Flet kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo: Në 3 vite, në Amerikë regjistrohen 22 aplikime
Të birësuarit të një apo më shumë fëmijëve për realitetin shqiptar është konsideruar vazhdimisht si “histori luksi”. Por, vitet e fundit koncepti për të adaptuar një fëmijë të braktisur ligjërisht nga prindërit biologjikë, ka ndryshuar gati gati në përmasa të paparashikuara, nëse kujtojmë mendësinë dhe praktikat patriarkale të shoqërisë shqiptare, të trashëguar prej brezash. Këtë e faktojnë të dhënat dhe shifrat konkrete, që kryetari i Komitetit Shqiptar të Birësimit, Genci Terpo, bën publike në një intervistë për gazetën Shqip, sipas të cilit numri i shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që kërkojnë të birësojnë fëmijë sa vjen e rritet. Kreu i Komitetit Shqiptar të Birësimit na njeh edhe me një fenomen të ri, atë të birësimit të fëmijëve me probleme shëndetësore nga prindër të huaj, të cilët sipas tij e kanë edhe më të lehtë për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale, në krahasim me çiftet shqiptare. “Gjatë tre viteve të fundit pa lënë mënjanë edhe këtë vit ka pasur disa birësime të suksesshme për disa fëmijë me sindromën Dawn, të dy fëmijëve me virusin e HIV-AIDS të disa fëmijëve me prapambetje të thellë institucionale, të fëmijëve me problem fizike apo me probleme të tjera të rënda shëndetësore për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale”, shprehet Terpo.
Si paraqitet situata e birësimeve në vendin tonë?
Birësimet në Republikën e Shqipërisë vazhdojnë të ruajnë ritme në normalitet me qëllimin kryesor që të gjendet një familje për çdo fëmijë të deklaruar të braktisur. Qëllimi i punës së institucionit të Komitetit Shqiptar të Birësimeve është mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës përmes procesit të birësimit kur dështon mundësia për të rivendosur fëmijën pranë familjes biologjike apo pranë familjes së madhe kujdestare
A birësojnë shqiptarët? Për çfarë arsyesh, kryesisht?
Natyrisht që shqiptarët birësojnë fëmijë dhe numri i aplikimeve vazhdon të jetë gjithnjë e më i konsiderueshëm megjithëse numri i fëmijëve të deklaruar të braktisur është gjithnjë edhe më i vogël. Arsyet që aplikantët kërkojnë të birësojnë fëmijë janë të lidhura përgjithësisht me dëshirën e tyre për të përjetuar ngrohtësinë që sjell në familje ardhja e një fëmije. Pikërisht ndjenja që përjeton familja nga ardhja e fëmijës është e tillë që nuk zëvendësohet me asnjë formë tjetër dhe paralelisht marrëdhënia që krijohet nga ekzistenca e fëmijës brenda familjes passjell një situatë mjaft pozitive ndërveprimi mes çifteve apo aplikantëve që birësojnë. Në vetvete personat që ndërmarrin iniciativën për të birësuar fëmijë janë të bindur që marrëdhënia e tyre pa pasur një fëmijë humb shumë ndjesi që përjetohen vetëm me anë të ushtrimit të ndjenjave pozitive të përkujdesjes, dashurisë dhe dëshirës së madhe për të kontribuar në mirërritjen dhe edukimin e fëmijës. Janë pikërisht prindërit ata që gjejnë pasqyrimin e vetvetes pikërisht pranë fëmijëve të tyre dhe dëshira për të edukuar fëmijët dhe për të ofruar çdo mundësi për ta është një ndër ndjenjat më sublime që e karakterizon qenien njerëzore.
A tregon kjo një mentalitetet të ndryshuar në Shqipëri?
Sigurisht që mentaliteti ka ndryshuar shumë. Në qoftë se flasim për vite më parë, shqiptarët e konsideronin shumë problem faktin e birësimit të fëmijës sidomos për shkak të reagimit të familjeve të tyre apo edhe të ndikuar nga komuniteti që i rrethonte. Edhe ata që birësonin fëmijë në mjaft raste shpërnguleshin nga vendbanimi i tyre për tu rikthyer më vonë në mënyrë që komuniteti të mos kishte dijeni për birësimin e fëmijës. Madje tendenca e prindërve birësues ishte e tillë që të merrnin çdo lloj mase që fëmija të mos ishte kurrë në dijeni të birësimit sepse mendonin që kjo e vërtetë mund të ndikonte negativisht në marrëdhënien që do të krijonte më pas fëmija i birësuar me familjen.
Çfarë ka ndikuar, në gjykimin tuaj?
