Mediat greke kanë publikuar një skenar ushtarak që parashikon reagimin e Athinës përmes goditjeve strategjike parandaluese, në rast se zbulimi ushtarak konfirmon një sulm të pashmangshëm nga ana e Turqisë.
Analiza e mbështetur në deklaratat e krerëve ushtarakë dhe ekspertëve të mbrojtjes përshkruan një operacion 24-orësh, i cili synon “verbimin” elektronik të kundërshtarit dhe goditjen e bazave detare e ajrore turke përpara se forcat e zbarkimit të nisen drejt ishujve të Egjeut.
Sipas këtij skenari, përdorimi i avionëve luftarakë, raketave me rreze të gjatë dhe sistemeve moderne të mbrojtjes ajrore do të mundësonte neutralizimin e kërcënimit dhe krijimin e kushteve për ndërhyrjen e menjëhershme diplomatike nga aleatët ndërkombëtarë.
Publikimi i këtyre detajeve vjen në një moment mjaft delikat, ku mosmarrëveshjet për parqet detare, doktrinën turke “Atdheu Blu” dhe militarizimin e ishujve vazhdojnë të mbajnë të larta tensionet në rajon.











