Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim me efektivët e Stacionit të Zjarrfikësve në Tiranë, të cilët janë në vijën e parë të përballimit të situatave të zjarreve.
Demo i falënderoi zjarrfikësit për angazhimin e tyre gjatë sezonit të zjarreve, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të këtij shërbimi, si rritjen e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës, por edhe në parandalimin e në aspektin profesional, ashtu edhe në atë logjistik.
“Trupat e zjarrfikëses e kanë në ADN-në e tyre shërbimin ndaj qytetarëve dhe kjo është një punë që, për sa i përket impaktit që jepni në territor, është e jashtëzakonshme. Dinamika me të cilat përballeni janë të shumta dhe e dini që siguria publike është shumë e rëndësishme. Këtu bashkia ka një rol të rëndësishëm dhe më vjen shumë mirë që në Tiranë ky shërbim është duke u përforcuar, duke rritur aftësinë profesionale dhe logjistikën, që janë shumë të rëndësishme për përmbushjen e misionit që ju keni”, tha ai.
Ministri tha se bashkitë kanë një rol të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës, por edhe në parandalimin e situatave që mund të çojnë në përhapjen e zjarreve.
“Do bëjmë një plan të qartë me të gjitha bashkitë, në mënyrë që gjatë këtij viti të jemi më të përgatitur dhe të minimizojmë zjarret që vijnë për shkak të sezonit të verës. Kemi shumë detyra që duhet t’i diskutojmë me bashkitë, duke nisur që nga parandalimi, në mënyrë që të minimizojmë rastet ku ndërhyrja e zjarrfikësve të jetë e nevojshme”, tha Demo.
Demo nënvizoi gjithashtu se forcimi i kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës dhe investimet në logjistikë janë të rëndësishme për përmbushjen e misionit dhe reagimin në kohë ndaj emergjencave.











