Reshjet e borës kanë vijuar edhe gjatë natës në jug të vendit, ndërsa në Sarandë kanë arritur trashësinë prej 10 centimetrash.
Në këto ditë shumë të ftohta dhe të rralla për klimën e Sarandës, qyteti po përballet me problemet për pastrimin e rrugëve, pasi Bashkia nuk ka një shërbim borëpastrues, ndaj autobotë të bashkisë pastrojnë rrugët me ujë deti. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në Sarandë, edhe rrugët e brendshme janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Për shkak të borës, Qafa e Muzinës kalohet me vështirësi. Situata është e ngjashme në Gjirokastër, ku qarkullimi me mjete në lagjet e sipërme është i pamundur. Aksi nacional Gjirokastër-Sarandë, në Qafën e Muzinës, është pothuajse i pakalueshëm për mjetet e vogla.
Zona e Zagories dhe Pogonit janë aktualisht të izoluara. Edhe Tepelena është mbuluar nga bora. Rrugët e brendshme pothuajse janë të pakalueshme për mjetet. Edhe aksi nacional Përmet-Ersekë është i bllokuar dhe nuk funksionon dogana e pikës kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën. 11 fshatra të njësisë Frashër janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm.
Ndërkohë bordi i emergjencave në Bashki, i kryesuar nga Kryetarja Florjana Koka, nga komunikimi me familjet në nevojë, pasi u njoh me kërkesat, ka nisur plotësimin e tyre. Një paketë ndihme në ushqime, ujë, batanije dhe dru zjarri për ngrohje, u është ofruar 71 familjeve që jetojne në kushte të veshtira në disa zona banimi në qytetin e Sarandës, Ksamilit etj.
Kjo është një paketë ndihme emergjence, që lehtëson kapërcimim e kushteve të vështira nga moti i ftohtë nga 71 familjet në nevojë”, u shpreh Robert Piro, zvKryetar i Bashkisë së Sarandës./ATSH