me to. Në rastin konkret vlerësoj se kushtetutëbërësi nuk ka ometuar duke mos bërë një parashikim të ndryshëm të rasteve të papajtueshmërisë sipas paragrafit 2 të nenit 70, por ka pasur si qëllim të veçojë procedurën në rastet e shkeljeve të paragrafit 3 për të mënjanuar diskrecionin e organeve të përfshira në këtë procedurë, duke përcaktuar detyrimin për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese në çdo rast.
- Për sa më sipër, në kuptim të neneve 131 dhe 70 të Kushtetutës, vlerësoj se Gjykata ka juridiksion për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkeljet e paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës, për rrjedhojë ajo duhet ta shqyrtonte në themel çështjen.
Anëtare: Altina Xhoxhaj
MENDIM PAKICE
- 1/10-ta e deputetëve të Kuvendit, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka depozituar në Kuvend mocionin për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Rakip Suli. Ata pretendojnë se janë shkelur nenet 21 dhe 24 të ligjit 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike” (ligji nr.9367/2005), të cilat zbatohen jo vetëm për funksionarin, por edhe për personat e lidhur me të, çka përbën ushtrim të mandatit të deputetit në kushtet e papajtueshmërisë të parashikuar nga neni 70/2 i Kushtetutës. Po ashtu, ata kanë parashtruar se personi i lidhur me deputetin Rakip Suli, konkretisht djali i tij madhor, ka përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit, të cilat në kuptim të nenit 35/2 të ligjit nr.9367/2005 konsiderohen se janë fituar nga një shoqëri në pronësi të vetë deputetit, për rrjedhojë është cenuar edhe ndalimi kushtetues i nenit 70/3 të Kushtetutës.
- Kuvendi ka vendosur mosmiratimin e kërkesës së 1/10-ës së deputetëve, të cilët, bazuar në interpretimin e pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës, bërë nga kjo Gjykatë me vendimin nr.7 datë 24.02.2016, kanë kërkuar që Kuvendi t’ia dërgonte çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Rakip Suli Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi, referuar edhe vetë kërkesës së këtij deputeti, me vendimin nr.29/2016, datë 14.04.2016, ka vendosur: “Dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të deputetit të zotit Rakip Suli”.
- Shumica, pasi ka çmuar se në rastin konkret është kërkuar konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, duke iu referuar paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës, si dhe neneve 21 dhe 24 të ligjit nr.9367/2005 (shih paragrafin nr.13 të vendimit të shumicës), ka vendosur rrëzimin e kërkesës. Sipas shumicës, bazuar në paragrafin 4 të nenit 70 të Kushtetutës dhe jurisprudencën kushtetuese, Gjykata ka juridiksion vetëm për rastet e vlerësimit të papajtueshmërisë me mandatin për shkelje të paragrafit 3 të nenit 70, kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre. Vetëm në lidhje me këtë ndalim kushtetutëbërësi ka parashikuar vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese, sipas paragrafit 4 të nenit 70, e cila në raste të tilla është organi që ka kompetencën për të shqyrtuar në themel çështjen. Për sa u takon rasteve të tjera të papajtueshmërisë, sipas paragrafit 2 të nenit 70 të Kushtetutës apo ligjeve tek të cilat ai referon, Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion për shqyrtimin e tyre (shih paragrafin nr.15 të vendimit të shumicës).
- Gjithashtu, shumica ka arritur në përfundimin se konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit është në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese vetëm në rastet e parashikuara nga neni 70/3 i Kushtetutës, kurse për të gjitha rastet e tjera legjislatori ka parashikuar vetë Kuvendin si institucionin i cili vendos për heqjen ose jo të mandatit të deputetit (shih paragrafin nr.18 të vendimit të shumicës).
- Në vlerësimin tonë një trajtim i tillë sipërfaqësor i problemit më thelbësor në këtë çështje, duke u kufizuar thjesht në interpretimin e nenit 70/3 të Kushtetutës, lë jashtë vëmendjes dispozitat e tjera kushtetuese dhe ligjore të lidhura me çështjen në shqyrtim për efekt të juridiksionit të kësaj Gjykate lidhur me papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të deputetit. Për shkak të diferencave parimore me shumicën në këtë çështje, e shohim me vend të shprehemi me mendim pakice.
- Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se parashikimi nga kushtetutëbërësi i rasteve të papajtueshmërive që lidhen me mandatin e deputetit përbën një garanci për respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, pavarësisë në ushtrimin e mandatit parlamentar, si dhe evitimin e konflikteve të interesave. Ndërsa sipas pikës 2 të nenit 70 Kushtetuta jonë ua ka deleguar ligjeve të posaçme rastet e papajtueshmërisë, në pikën 3 të kësaj dispozite ka preferuar të vendosë ndalimin në rang kushtetues dhe ta cilësojë si të papajtueshëm me funksionin e deputetit ushtrimin e aktivitetit fitimprurës prej tij, kur të ardhurat nga ky aktivitet burojnë nga buxheti i shtetit. Ky ndalim është i shprehur qartë dhe pa ekuivok nga kushtetutëbërësi, i cili ka pasur si qëllim eliminimin e plotë të shkaqeve për ta konsideruar funksionin e deputetit si një mundësi e mirë për të shtuar burimin e të ardhurave private nëpërmjet pozitës së favorshme që ka ai si anëtar i organit më të lartë përfaqësues (shih vendimin nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Në këtë drejtim, Gjykata është shprehur se ajo është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Kuvendit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën. Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese. Me fjalë të tjera, ndonëse verifikimi dhe vlerësimi i kritereve juridiko-formale të kërkesave të kësaj natyre është një çështje që i përket Kuvendit, vlerësimi i meritës së çështjes, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese (shih vendimin nr.7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjykata, gjithashtu, ka vlerësuar se pavarësisht se vihet në lëvizje në bazë të nenit 70/3 të Kushtetutës, kjo dispozitë nuk mund të lexohet e shkëputur nga përmbajtja e nenit 70 në tërësinë e tij, i cili edhe pse në thelb ka për qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike, për sa u takon rregullave, mjeteve, mënyrave, procedurave, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, deklarimin, regjistrimin, trajtimin, zgjidhjen dhe dënimin e rasteve të konfliktit të interesit, referon te ligji nr.9367/2005, sipas të cilit: “Deputeti: a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme…” (neni 28). Përveç ndalimeve të sipërcituara, ky ligj ka parashikuar edhe mënyrat bazë të trajtimit dhe të zgjidhjes së konfliktit të interesit. Gjykata thekson se ndonëse nuk i takon asaj të përcaktojë apo të orientojë se cilat janë masat apo veprimet konkrete që duhet të ndërmerren nga deputetët përpara marrjes së detyrës, me qëllim shmangien e situatave të papajtueshmërisë në të ardhmen, ajo e sheh me vend të theksojë se është detyrë e këtyre të fundit, që në përputhje me të gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor në fuqi, të marrin masat e duhura për të plotësuar detyrimet që rrjedhin me rastin e marrjes së mandatit parlamentar (shih vendimin nr.32, datë 03.06.2016 të Gjykatës Kushtetuese).
- Bazuar në këtë jurisprudencë të Gjykatës Kushtetuese mendojmë se shqyrtimi i problemit të juridiksionit të Gjykatës për çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit sipas nenit 70/2 dhe 70/3 të Kushtetutës, duhet bërë në funksion të analizës në tërësi të dispozitave që kanë lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Konkretisht, neni 131/e i Kushtetutës çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë me mandatin e deputetit i ka parashikuar në kompetencat që i janë dhënë Gjykatës Kushtetuese pa bërë asnjë dallim apo përjashtim. Duke shkuar më tej, edhe neni 71/2/c i Kushtetutës, që trajton rastet e mbarimit apo të pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, referon në rastet e papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 70/2 dhe 70/3, pa bërë asnjë dallim midis tyre.
