Nga Kathy Gilsinan/
Para se themeluesi i WikiLeaks, Zhulian Asanzh të ishte një i arratisur ndërkombëtar, ai po drejtonte një eksperiment të vogël mbi transparencën radikale. Në fillim të viteve 2000, faqja e tij e panjohur WikiLeaks ishte kryesisht e lidhur me publikimin e sasive të vogla të dokumenteve të mëparshme privatë, duke filluar nga dokumentet e bankës zvicerane, tek e-mailet e Sarah Palin.
Më pas, në vitin 2010, WikiLeaks publikoi një video që tregonte vrasjen e ndoshta një duzine irakianësh, duke përfshirë 2 gazetarë të agjencisë Reuters nga ana e ushtrisë amerikane. Ai akt u përshëndet nga libertarianët civilë dhe avokatët e transparencës, dhe u përjetua me turp në rradhët e ushtrisë amerikane dhe gjetkë.
Menjëherë pas publikimit të saj, WikiLeaks postoi një pjesë të materialeve të rrjedhura: një mori kabllogramësh diplomatikë dhe dokumente të ushtrisë amerikane, shumë prej të cilave kishin të bënin me zhvillimin e luftërave në Irak dhe Afganistan. Nëse WikiLeaks e filloi aktivitetin e saj si një kuriozitet i thjeshtë në internet kur u themelua në vitin 2006, brenda 4 viteve, zyrtarët e sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, e konsideruan publikisht si një kërcënim.
Tani duket sikur qeveria amerikane, është duke përgatitur veprimin e saj më të drejtpërdrejtë kundër Asanzh. Të enjten, një padi gjyqësore i referohej akuzave të reja kundër Asanzh për krime të paspecifikuara.
Asanzh, që jeton në ambasadën e Ekuadorit në Londër që nga viti 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi në lidhje me një hetim të pabazuar në fakte dhe tanimë të rrëzuar për përdhunim, kishte shprehur prej kohësh frikën se SHBA-ja do të kërkonte të akuzonte dhe eventualisht të ekstradonte atë, nëse do të përpiqet të largohet nga kompleksi.
Zbulimi diktoi një kthesë të re në sagën e një organizate, që pasi u bë e famshme në vitin 2010, u bë e njohur në vitin 2016 për rolin e saj në botimin e e-maileve të hakeruara, të marra dukshëm prej shërbimit inteligjent rus, në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet presidenciale amerikane.
Sot, historia e WikiLeaks nuk ka të bëjë vetëm me vijën ndarëse midis transparencës dhe sigurisë, por me çështjen se kur veprimi i thjeshtë i publikimit të informacionit bëhet një luftë informative.
Videoja e vrasjeve të irakianëve, e quajtur “Vrasjet anësore”, u shfaq në faqen e WikiLeaks në pranverën e vitit 2010. Ajo regjistron, nga lartësia e helikopterit, ngjarjen e vitit 2007 kur ekuipazhi shtiu mbi një grup irakianësh që po ecnin poshtë një rruge në një lagje të Bagdadit, duke vrarë ndoshta një duzinë njerëzish, duke përfshirë 2 gazetarë të Reuters, pajisjet e të cilëve ishin ngatërruar për armë.
Në trazirat që pasuan publikimin e videos, ushtria tha se e kishte hetuar incidentin në vitin 2007, dhe kishte konstatuar se vrasjet ishin aksidentale. Ajo fajësoi WikiLeaks për publikimin e tyre:Montimi i pamjeve të shfaqura, kishte lënë jashtë luftimeve që ndodhnin në të njëjtën lagje atë ditë, duke e bërë që të dukej sikur vrasjet lindën nga hiçi; sikur irakianët që shfaqeshin në video nuk qenë të angazhuar në asnjë lloj forme dhune, dhe ku duket sikur po ecnin në mënyrë të rastësishme nëpër rrugë.
Dhe ishte ndërkohë e vërtetë, se ushtria amerikane kishte vrarë gazetarët dhe fillimisht në mënyrë të rreme e justifikoi vrasjen e tyre si pasojë të aksionit të vazhdueshëm armiqësor. Në retrospektivë, momenti sugjeronte që WikiLeaks po ndryshonte.
