Erjon Braçe: Ja pse po ikin shqiptarët
Deputeti socialist ka dhe një tjetër diferencë me politikanët e tjerë: u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i drejtohen, e në këtë intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare”,”,Erjon Braçe u bën një analizë ministrave të kabinetit “Rama”, duke përmendur konkretisht punët që s’i kanë bërë siç duhet, por edhe çështjet kryesore që shqetësojnë vendin në këto momente, eksodi dhe droga.
Z. Braçe, si e shihni situatën në Shqipëri; njerëzit po ikin për një jetë më të mirë në azil dhe droga është kryefjala e ditës?
Dy probleme shumë të mprehta janë, por ka Shqipëri dhe përtej tyre; njerëz që ndërtojnë jetën në mënyrë të ndershme, me punë të tillë natyrisht, të ardhura – që edhe pse nuk janë shumë, shpesh nuk mjaftojnë apo nuk shpërblejnë siç i takon, vijnë prej punës, mundit e djersës së ballit dhe janë të pastra. Mua më pëlqen pa fund kjo Shqipëri dhe asaj dua t’i shërbej. Njerëzit që po ikin, – siç thoni ju, – nuk janë ende pjesë e programeve tona të punësimit, përfitimeve prej saj; shpesh nuk përfshihen fare në programet tona të ndihmës sociale, programe që nuk janë ende aq efektive sa t’i gjenden çdo familjeje në nevojë, në pamundësi ekonomike apo edhe fizike – siç është rasti i njerëzve me aftësi të kufizuara. Mungesa e efektivitetit të këtyre dy programeve i bën këta njerëz të jenë të përjashtuar, në zona të thella edhe të harruar.
Shëndetësia dhe arsimi lidhen këtu; shëndeti i mirë dhe dija profesionale (qoftë edhe në nivel profesioni të thjeshtë por të dobishëm, të kërkuar e pranuar nga tregu) të bëjnë pjesë, nuk të lënë mënjanë, të vendosin në qendër të marrëdhënieve sociale dhe ekonomike, që nuk të përjashtojnë por të krijojnë mundësinë për të punuar, krijuar të ardhura për vete e familjen, për të pasur nderin e dinjitetin tënd edhe këtu, në çdo cep të Shqipërisë. Me sa duket, edhe këto shërbime nuk janë më të mirat për një kategori të tillë njerëzish, që kërkojnë gjithçka të mirë jashtë e larg prej këtu.
Por nuk është sot kështu. Më besoni, unë lëviz shumë, kërkoj, gjej, takoj e dëgjoj njerëz kudo; ka qenë edhe më keq. Kjo që po ndodh na sjell në mendje dy gjëra. E para, Shqipërinë e rrejshme që për 8 vite kishte ekonominë e dytë më të fortë në Evropë – pas Gjermanisë natyrisht; flukset e shqiptarëve që ikin na dëshmojnë me turp se ajo papunësia 1213% me të cilën na ngopën e të cilën na detyronin ta pranonim me dhunë si sukses, nuk ka ekzistuar kurrë, ka qenë shumë e madhe dhe afatgjatë, aq sa ka sosur çdo lloj durimi për t’u derdhur pastaj në ikje; paratë e “fëmijëve të emigracionit” nuk mund të ishin pa fund burimi fatlum i ushqimit të ekonomisë kombëtare apo “begatisë familjare”, shpesh edhe rehatit nën këtë “bollëk” pa punë këtu. E dyta, ne duhet ta tejkalojmë të shkuarën e afërt; me punë – them unë, shumë punë nga ne, mazhoranca me pushtet vendimmarrës dhe ekzekutiv.
