Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, shkoi të premten në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ndoqi procesin e votimit për kreun e ri të SPAK-ut, dhe përsëriti qëndrimin e SHBA-ve për thellimin e reformës në drejtësi.
“Në rrafshin praktik skena që pamë të premten është jehonë e një sinjali edhe më të fortë se ky që pamë. Kishte të bënte me zonjën Kim që javët e fundit ishte e pranishme në aktivitetet dhe më pas me serinë e tëittet të javës së shkuar ku foli për vendosmërinë për të ndaluar ndërhyrjet, ndikimet e paligjshme për manipulime etj. Nëse fotografia që zonja Kim i bën sistemit është e saktë atëherë kjo është një shenjë e keqe për vetë sistemin dhe SPAK-un. Ata nuk janë një trup balerinash lozonjare dhe tekanjoze. Ata janë atje si pjesë e një investimi të jashtëzakonshëm të gjithë shoqërisë shqiptare, që i paguan shumë.
Fakti që zonja ambasadore ishte atje është një sinjal që ka probleme, që këta (prokurorët e SPAK) tentojnë të fshihen edhe nën kindat e xhaketës së saj dhe ende nuk janë të zotë, nuk janë të aftë të trembin të tjerët sa kohë që ata trembin politikën. Ky është problem thelbësor. Deri tani, kur është përfunduar arkitektura që diktonte reforma në drejtësi, institucionet nuk janë siç do të donim t’i lexonim në letër ndaj kanë nevojë për këtë shiringë adrenaline që zonja Kim e jep.
Është e turpshme për dinjitetin e shtetit shqiptar që nuk arrin të bëjë atë që është elementare: I jep një makinë të shkëlqyer dhe ai bën aksident, sepse nuk di t’i japë makinës dhe këtu më kujtohet arsyeja kryesore që ka dhënë Republika e Maqedonisë së Veriut për të bërë të njëjtën gjë dhe Shkupi zyrtar dha si arsye, deficitin e burimeve njerëzore. Ndoshta duhet pranuar ajo të themi: këta jemi, deri këtu e kemi takatin. Jemi ende të pazotë të vetëqeverisemi, të vetëndëshkohemi, të vetërregullohemi”-tha Vangjeli./m.j