Të pamëshirshme janë të gjitha shtetet me refugjatët nga Afrika, Siria, Iraku e Afganistani. Për t’i ndaluar, dikush ndërton rrethime, mure ndërsa maqedonasit bëjnë ligje. Në Serbi marrin dokumente dhe duan të kalojnë. Secili shtet shpreson që ndalesa e ardhshme e refugjatëve të mos jetë vendi i tyre. Një katastrofë humanitare, pa përgjigje.
“E vetmja zgjidhje ishte ikja, nuk kemi ku të shkojmë dhe donim të vinim në Europë për një vend të sigurt. Kemi bërë rrugë të gjatë për të ardhur në Serbi, pjesa më e madhe e rrugëtimit ka qenë e vështirë duke u nisur që nga deti”, është shprehur një refugjat nga Siria.
Por, fatin e tij e kanë shumë që po arrijnë në Preshevë çdo natë. Pas miratimit të një ligji në Maqedoni, ata ikin dhe presin prapë për dokumente. Nga një shkurre, në tjetrën.
Hungaria gjithnjë e më shumë kërcënon me mbyllje me gardh të lartë katër metra të kufirit, ndërsa Serbia nuk ka mundësi të pranojë një numër të madh të refugjatëve, të cilët shtohen çdo ditë e më tepër.
“Ne jemi një shtet i vogël dhe jo shumë i pasur. Andaj i jemi drejtuar Komisionit Europian dhe UNHCR-së sepse kemi nevojë për ndihma në ushqim, ujë, ilaçe, makina, kamera termovizive për të mbrojtur kufirin dhe shumë gjëra të tjera”, ka deklaruar ministri serb për Çështje Sociale, Aleksander Vulin.
Aktivistët që nuk mund t’i ndihmojnë thonë se i shohin çdo ditë, por për ta ka vetëm fleta të bardha me të dhëna personale që konfirmojnë ekzistencën.
“Askush nuk ka zgjidhje dhe në Europën e lirive për këta njerëz nuk vlenë asnjë konventë. Në shtëpi kanë luftë, ata që zakonisht bëjnë paqe heshtin”, u shpreh Valon Arifi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.