Duhet të shumëfishojmë ritmet e punës, të vazhdojmë më fort me reformat, me qëllimin e dobishëm që ato të kenë një produkt të prekshëm tani, për çdo kategori sociale dhe, një punë, një punë e ligjshme, e ndershme, e paguar dhe e siguruar drejt, duhet të jetë objektiv i gjithkujt ndër në për çdo shqiptar. Përtej kësaj, shërbimet publike, arsimi e shëndetësia duhet të shtrihen e përfshijnë, madje me standard e cilësi dukshëm të përmirësuar, të arrihen lehtë e pa pengesa “parash” si detyrime të shtrenjta ligjore apo ryshfeti. Por, thënë këto, nuk dua të le mënjanë atë që pak është thënë e goditur deri tani, “biznesin e ikjes” me “biznesmenët” e tij; është një xhiro e madhe parash që i ka çikërrima pagesat për bileta dhe po përfiton nga shitja e pasurisë së patundshme të njerëzve që ikin kryesisht dhe ky është biznes i madh. Këta janë kriminelët e “ikjes” dhe këta duhen goditur. Pa këtë “ekonomi”, “ekonominë e ikjes”, flukset nuk do të ishin të tilla.
Kurse kjo e drogës është histori tjetër; dëshmon se sa dëm bën politika, të paktën në dy raste; E para, kur i jep zë një debati tërësisht të parakohshëm për një vend si ky i joni, ku shteti ligjor nuk është funksional në nivelin nga ku mund të kontrollohet ligjërisht një gjendje ligjore, ekonomike e sociale si ajo e “legalizimit të marijuanës”, qoftë edhe për qëllime mjekësore (në vende me shtet të konsoliduar e funksional kjo është parë si një zgjidhje për të kontrolluar trafikun, e madje duke mbrojtur përdoruesit), duke shpërfillur faktin se “punëtorët e hashashit” dëgjojnë politikë dhe, “prodhuesit” e “tregtarët” e hashashit i kanë paratë, madje kaq aq shumë para sa ta kthejnë në “ekonomi kriminale” menjëherë këtë debat. Dhe meqë jemi këtu, më duhet të kujtoj se ministri i Brendshëm ka qenë i vetmi që ka pasur një qëndrim të qartë e të prerë kundër këtij debati, formalisht por edhe në thelb, duke apeluar bujqit t’i rrinë larg kultivimit të hashashit, si nje veprimtari e qartë kriminale dhe e ndëshkueshme. E dyta, kur harron, neglizhon, shpërfill apo më keq, kur e pranon “ekonominë e krimit” qoftë edhe nën zë, dhe këtu më duhet të refuzoj publikisht të gjithë ata, politikanë gjithfarësh – djathtas e majtas, apo analiste publikë që shpesh flasin për integrimin e kësaj ekonomie, “ekonomisë së hashashit” në ekonominë kombëtare, nisur banalisht nga interesi i një lagjeje, një fshati apo një rajoni të tërë që nuk ditka e nuk paska mundësi të merret me gjë tjetër.
Lushnja është i vetmi rreth i Shqipërisë që nuk ka parcela të mbjella me hashash (dy tentativa, drejtuesit e policisë vendore të periudhës i goditën qysh herët, në fazën e mbjelljes, muaj më parë) dhe ka një ekonomi bujqësore të fokusuar në eksport, natyrisht pa fitimet e hashashit, por të pastër, edhe pse me një mal me sakrifica e probleme. Ndërkohë, krimi ka ekonominë e tij dhe goditja e saj është jetike. Arrestimet e fundit të “grupit të Vlorës” janë veprimi i duhur! Duhet shkuar lart, te “zotërit e hashashit”, ata që kanë paratë dhe infrastrukturën për të ndërtuar një ekonomi të tillë, duke rekrutuar zyrtarë dhe paguar punëtorë të hashashit. Pasuria e tyre duhet të jetë hapi tjetër vendimtar, ndryshe beteja me “punëtorët e hashashit” nuk do mbarojë kurrë. Duhet bërë kjo punë e specializuar tani, për të mos mbetur te superpuna sfilitëse për të shkatërruar parcelat masive të hashashit. Edhe kjo, në të tilla përmasa po ndodh veç dy vitet e fundit (shihni raportet e DASH për 6 vitet e fundi si referencë). Në anë tjetër, kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjithë akuzuesit dhe kritikët e shfaqur rishtazi me rastin e “grupit të Vlorës”, ndaj dua të them dy gjëra.
