Nga Skënder Minxhozi/
Si nga hiçi në rrugët e Tiranës është derdhur një masë e madhe njerëzish që protestojnë kundër sistemit politik në fuqi, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Madje i duan që të dy në burg, paçka se njëri prej tyre ka dhe gëzim të madh këto orë. I kanë hequr non gratën, siç deklaron vetë.
Protesta e përditshme qytetare kundër projektit Sazan-Zvërnec ka krijuar një dinamikë të papritur politike në Tiranën e lodhur nga hija e rëndë e dy siglave PS e PD. Shumëkush ka përshëndetur energjinë që ka prodhuar kjo lëvizje qytetare deri tani, jo pak të tjerë qëndrojnë në pritje për të kuptuar sesi një masë e tillë të rinjsh, familjesh me fëmijë e të tjerë që deri dje llogariteshin tek populli gri, tani kanë mbushur rrugët përditë me pjesëmarrje dhe stoicizëm deri në orët e vona.
Mendjet mosbesuese pyesin fjala vjen se ku ishin këta të rinj deri dje kur shembej Teatri, kur Tirana mbushej me ndërtime, kur bregdeti kthehej në një shesh gjigand ndërtimi apo kur zyrtarë të të gjitha niveleve përfundonin në qeli me akuza të bujshme korrupsioni. Nga roli i shërbimeve të huaja e deri tek teoria e pikës së ujit që derdh gotën, të gjitha këto supozime janë subjekt diskutimesh e debatesh në të gjitha poret e shoqërisë së sotme shqiptare.
Rreth faktorëve që kanë prodhuar këtë vërshim ditor protestuesish që s’e kanë për zakon as pjesëmarrjen në procesin politik dhe as vetë protestën, do të debatohet shumë edhe në vijim. Kjo është tashmë kryengjarja politike e Shqipërisë që ka pasionuar mediat ndërkombëtare dhe një numër personalitetesh nga e gjithë bota.
Protesta tashmë ka depozituar fitoret e para publike. Akti i parë, ai i koagulimit të një mase të konsiderueshme qytetarësh, në antitezë me mitingjet politike me xhepat plot molotov, është arritur. Edhe hapi i dytë, po aq i vështirë, ai i rezistencës shumëditore, është gjithashtu një sfidë që mund të quhet e fituar deri më sot. Po bëhen dy javë që në bulevard pas orës 6 të mbrëmjes nuk ka më lëvizje makinash apo kombësorësh, por protestë me pankarta, oratorë dhe thirrje për rrëzimin e qeverisë.
Tani pyetja një milion dollarëshe është se çfarë do të bëjë protesta “kur të rritet”? Eshtë pyetja klasike që bëhet në çdo vend i cili çeshtjen e pushtetit e zgjidh përmes zgjedhjeve e jo përmes revolucionit, siç brohorasin çdo natë protestuesit. Që të bësh realitet atë që kërkon duhet të marrësh pjesë në një garë elektorale. Por mesa duket vetë protesta e ka të paqartë si fillim çfarë kërkon, e më pas se cilët do të jenë ata që do të marrin përsipër të avancojnë në sistemin politik atë që protesta kërkon.
Flamengot, pelikanët kaçurrelë e kafshë të tjera egzotike janë një kauzë fisnike për një lëvizje ambjentaliste. Nuk mjaftojnë ndërkaq për të ndërtuar një projekt të mirëfilltë politik. Pasi një i tillë është ajo çfarë i shkon kësaj lëvizjeje dyjavore masive që kërkon të burgosë dy politikanët më të rëndësishëm të vendit. Kalibrimi i një liste kërkesash, dalja me një skaletë programi politik dhe me piketa konkrete për daljen e Shqipërisë nga ky moment delikat, janë hapi më logjik që duhet të pasojë dy javë demonstrime ku s’kanë munguar fjalime banale, sharje dhe deklarime rastësore që i ngjajnë një përroi logjik më shumë sesa një grumbullimi njerëzish me ide të qarta konkrete. Protesta ka folur me perceptime dhe me veprim më shumë sesa me fjalë dhe me gojë.
Distilimi i pasionit dhe energjisë që ka prodhuar, në një dokument programor është një sfidë që çdo lëvizje që shfaq ambicje të mëdha duhet ta përballë. Ndryshe fiton kaosi, improvizimi dhe emocionet e çastit.
Në anën tjetër protestës i takon tashmë të ketë panelin e saj të fytyrave, nëse kërkon të jetë sfiduese dhe eventualisht e suksesshme në vitrinën e punëve të mëdha të vendit. Në muajt e parë të vitit Adriatik Lapaj ndenji me javë në sheshin para zyrës së Edi Ramës me një grusht njerëz, aq sa u detyrua të largohet në heshtje duke arkivuar një humbje djegëse për ambicjen e tij për t’u përballur me qeverinë. Sot problemi i pjesëmarrjes është i zgjidhur por protesta nuk ka ende një fytyrë. As edhe një emër që të simbolizojë atë që është dhe që dëshëron të jetë së afërmi.
Nuk është e vështirë të kuptohet se kjo gjendje pezullie po maskon problemin delikat dhe konfliktual të lidershipit që do të marrë në dorë frenat e lojës brenda kësaj lëvizjeje. Është gjithashtu e kuptueshme se kjo pikë e dobët dhe ende e papërcaktuar është në fakt edhe një aspekt force i protestës. Sepse në bulevard po dalin aktualisht të gjithë, Berisha, Lapaj, Shehaj, Qori dhe ndoshta edhe Albin Kurti me të vetët. Dalin të gjithë për sa kohë që asnjeri nuk është lideri i protestës. Ndjehen mirë në këtë masë të madhe që s’ka komandantë e gjeneralë. Kësisoj kemi një protestë të madhe sepse kemi një protestë ku s’ka ndodhur ndarja e punëve, e përgjegjësive dhe e posteve që do të provokonte sherre, ndasi dhe rivalitete.
