Gjermania po vlerëson mundësinë për t’u bashkuar me projektin Gcap, avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë që po zhvillohet nga Italia, Britania e Madhe dhe Japonia. Sinjali ka dalë gjatë takimit mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, i zhvilluar në Villa Pamphili në Romë.
Sipas burimeve të nivelit të lartë italiane dhe gjermane, Merz ka pyetur drejtpërdrejt se si do ta shihte Roma një përfshirje të mundshme të Gjermanisë në projektin Gcap. Nga Meloni nuk ka pasur kundërshtime apo refuzim, por gatishmëri për bashkëpunim.
Gcap konsiderohet projekti më i rëndësishëm ushtarak që po zhvillohet aktualisht në Europë. Ai përshkruhet si një “sistem sistemesh”, ku avioni luftarak do të integrohet me dronë, satelitë dhe të ashtuquajturin combat cloud, duke krijuar një platformë ajrore me teknologji shumë të avancuar.
Projekti Gcap, një bashkëpunim mes Leonardo-s italiane, BAE Systems britanike dhe Mitsubishi-t japoneze, është konkurrenti direkt i projektit Fcas, i mbështetur fort nga Franca dhe Gjermania rreth dhjetë vite më parë. Fcas synonte të ishte kampioni europian kundër dominimit amerikan, por sipas shumë analizave, projekti është pranë dështimit.
Gjatë samitit ndërqeveritar në Romë, ku Meloni deklaroi se Italia dhe Gjermania “nuk kanë qenë kurrë kaq afër”, Gcap u përshkrua nga një pjesëmarrës si “elefanti në dhomë”. Publikisht, megjithatë, nuk u tha asnjë fjalë.
Kriza e Fcas dhe roli i Parisit
Fcas u krijua në vitin 2017 nga konsorciumi Dassault–Airbus, të cilit në vitin 2021 iu bashkua edhe kompania spanjolle Indra. Që nga fillimi, projekti është shoqëruar nga përplasje për ndarjen e punës, nënkontraktimet dhe proceset vendimmarrëse.
Së fundmi, drejtori ekzekutiv i Airbus, Michael Schoellhorn, deklaroi se qasja e Dassault “nuk i përshtatet një projekti bashkëpunimi europian”, duke sugjeruar ndarjen e rrugëve. Nga ana tjetër, grupi francez Dassault, që prodhon avionët Rafale, është i bindur se ka kapacitetin të vazhdojë i vetëm.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se Berlini duhet “ta mbyllë siç duhet” këtë kapitull me Parisin, në një moment tashmë të vështirë për shkak të divergjencave në shumë dosje të tjera.
Sipas mediave gjermane, Merz u ka bërë të ditur ministrave të tij se nuk do të ketë një avion luftarak të përbashkët franko-gjerman, por “dy avionë të ndryshëm”.
Çështja e fondeve dhe interesat italiane
Për Italinë, Gcap është edhe një çështje financimi. Sipas një dekreti të janarit 2026, kostoja e projektit është rritur nga 6 miliardë euro në rreth 18,6 miliardë euro, për shkak të rritjes së shpenzimeve. Një pjesë e fondeve është siguruar, por mbi 7,8 miliardë euro ende mungojnë.
Hyrja e një partneri të ri si Gjermania do të ndihmonte në përballimin e këtyre kostove dhe do të ulte çmimin për njësi, nëse Berlini do të porosiste dhjetëra apo qindra avionë.
Nga ana tjetër, në Romë shtrohet pyetja se çfarë do të kërkojë Italia në këmbim. Në dokumentet e samitit përmendet mundësia e bashkëpunimit për një platformë tokësore të re (e lidhur me tanket), por ka interes edhe për sektorin detar, ku përmendet Fincantieri, si dhe për satelitët.
Fjala e fundit i takon Londrës
Vendimi përfundimtar, megjithatë, i takon Britanisë së Madhe. Selia e Gcap ndodhet në Redding, në territorin e BAE Systems. Londra kërkon të marrë pjesë në blerjet e përbashkëta europiane të armëve dhe të ketë akses në fondin europian Safe, por deri tani është refuzuar.
Situata ndërlikohet edhe nga dëshira e britanikëve për të përfshirë Arabinë Saudite në projekt. Një lojë delikate balancash, që është pjesë e ridizajnimit më të madh të mbrojtjes europiane në dekada dhe që do të kërkojë diplomaci, ambicie dhe aftësi të lartë politike.