E para, ishkryeministri dhe ishministrat e brendshëm qeë legalizuan kultivimin e hashashit, ndërtuan ekonominë e tij duke e integruar në ekonominë kombëtare (madje duke u mburrur me këtë), ndanë përfitimet me sipërmarrësit e kësaj ekonomie dhe tani, me ato para, si zengjinët e rinj të Lalëzit bëjnë prokurorin, duhet të heshtin(sërish ju adresoj në shifrat e krahasueshme të raporteve të DASH për sasitë e hashashit të kapura në 6 vitet e fundit). Nëse nuk e bëjnë dot, i lus të mos bëjnë “budallain e vapës” kur harrojnë se avioni i drogës u nis nga Italia, vend ku kryeministrin Renzi – miku i “kryetrafikantit” Rama, nuk e akuzoi kush për përfshirje në trafikun e drogës bashkë me mikun e tij, apo kur nuk kujtojnë se policë të korruptuar ka në çdo trupë policore të botes dhe ndëshkimi i tyre nuk rresht me orën, ditën, javën, muajt e vitet. E dyta, hetimi i “grupit të Vlorës” duhet të thellohet e të përfshijë gjithkënd të implikuar, edhe në radhët e policisë, shërbimeve të saj të personelit apo çështjeve të brendshme, drejtimin pa diskutim, që me ç’duket as kanë filtruar e as kanë mbajtur nën mbikëqyrje efektivë të rekrutuar apo të përfshirë në krim. Rasti i “Lushnjës së pastër” duhet të vlejë si përgjegjësi.
Z. Braçe, pse po ikin shqiptarët?
Besoj se u shpjegova më sipër, por po shtoj; shqiptarët nuk po ikin për arsye politike, si dikur kur arratiseshin apo jo shumë larg në kohë, kur iknin për shkak të lirive të tyre themelore, përfshirë dhe të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, si në 1996-ën.
Shqiptarët po ikin për arsye ekonomike. Dhe shqiptarët nuk po ikin veç sot. Për 8 vite me radhë, 55 mijë deri në 73 mijë shqiptarë kanë ikur çdo vit nga Shqipëria; shifrat janë zyrtare dhe mund t’i lexojë kushdo. Kur përmend arsyet ekonomike, ju adresoj në ato që thashë më sipër e ku puna është e para, por kam parasysh dhe tregun europian të punës, ku shqiptarët kërkojnë akses për të ndërtuar një jetë tjetër. Dhe tregu europian i punës as që krahasohet me tregun tonë të punës – nëse mund ta quaj të tillë, – as për aksesin në të, as për të drejtat, as për garancitë, as për kohën e punës e pagesat për të, duke nisur nga paga minimale.
Ndryshe nuk kam përgjigje tjetër për rastin tim; interesohem e përpiqem, ndjek në çdo hap procedurat administrative aplikim, provim, diplomim, konkurrim sërish, të një vajze të aftësuar në mënyrë të shkëlqyer si infermiere dhe, ditën e emërimit mësoj nga i ati se dy ditë më parë vajza ka shkuar në Gjermani, ku dhe dy muajt në vijim pret përgjigjen e kërkesës për azil.
Dhe po ju them, për shkak të punës që bëj, ky nuk është rasti i vetëm. Unë nuk besoj se ne do të arrijmë në standardin gjerman të tregut të punës, por ne duhet të ndërtojmë në mënyrë urgjente tregun e punës, duke nisur nga legjislacioni i ri, i cili duhet të çlirojë aksesin në tregun e punës nga praktikat burokratike, fiskale e korruptive, të shkruajë qartë të drejtat e çdo punëtori e t’i garantojë ato në sektorin publik e privat, të përcaktojë kohën e punës dhe një pagë të re minimale si themelin për një shpërblim të drejtë të punës së ndershme. Pa diskutim duhet të demokratizohet ekonomia dhe çdo sipërmarrës duhet të ketë lirinë dhe garantet e mjaftueshme për të përdorur pasuritë dhe të marrë pjesë në treg.









