Nga Agron Gjekmarkaj
Të vret pijaneci, të vret krimineli, të vret i droguari, të vret adoleshenti i përkëdhelur, të vret syshkelja e segmenteve të korruptuara të policisë, të vret mungesa e standardeve në rrugë, fakte këto që e kanë shndërruar jetën e qytetarit në vlerë relative, ndërsa rastësinë e fatin në absolute
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar kolegë,
Ka momente kur një vend nuk bllokohet vetëm nga trafiku, edhe pse ai e karakterizon Shqipërinë si trajektore milingonash!
Bllokohet nga korrupsioni, bllokohet nga paaftësia, bllokohet nga klientelizmi, bllokohet nga deliret! Reja e hutimit bie mbi të gjithë nga zhurma, llakërdia që shet ëndrra luksi mbi një realitet shuarjeje.
Sot Shqipëria është një vend i bllokuar.
I bllokuar në rrotacion politik! I bllokuar në rrugët që fillojnë e nuk mbarojnë kurrë, i bllokuar nga çmimi i naftës, i bllokuar nga mungesa e sigurisë së udhëtimit!
Të vret pijaneci, të vret krimineli, të vret i droguari, të vret adoleshenti i përkëdhelur, të vret syshkelja e segmenteve të korruptuara të policisë, të vret mungesa e standardeve në rrugë, fakte këto që e kanë shndërruar jetën e qytetarit në vlerë relative, ndërsa rastësinë e fatin në absolute!
Shqipëria është një vend i bllokuar në ekonomi, ku mungojnë shanset e barabarta për biznesin; shanset ekzistojnë vetëm për klientët e qeverisë!
Shqipëria është një vend i bllokuar në drejtësi, e cila përdoret kundër lidershipit të opozitës, por bllokohet me fuqinë e kartonit kur ajo tenton të veprojë ndaj qeverisë!
Shqipëria është një vend i bllokuar nga mashtrimet e përditshme të një qeverie që nuk ndërton prioritete kombëtare, por monumente propagande dhe sulmon të vërtetën me çdo instrument dhe me korin e bretkocave!
Shikoni absurdin ku kemi mbërritur.
Në një kohë krize, pas bllokimit të Hormuzit, çmimet e naftës, energjisë dhe jetesës janë rritur prej saj, por kudo janë më të ulëta e po kaq të rimbursueshme nga qeveritë e ndryshme; qytetarët shqiptarë paguajnë ndër karburantet më të shtrenjta në rajon me pagat më të ulëta në kontinent, paguajnë më shtrenjtë se Kosova, më shtrenjtë se Maqedonia, më shtrenjtë se Mali i Zi!
Nafta në Shqipëri është çështje monopoli! Dordolecët abuzojnë me Hormuzin!
Bash në këtë moment, kjo qeveri, e cila ua ka mbyllur gojën artistëve shqiptarë, duke i lënë të vetmuar në margjinat e mbijetesës, ku shumë prej tyre gjallojnë vetëm me dasma, mendon të ndërtojë një stadium të përkohshëm 50 milionë eurosh për një këngëtar që vjen nga Amerika, i cili shquhet për predikimet e tij kundër hebrenjve, i ndaluar në shumë vende të botës!
Pesëdhjetë milionë euro!
Një çmenduri, por në vendin tonë çmenduritë vijnë nga pasioni që pushtetarët kanë për korrupsionin! Ai i bën ata të guximshëm, fantazistë, atletë, edepsëzë të pakonkurrueshëm!
Do të ishte shumë më mirë të na këndonte këtu në sallë ministri Gonxhe; do na binte shumë më lirë e mbase na argëtonte më shumë me sfumaturat e zërit të tij virtuoz!
Në një vend ku rrugët kombëtare janë plagë të hapura. Në një vend ku veriu trajtohet si periferi elektorale. Në një vend ku shqiptarët e Veriut e ata të Kosovës presin me orë të tëra në ferrin e trafikut çdo sezon turistik, siç është aksi i tmerrshëm Milot–Balldren! Le t’u kujtojmë se paguajnë dy herë traun!
Po ama 50 milionë jepen për spektakël. Për alegri qeveritare. Për një tjetër histori që nesër mund të dalë histori korrupsioni.
Por problemi nuk është vetëm stadiumi.
Problemi është filozofia e kësaj qeverie: gjithçka që prodhon iluzione ka prioritet; gjithçka që i shërben qytetarit shtyhet pafund.
Rruga Milot–Balldren.
Prej vitesh dëgjojmë të njëjtën fjali:
“Për dy javë hapet tenderi.”
“Për pak ditë nis puna.”
“Shumë shpejt fillon projekti.”
Së fundi, këto fjali magjike i shqiptoi me një lehtësi të papërballueshme të qenies së tij politike edhe ministri Karakaçi!
Dhe çfarë kemi marrë ndër vite?
Fjalë që i merr era dhe një bllokim torturues.
Këta e kanë desemantizuar gjuhën shqipe, e kanë zhveshur atë nga kumti, nga thelbi, nga aftësia komunikuese!
Ndërkohë, kostoja?
374 milionë euro për vetëm 17 kilometra rrugë!
Një shifër që në çdo vend normal europian do të shkaktonte hetim parlamentar, revoltë publike dhe dorëheqje qeveritare.
Këtu paraqitet si sukses.
Kjo nuk është infrastrukturë europiane.