“WikiLeaks nisi të veprojë shumë më thjeshtë”- u shpreh Klint Hendler, redaktor në “Mother Jones”, që raportoi gjerësisht mbi WikiLeaks në ditët e tij të para për “Columbia Journalism Review”. “Ajo duket sikur … ishte diçka shumë e afërt me atë që ishte retorika e saj e jashtme”- që është thjesht një dritare për publikimin e dokumenteve sekrete.
Rrjedhjet e kabllogramave diplomatike, dhe dokumenteve të ushtrisë amerikane për luftërat në Irak dhe Afganistan, pasuan atë vit, duke forcuar rolin e WikiLeaks në historinë e SHBA si një kanal për atë që ishte deri atëherë rrjedhja më e madhe ndonjëherë e informacionit të klasifikuar të vendit.
Tensioni midis sigurisë kombëtare, dhe të drejtës së publikut për të ditur, ishte i njohur shumë mirë që para çështjes së famshme të Pentagonit të viteve 1970, kur një informator publikoi një kopje të dokumenteve rreth përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Vietnamit.
Por teknologjia e re, dhe aftësitë e reja për të vjedhur në të njëjtën kohë një sasi më të madhe informacioni, solli një kompleksitet të ri, në një debat që mbetet i ethshëm. Çështja ligjore nuk është më pak e vështirë. Në të njëjtin vit që WikiLeaks publikoi videon, njeriu i besueshëm i gazetarit, Çelsi Mening, u dorëzua tek autoritetet.
Ajo do të vuante 7 vjet burg për ta siguruar atë, së bashku me kabllogramet dhe dokumentet e ushtrisë. Administrata e Obamës dhe tani administrata e Trump, kanë ndjekur penalisht agresivitetin e gazetarëve, edhe pse gazetarët dhe të tjerët kanë dhënë alarmin mbi pasojat për aftësinë e tyre për të raportuar për çështje me interes publik.
Dhe kjo në një kohë, kur WikiLeaks është akuzuar se është kthyer në diçka shumë më të keqe se sa një publikues i thjeshtë informacioni, sado i pakëndshëm – ose madje, disa do të argumentonin, të rrezikshëm – për subjektet e tij. Për rolin e WikiLeaks në publikimin e e-maileve të vjedhura nga inteligjenca ruse nga Komiteti Demokratik Kombëtar, drejtori i atëhershëm i CIA-s Majk Pompeo në vitin 2017, e cilësi atë një agjent të një “shërbimi informativ armiqësor”.
Në atë rast, u duk se shumë nga dokumentet e publikuara ishin kronika autentike të mosmarrëveshjeve të vërteta brenda KDK rreth organizimit të garës paraprake në vitin 2016 midis Berni Sanders dhe Hilari Klinton. Megjithatë, edhe informacionet e vërteta mund të pikturojnë një tabllo të shtrembëruar:
Publikimi i një vëllimi të madh informacioni të dëmshëm për Klinton dhe jo për Trumpin, duket se u përputh me atë që komuniteti i zbulimit, e identifikoi si qëllimin e Rusisë për të ndihmuar fitoren e Trump. Përgjatë viteve, kërcënimi i përbashkët që lidh historitë më të mëdha të WikiLeaks, nga vrasjet anësore tek rrjedhjet e informacioneve të KDK, është se edhe ajo që konsiderohet si “transparencë” është rrallë neutrale.
Zgjedhja për të publikuar ndonjë pasojë, do të ketë gjithmonë efekte politike. Dhe thjesht “informacion”, mund të jetë diçka më pak se e vërteta, nëse vjen pa një kontekst rreth asaj se kush po e përdor këtë informacion, dhe deri në çfarë mase. Edhe një sasi e madhe dokumentash, nuk e tregon kurrë plotësisht historinë e plotë.
Mbetet e paqartë nëse akuzat e supozuara ndaj Asanzh, kanë të bëjnë me publikimin e kabllogrameve, apo me rolin e WikiLeaks në ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje. Por Hendler thotë se mungesa e informatave të qarta për kontaktet që Asanzh, mund të ketë me vetëdije me inteligjencën ruse, organizata e tij është ende e angazhuar rrënjësisht në aktet e botimit. Nga këndvështrimi i organizatave mediatike, trajtimi i kësaj veprimtarie si një krim do të krijonte një precedent të frikshëm. / “The Atlantic” – Bota.al