Njësia administrative e Melanit dhe fshatrat e tij ishin ndalesa e rradhës e kandidatit të së majtës për Bashkinë e Dibrës z.Muharem Rama. Edhe në këtë takim, kandidati shoqërohej prej kordinatorit të Kryesisë së Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës z.Damian Gjiknuri.
Në këtë zonë, Rama premtoi përfundimin e rrugës në fshatin Pjekë, rregullimin e qendrës shëndetësore me një projekt izraelit ashtu sikurse rikonstruksionin e shkollës.
“Do të sistemojmë kanalet vaditëse dhe ato të ujërave të zeza. Do të zgjidhim problemin e transportit të fëmijëve të shkollës 8 vjeçare duke vendosur një mjet lëvizjeje për fshatrat. Do të bëjmë lidhjen e rrjetit infrastrukturor. Do të sistemojmë rrugën e Ilnicës, duke pasur edhe prioritet turizmin malor dhe zbutjen e varfërisë në atë zonë. Në mbështetje në zhvillimit të bujqësisë do të ngrejmë një pikë për grumbullimin e frutave. Këto janë premtime të vogla. Por më mirë tju japim premtime të vogla dhe ti realizojmë”, theksoi kandidati Rama.
Kordinatori i Kryesisë së PS-së për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri deklaroi se përtej fjalëve boshe e premtimeve të mëdha të kandidatit kundërshtar të Ramës, nuk duhet harruar se Bashkia është dera e parë ku trokasin njerëzit.
“Për politikë mund të bëjë kushdo këtu, por në fund të fundit, nesër derën ku do të trokisni keni bashkinë se aty janë hallet e përditshme. Aty janë problemet që keni qoftë për problemet e bujqësisë, infrastrukturës, shkollat e kopshtet. Imagjinoni një kryetar të PD, si do ti zgjidhë ai këto probleme pa mbështetjen e qeverisë?! Qeveria ka filluar ta mbështesë Dibrën, disa investime janë realizuar e të tjera do të vijnë. Fitorja e Remit është një garanci më shumë që të gjitha premtimet të bëhen realitet”, insistoi Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri tha se e majta ka një koalicion shumë të gjërë e mbështetje popullore çka e tregoi dhe mitingu i së martës. “Edhe mesazhet ishin të qarta. Nuk ka përçarje. Zgjedhja është shumë e thjeshtë, numri 1 në fletën e votimit”, u shpreh Gjiknuri. /r.a