Shqiptarët patën mundësi të njiheshin me kulturën, zakonet dhe normat e vendeve të zhvilluara dhe natyrisht përqasja me praktikat e mira ndikoi mjaft dukshëm në mentalitetin që karakterizonte shoqërinë tonë. Mundësia për të lëvizur qoftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por edhe më shumë jashtë saj bëri të mundur edhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies brenda familjes, emancipim dhe ndenjën për të punuar gjithnjë e më shumë me objektivin e krijimit të të mirave materiale dhe komoditeteve për gjithësecilin dhe më shumë akoma për familjen dhe fëmijët. Zgjerimi i mundësive solli edhe dëshirën dhe dashurinë për të ngritur dhe forcuar familjen edhe përmes procesit të birësimit për aplikantët që nuk kishin fëmijë.
Si ka ndryshuar raporti i birësimeve vit pas viti?
Raporti i birësimeve vit pas viti është i lidhur ngushtësisht me numrin e fëmijëve të deklaruar të braktisur dhe pa përkujdesje nga familja biologjike. Natyrisht ky raport ndryshon në çdo kohë sepse nuk ka asnjë herë një numër të njëjtë fëmijësh të deklaruar të braktisur për periudha të caktuara. Në vitin 2013 janë realizuar në mënyrë të suksesshme 47 birësime. Në vitin 2014 janë realizuar 68 birësime. Në vitin 2015 janë realizuar në mënyrë të suksesshme 54 birësime, ndërsa për 6 muajt e vitit 2016 kemi realizuar rreth 25 birësime. Pra, e thënë ndryshe të gjithë fëmijët e deklaruar të braktisur prej vitit 2013 e në vijim janë birësuar dhe sot që flasim jemi të kënaqur sepse aktualisht nuk kemi fëmijë të deklaruar të braktisur pa familje. Pra, misioni që ka KSHB për të gjetur një familje për çdo fëmijë qoftë edhe me nevoja speciale është i realizuar me efiçencë të plotë.
Thuhet se numrin më të madh të prindërve birësues e përbëjnë shtetasit e huaj? Çfarë duhet të kuptojmë nga ky tregues?
Aktualisht numri i aplikimeve që vijnë nga shtetet e tjera është paksa më i madh se aplikimet nga shqiptarët brenda vendit për faktin se mundësitë për të birësuar fëmijë brenda vendit të tyre janë shumë të vogla ose të papërfillshme. Nga ana tjetër pjesa më e madhe e vendeve që konsideroheshin si vende origjine për fëmijët po i mbyllin mundësitë për shtetasit e huaj që të birësojnë fëmijë. Kjo ka sjellë një situatë të tillë që shtetet e tjera pritëse kërkojnë të krijojnë marrëdhënie mundësisht me çdo shtet origjine për të bashkëpunuar në fushën e birësimit ndërvendas. Edhe në rastin konkret megjithëse Shqipëria është një vend që ka një numër të vogël birësimesh sepse ka shumë pak fëmijë të deklaruar të braktisur në raport me vendet e tjera sërish ka interesim nga shumë shtete për të zhvilluar bashkëpunim në këtë drejtim.
Sa birësime regjistrohen nga emigrantët shqiptarë që jetojnë në Amerikë? Po nga vetë Amerikanët?
Aktualisht janë 8 aplikime nga çifte që jetojnë në SHBA dhe vetëm një prej tyre është çift shqiptar ku katër prej çifteve në pritje janë në përfundim të procedurës së birësimit. Pra, aktualisht janë 4 çifte në pritje. Në tre vitet e fundit janë realizuar 18 birësime me SHBA-në dhe besoj në dy muajt në vijim do të finalizojmë edhe 4 birësimet që folëm më sipër të cilat janë nën efektin e përfundimit të procedurave nga pala amerikane, ndërkohë që jemi në pritje edhe të pranimit nga ana e dy çifteve amerikane të dy propozimeve që u janë paraqitur pak kohë më parë. Pra ka pasur rreth 22 aplikime në këto 3 vite (2013-2015) përfshirë edhe 3 aplikime që kanë ardhur në vitin 2016, ku 4 prej çifteve në këto periudha kanë qenë shqiptare.
Cilat nacionalitete janë, kryesisht, më të interesuara në këtë drejtim?
Nacionalitetet më të interesuara janë italianët, amerikanët, kanadezët, francezët, maltezët, grekët, gjermanët por ka edhe raste sporadike nga shtete të tjera.
Është e vërtetë që ka prindër që birësojnë edhe fëmijë me probleme shëndetësore?
Është shumë e vërtetë madje kjo është edhe një ndër pikat kryesore të suksesit në punën e Komitetit Shqiptar të Birësimeve.
Gjatë tre viteve të fundit pa lënë mënjanë edhe këtë vit ka pasur disa birësime të suksesshme për disa fëmijë me sindromën Daën, të dy fëmijëve me virusin e Hiv-Aids të disa fëmijëve me prapambetje të thellë institucionale, të fëmijëve me problem fizike apo me probleme të tjera të rënda shëndetësore të cilët falë punës së KSHB-së janë arritur të birësohen dhe ecuria e tyre tashmë është në një stad mjaft të mirë duke qenë se familjet birësuese japin maksimumin njësoj sikur të ishin familjet biologjike. Madje dua të përgëzoj punën e bërë nga agjencia ndërmjetësuese amerikane Bethany Christian Service dhe Nightlight Christian Adoptions në këtë drejtim të cilët janë faktorët kryesorë në gjetjen e familjeve amerikane për të birësuar fëmijët me nevoja speciale.
