Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e informacionit të mbledhur nga SHISH dhe rrezikun që të dhëna sensitive të institucionit të kenë përfunduar në duart e krimit të organizuar.
“Këtu është kompromentuar gjithë sistemi, pra gjithë struktura e SHISH-it. Pse bëj një gjë të thjeshtë se besoj që kjo është e rëndësishme. Sa të sigurt jemi ne që informacionet zyrtare të mbledhura nga SHISH-i t’i jenë transferuar krimit të organizuar? Sa të sigurt jemi ne që informacionet sensitive të NATO-s t’u jenë transferuar nëpërmjet këtij kanali agjenturave të huaja jo miqësore? Sa të sigurt jemi ne për një gjë tjetër, që rrjeti i të gjithë informatorëve të SHISH-it të jetë sot në duart e krimit të organizuar?”, u shpreh Alibeaj.
Alibeaj ndau përgjegjësinë individuale përballë ligjit penal nga përgjegjësia institucionale, duke argumentuar se pasojat e një situate të tillë, sipas tij nuk mund të konsiderohen vetëm si çështje individuale.
“Pra këtu nuk është se kemi vetëm një zonjë që në një moment të caktuar shkau këmba dhe përgjegjësia pastaj është individuale. Po, është individuale karshi ligjit penal. Po përgjegjësia institucionale, pra dëmi që është shkaktuar, nuk është thjesht individual”, tha ai.
Sipas Alibeajt, duhet të ketë përgjegjësi për informacionet që mund të kenë rënë në duar të gabuara dhe që, sipas tij, mund të përdoren edhe për shantazh.