- Në mbështetje të kësaj fryme të Kushtetutës të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ligjvënësi në ligjin nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” (para hyrjes në fuqi të ndryshimeve të fundit të bëra me ligjin nr. 99/2016). Kështu, në nenin 66/3 të tij lidhur me përcaktimin e procedurës për shqyrtimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të deputetit nga ana e kësaj Gjykate, thuhet shprehimisht se kërkesa për papajtueshmëri mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese nga Kuvendi për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, pa bërë ndonjë dallim në llojin e papajtueshmërisë.
- Nëse ad absurdum do të pranohej përfundimi i shumicës se me përjashtim të rastit të parashikuar në nenin 70/3 të Kushtetutës, për të gjitha rastet e tjera është Kuvendi institucioni i cili vendos për heqjen ose jo të mandatit të deputetit, ky i fundit në rregulloren e tij do të kishte parashikuar edhe procedurat përkatëse që duheshin ndjekur (sikurse ka vepruar për të gjitha rastet e tjera në kompetencë të tij). Përkundrazi, në rregulloren e Kuvendit nuk gjendet asnjë dispozitë lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit. Vetëm në nenin 13 të saj ka disa rregulla të përgjithshme që trajtojnë kompetencat e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
- Për më tepër, jemi të mendimit se ky ometim (nëse do të konsiderohej i tillë) i rregullores së Kuvendit nuk plotësohet as nga Kodi Zgjedhor. Në nenin 164 të tij Kodi Zgjedhor trajton vetëm procedurën për ndërprerjen e mandatit të deputetit dhe zëvendësimin e vakancës, duke ju referuar nenit 71 të Kushtetutës. Ndërkohë, asnjë dispozitë tjetër e Kodit nuk shprehet për këtë çështje.
- Edhe nga një vështrim i përgjithshëm krahasimor me disa nga vendet europiane, por edhe më gjerë evidentohet se ekzistojnë dy modele kryesore. Në disa vende (Austria, Portugalia, Republika Çeke, Italia, Franca dhe Holanda) është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese shqyrtimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit. Në këto vende Gjykata kontrollon papajtueshmërinë bazuar në Kushtetutë dhe ligje të veçanta. Nisur edhe nga fakti se karakteristika kryesore e normave kushtetuese është karakteri i tyre abstrakt dhe përgjithësues, rastet konkrete të papajtueshmërisë parashikohen me ligj. Ndërsa në modelin e dytë përfshihen ato vende (Spanja, Sllovenia, Luksemburgu, Kroacia, Gjermania, Moldavia dhe Rumania) në të cilat Gjykata nuk ka kompetenca për shqyrtimin e rasteve të papajtueshmërisë së mandatit të deputetit dhe organi kompetent për të vendosur mbi mandatin e deputeti zakonisht është një komision i posaçëm brenda organit legjislativ, Parlamentit. Vendi ynë ka zgjedhur t’i bashkohet grupit të parë.
- Si përfundim, mendojmë se çështjet që lidhen me papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të deputetit, pavarësisht nga lloji i papajtueshmërisë, janë në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Nëse qëllimi i kushtetutëbërësit do të ishte që kompetenca e kësaj Gjykate të kufizohej vetëm në rastet e parashikuara nga neni 70/3, sikurse arsyeton shumica, organi kompetent për shqyrtimin e rasteve të tjera duhet të ishte gjithashtu i parashikuar nga Kushtetuta ose nga ligje të tjera të cilave ajo do t’ua delegonte. Përderisa nuk ekziston asnjë dispozitë tjetër kushtetuese (përveç nenit 131/e që kompetencën ia ka dhënë Gjykatës Kushtetuese) dhe/ose ligjore që t’i njohë ndonjë organi tjetër këtë kompetencë, mendojmë se vendimmarrja e shumicës i bie ndesh vullnetit të kushtetutëbërësit.
Anëtarë: Gani Dizdari, Vitore Tusha, Vladimir Kristo
[1] Gjyqtari Sokol Berberi është shprehur pro vendimit të shumicës për rrëzimin e kërkesës, por me mendim paralel.