Si është e mundur që prindërit biologjikë, në një pjesë të rasteve, i braktisin për këto arsye, ndërsa shtetasit e huaj kërkojnë të bëhen prindërit e tyre?
Kjo ndodh sepse mundësitë e çifteve shqiptare për të garantuar mirërritje dhe edukim të fëmijëve me nevoja speciale është më e vogël krahasimisht me mundësitë që disponojnë shtetasit e huaj në vendet e tyre.
Sa i kushton birësimi një familje shqiptare? Pse për çiftet evropiane apo përtej këtij kontinenti kjo tarifë është më e shtrenjtë?
Birësimi për një familje shqiptare kur flasim për birësimin brenda vendit ka një kosto shumë simbolike dhe në përfundim të procesit birësuesit derdhin 20 mijë lekë pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Shtetasit jashtë kontinenit europian në përfundim të procesit të birësimit në Shqipëri derdhin 1000 dollarë pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Shtetasit brenda kontinentit europian në përfundim të procesit të birësimit në Shqipëri derdhin 700 Euro pranë llogarisë së KSHB në buxhetin e shtetit. Po të shikoni shifra që paguajnë shtetasit europianë dhe shtetasit jashtë kontinentit të Europës është pak a shumë e njëjtë përsa i përket detyrimeve që kanë në shtetin shqiptar. Megjithatë lidhur me detyrimet që shtetasit e huaj kanë me shtete e tyre për të filluar një procedurë birësimi natyrisht që ka shumë diferencë sepse procedura e tyre ka pagesa mjaft të larta në ato shtete.
Sa kohë duhet të presësh për ta bërë një fëmijë tëndin?
Kjo është një pyetje që asnjëherë nuk ka një përgjigje të prerë lidhur me afatet. Që të birësosh fëmijë është e rëndësishme që të ketë fëmijë të deklaruar të braktisur të gatshëm për tu birësuar.
Pra, koha lidhet detyrimisht me ekzistencën e rasteve për birësim. Para disa vitesh çiftet e huaja prisnin rreth 3 vjet si një afat minimal ndërsa tashmë afati mesatar i pritjes zgjat rreth 2 vjet, por ka të bëjë shumë me faktin e pasjes së fëmijëve të deklaruar të braktisur dhe në asnjë rast nuk mund të bëjmë parashikime se sa fëmijë do të braktisen pas një dite, një muaji apo pas një viti. Natyrisht që një faktor tjetër që ndikon lidhet ngushtësisht edhe me kërkesat e çifteve sepse sa më të hapur të jenë çiftet në kërkesat e tyre duke pranuar fëmijët pa vendosur kushte aq më e vogël është edhe koha e tyre e pritjes. Por, duhet të kuptohet që detyra e Komitetit Shqiptar të Birësimit është mbrojtja e interesit të fëmijëve përmes procesit të birësimit dhe jo mbrojtja e interesave të çifteve.
Çfarë pretendimesh paraqesin çiftet shqiptare, qoftë brenda apo edhe jashtë vendit, kur kërkojnë të birësojnë një fëmijë?
Ashtu sic e theksova edhe më sipër qëllimi i birësimit dhe i vetë punës së KSHB-së është të gjejë familje për fëmijët e deklaruar të braktisur dhe jo fëmijë për familjet. Çështja e pretendimeve të çifteve asnjëherë nuk gjen vend në këtë koncept, por ama gjithësesi kriteret që çiftet vendosin zakonisht janë kritere të cilat i përcakton vetë autoriteti përkatës që përcjell aplikimin për rastet e birësimeve ndërvendase. Shqiptarët zakonisht kanë kërkesa që lidhen me moshën dhe gjininë e fëmijëve dhe shpeshherë edhe me komunitetin që i përkasin, por këshillimi që bëhet nga institucioni ynë është që të eliminohen kërkesat specifike.
Kushtet
Ja kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët për birësim
- Kёrkesё për motivin e birësimit
- Aktin që provohet që aplikantët janë të përshtatshëm për të birësuar fëmijë i cili realizohet nga autoriteti qendror apo organi kompetent në vendin ku fillon procedura.
- Të dhëna mbi Gjendjen Civile.
- Raport mjekësor dhe historia mjekësore familjare
- Analizat e HIV-AIDS dhe Hepatitit B.
- Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore,
- Vërtetime të punësimit dhe të të ardhurave.
- Vërtetim i gjendjes ekonomike dhe sociale.
- Raporti psiko–social i realizuar nga autoriteti i shtetit pritës që konfirmon situatën e aplikantëve.
- Raportimi i kushteve të banimit i shoqëruar me fotografitë përkatëse/shqip/a.k