Kjo është ekonomia e korrupsionit.
Sepse korrupsioni nuk vjedh vetëm para.
Korrupsioni vjedh kohë. Vjedh zhvillim. Vjedh jetë njerëzish dhe të vendos traun e tretë në veri!
Sa familje kanë humbur orë të tëra në trafik? Tani deri në terror është e pamundur të udhëtosh për në Lezhë, Shëngjin apo Shkodër; një kalvar i vërtetë! Një fyerje e pamerituar!
Sa turistë largohen të zhgënjyer?
Sa biznese humbasin?
Sa aksidente ndodhin në rrugë të papërfunduara?
Shqipëria sot nuk ka vetëm rrugë që zgjasin me vite. Ka edhe rrugë që nuk bëhen kurrë.
Nuk shkon dot në veri se mbetesh në Milot!
Nuk shkon dot në Korçë, sepse bllokohesh në aksin e Elbasanit apo në Qafë-Plloçë!
Nuk shkon dot në Vlorë, sepse për 6 kilometra në hyrje të Durrësit duhen dy vite punime.
Dy vite për 6 kilometra!
Kjo është metafora perfekte e kësaj qeverie: shumë zhurmë, shumë tabela, shumë dronë propagande… dhe pak Shqipëri reale.
Veriu diskriminohet prej vitesh.
Kosovarët trajtohen si turistë sezonalë që duhen duruar, jo si vëllezër që lidhin ekonominë dhe kombin shqiptar. Korridori kryesor europian i veriut vazhdon të mbetet peng i vonesave, interesave dhe aferave. Kjo ndodh pas 14 vitesh qeverisje socialiste! Socializmi juaj është shakaja më e madhe e kohërave moderne! “Shakaxhinj të Përparimit”, do na kujtonte prelati e poeti Noli!
Filozofi francez Montesquieu shkruante se:
“Kur korrupsioni hyn në qeveri, ligjet bëhen dekor dhe pasuria publike bëhet plaçkë.”
Këtu miratohen ligje me ritëm fabrike që pakush e merr vesh çfarë janë, por një Shqipëri që kafshohet shihet nga toka, deti e ajri; një Shqipëri që shemtohet nga vdekja urbane është bërë pjesë e jetës sonë! Tirana të ofron vetëm kulla, ajër të ndotur, kafe e llafe, do thoshte Fishta!
Dhe pikërisht këtë po jetojmë sot.
Një shtet ku projekti nuk matet me dobinë publike, por me fitimin privat.
Një shtet ku kilometri i rrugës kushton si tunel alpin europian, por përfundon si koncept mitologjik i Kalebdave greke.
Një shtet ku qytetari paguan gjithmonë tri herë: një herë me taksa, një herë me kohën e humbur dhe një herë tjetër me cilësinë e keqe të çdo shërbimi!
Por historia ka treguar diçka tjetër:
Asnjë qeveri e korruptuar nuk është e përjetshme.
Sepse ekziston një forcë më e madhe se propaganda.Më e madhe se paratë.
Më e madhe se arroganca e pushtetit.
Është forca e qytetarëve që nuk pranojnë më të heshtin.
Vaclav Havel thoshte:
“Fuqia e të pafuqishmëve lind kur njerëzit refuzojnë të jetojnë në gënjeshtër.”
Dhe protesta pikërisht këtë bën.
Protesta është momenti kur qytetari i zakonshëm i thotë pushtetit:
“Nuk keni të drejtë të talleni më me ne.”
Ndaj protesta nuk është problem.
Protesta është shenjë shprese.
Vetëm vendet e vdekura nuk protestojnë.
Vetëm shoqëritë që kanë humbur besimin nuk reagojnë më.
Kur protestohet, do të thotë se ende ekziston ndërgjegjja qytetare.
Kur protestohet, do të thotë se ende ekziston besimi se Shqipëria mund të bëhet më mirë.
Kur protestohet, do të thotë se qytetarët nuk duan të jenë viktima e spektatorë të korrupsionit.
Dhe sot shqiptarët kanë të drejtë të zemërohen. Skalionet e të zemëruarve po rriten çdo ditë!
Sepse nuk kërkojnë luks.
Kërkojnë drejtësi normale.
Zgjedhje normale.
Kërkojnë rrugë normale.
Kërkojnë shtet normal, që taksat e tyre mos të pasurojnë klientët e qeverisë, por të jenë dobi publike! Ata kërkojnë ekonomi që i mban bijtë e bijat e tyre këtu dhe nuk i shndërron në shtegtarë pa atdhe!
Kërkojnë një Shqipëri ku prioritet është qytetari, jo kryeministri. Ky vend nuk ka nevojë për stadiume propagande.
Ka nevojë për rrugë që bashkojnë shqiptarët.
Ka nevojë për investime që zhvillojnë ekonominë.
Ka nevojë për një qeveri që mat suksesin me jetën e njerëzve, jo me videot në rrjetet sociale. Ky vend ka nevojë për institucione që respektojnë opozitën dhe që nuk e burgosin atë!
Dhe deri atëherë, protesta mbetet rruga e vetme morale. Sepse aty ku protestohet, ka ende shpresë. Aty ku qytetarët ngrihen, demokracia ende merr frymë.Aty ku njerëzit refuzojnë të nënshtrohen, Shqipëria ende nuk është dorëzuar.











