Viktor Orban ka fituar mandatin e 4-t si kryeministër i Hungarisë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara të dielën në këtë vend.
Partia e 54-vjeçarit, “Fidesz” ka marrë 50% të votave, sipas Zyrës Kombëtare të Zgjedhjeve në Hungari. Në këtë mënyrë, kjo parti do të mbajë 2/3 e vendeve në Parlament.
Orban është një euroskeptik i madh dhe fushata e tij konsistonte në platformën antiemigracion. Në fjalimin e së dielës në mbrëmje, Orban tha se fitorja e tij i dha hungarezëve një “mundësi për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur Hungarinë”.
Pjesëmarrja në votimin e së dielës ishte rreth 69%, pothuajse një rekord ky për Hungarinë. Mendohej se një pjesëmarrje e tillë do të favorizonte kundërshtarët e kryeministrit, por nuk ndodhi kështu. Partia Jobbik u rendit e dyta, me 20% të votave, ndërsa socialistët të tretët, me 12% të votave./a.m.