A do të jetë kështu edhe kur të përpiqen të gjejnë një formulë përfaqësimi mes tyre? Dyshimet janë të forta duke parë per shembull raportet e PD e Berishës me partitë e reja si dhe rivalitetet e inatet mes vetë forcave të reja politike, pa folur për të panjohurit që janë afruar këto orë me podiumin e protestës dhe që nuk dihet se çfarë roli kanë dhe çfarë idesh e qëndrimesh mbrojnë.
Për këto arsye shumëkush pyet pa marrë përgjigje shterruese këto ditë se cilët janë organizatorët e protestës dhe çfarë kërkojnë ata. Sidomos tani që Zvërneci u harrua dhe protestuesit e spostuan pikën e gravitetit të lëvizjes së tyre në fushën politike. Një fushë e cila siç e dimë luan sipas rregullash të qarta: me konkurim programesh, idesh dhe liderësh. Për flamengot gjendet lehtë ilaçi, për Shqipërinë duhet një ndërhyrje pak më masive dhe kapilare. Protesta mund të vijojë të shijojë masivitetin dhe simpatinë që ka ngjallur në një pjesë të opinionit të brendshëm e të jashtëm, pasi ka arritur të kanalizojë në një korsi të vetme si dashurinë për natyrën dhe ligatinat, edhe inatin e urrejtjen globale për familjen Trump. Çeshtja është se kjo fazë erdhi dhe po kalon me shpejtësi. Të parakalosh çdo natë rrugëve të Tiranës është njëra anë. Të fitosh përballë qeverisë është një gjë krejt tjetër. E ka provuar prej 13 vjetësh opozita me çadra e molotovë dhe s’ka arritur gjë. Rreziku që edhe kjo protestë “no face, no name, no number” të bëjë të njëjtin gabim është përditë e më i madh. Nëse nuk do të hyjë në ujë e të notojë, protesta nuk ka për të arritur asgjë me varavingo bulevardi.












I respektuar z.Minchozi!Analiza është shumë racionale!Por…dua të të them:A është qeverisur mirë Shqipëria në 13 vitet e Edi Ramës ?! A e ke ngritur ndonjëherë zërin Tënd foooort deri në kupë të qiellit ndaj Gangsterizmit qeveritar shqiptar që drejtohet nga Kryemafiozi Edi Rama?!…Ajo protestë rinore,ka nevojë për : Zërin Tënd ,ka nevojë për mendjen tënde,për këshillat dhe përvojën tuaj të gjatë në mediat! Bashkohu edhe Ti me t’a,dëgjoni hallet e tyre,dëgjo shpirtin et tyre të vuajtur,shiko nënat e reja që janë pa punë dhe fëmijët e tyre të uritur,shiko të sëmurët që janë në karrocë dhe marrin pjesë në protestë…duke parë një rreze drite për shërim!Të lutem;Ndihmoji organizatorët,bëhu pjesë e tyre por edhe pjesë e zgjidhjes për një Shqipëri me dinjitet…dhe jo një Shqipëri që të jetë koloni…Të lutem!…Mbetem me shumë shpresë… Shqipëria jonë është në rrezik dhe na thërret:Ndihhhhhmmmmëëëë!
E nderuar Anna.
Çfarë shkruani, në pamje të parë e me gjykim jashtë Shqipërie, problemet qendrojnë, mbasi krahasimi i standarteve me vendin ku ju banoni, me ato këtu tek ne, janë larg, shumë larg.
Roma, nuk u ndertua në një ditë…..thonë.
Prandaj, vërtet Rama ka 12 -13 vjet në pushtet, por duke e krahasuar me si e gjeti dhe si është sot ky vënd, mendoj që ka bërë goxha shumë.
A ka të meta ? Sa të duash. A ka gabime ? Plot, çe pyet.
Por, po të doje të punoje në administratë në 2013, po mos të flisje tropojançe, nuk të merrte njeri në punë. Sot është tjetër gjë.
Prandaj e nderuar, nuk mund të gjykosh për këtë vënd, kur jeton në shtet tjetër.
Ata që ketojnë këtu, që u kërcet kurrizi me sharlatanizmin e dalë boje tropojano-kuksian, ata e dinë, ku dhe cila është e mira që duhet në këtë vënd.
Mos harro, se ligji 7501 i Sali Berishes, shkaterroi bazen e kapitalizmit, PRONËN PRIVATE.
Pasojat e kësajë gjëje, janë këto që përjetojmë sot.
Hajdar Kotnasikoti prej tropoje, del pronar toke ne Sarandë me dokumenta të vjetra e të reja. A do më ?
Ju përshëndes duke ju uruar shëndet e jetë.
Kerkesa e Anna drejtuar Minxhozit verteton pikerisht ate qe thote MInxhozi; ja u bashkua dhe Minxhozi me protesten por kjo nuk do te thote qe u zgjidh problemi i drejtimit apo perfaqesimit. Pra kerkesa juaj verteton ate qe thote Minxhozi – jeni ne kerkim te drejtuesit. Kerkesa te tilla i jane bere dhe M. Memes apo , ruajna zot, Elena Kocaqit, ata nuk pergjigjen sepse nuk dijne cfare te bejne.