Nga Ben Andoni
Artistja Ema Andrea, falë angazhimit të saj, ka kaluar disa shkallë në jetën e saj artistiko-sociale. Mbi të gjitha, ka përballur jetën artistike dhe atë personale krejt e vetme. Është munduar që në artin e saj të dalë nga arti i zakonshëm i shumë artistëve, që pretendon të bëjë kinse artin. Tejet e angazhuar në mënyrë sociale, ajo ka dashur t’i flasë strukturave të artit por edhe publikut me një gjuhë të drejtpërdrejtë. Për t’u zgjuar dhe për të vepruar. Pas 22 vitesh, duket se ka bërë dhe do të bëjë rrugën e Sizifit, që do të thotë se guri që përcjell në majë, shpejt do t’i rrokulliset poshtë, për të filluar sërish. Ky është edhe shqetësimi i saj kryesor, veç indiferencës së komunitetit të artistëve dhe mungesës së mundësive për ta…Gati është rebeluar në këtë intervistë, që duhet thënë se më shumë se artiste e tregon një personalitet me staturë, e më shumë nga të gjitha me ide. Ema veç një aktore e bindur, regjisore, në vitet e fundit ka qenë një punonjëse direkt sociale. Tek e fundit, nga ata njerëz, që ky vend ka nevojë…
Po kthehen shumë pjesë me temë politike-sociale. Ju ishit e para që e ngritët siparin me pjesën tuaj. A mendoni se është një nga ilaçet që i duhet shoqërisë së sotme…?
“Ke të drejtë, po kthehen disa të tilla, që në rastin e Shqipërisë apo Tiranës, janë thjesht tre ose katër më shumë. Më ndje për ironinë.
Nëse do t’i qëndroja figuracionit të siparit, unë jam përpjekur ta bëj këtë vite më parë, si “Me syrin e një Kllouni” ashtu edhe me pjesëmarrjen time si tekst dhe aktrim në “Ne ku-ndër”, si krijuese e lirë, dhe natyrisht që sipari të hapet plotësisht nuk mjafton vetëm një përpjekje .
Nga këndvështrimi im, ky sipar duhej të kish qenë gjithmonë i hapur dhe jo vetëm në institucione por edhe në hapësira periferike, ku mendoj se arti ( dhe jo vetëm teatri) do të kish ndihmuar veten për të gjetur krijimtarinë autentike , duke u bërë pjesë e reflektimit të problemeve sociale.
Prej vitesh, arti nuk konsiderohet si pjesë e rëndësishme e shoqërisë as edhe nga politika dhe as nga vetë artistët, pamvarësisht slloganeve të huazuar nga artistët e mëdhenj, që përdoren rëndom në rrjetet sociale. Prej vitesh ka një vetmjaftim për të realizuar veç projekte për ego profesionale që përmbushet me konsumatorë arti dhe jo përceptues të tij, apo argëtim social në qendrën pashmangshmërisht të bujshme. Prej vitesh, gurin e parë e hedh ai, që ka ngjizur mëkatin, e bërtet më shumë se turma në të gjitha nivelet: sociale, politike e artistike”.
Dhe a mendoni se ka një rrugëdalje apo ilaç në këtë qerthull…
“Ilaç?… Nuk duhet të kishim mbërritur në pikën e pacientit, që ka nevojë për ilaç, i dashur Ben, por meqë jemi këtu, mendoj se arti apo teatri mund të jetë një i tillë, por mbetet gjithmonë në diskutim (efektet anësorë, me germa të vogla) specializimi i mjekut artist, si dhe orientimi i qendrës ku aplikohet ky ilaç. Ndonjëherë ilaçet manipulojnë pacientin por jo sëmundjen por ky është veç një dyshim: kështu e mendoj thjesht! Uroj të jetë fillim i mirë duke mos harruar që edhe artistët janë pjesë e shoqërisë së sotme”.
Sa e ka të mundur niveli i sotëm i teatrit shqiptar përballjen me nevojat jo thjesht estetike të auditorit, por edhe me ushqimin social-politik të publikut?
“Po aq sa e ka të mundur Shqipëria të kthejë sytë nga vetja; po aq sa e ka të mundur një shqiptar të kërkojë falje; po aq sa e kemi të mundur, të mos kapemi pas së kaluarës për t’i gjetur kuptim të tashmes; po aq sa e ka të mundur media, të mos merret pafundësisht dhe ekskluzivisht me politikë; po aq sa e ka të mundur një shqiptar të mos kthejë në shurrtore veprat e artit në qytet; po aq sa është e mundur që arti të mos kthehet në ping-pong politik të shijeve personale; po aq sa ka mundësi artisti të mos kthehet në lypës apo lëpirës; aq sa është e mundur që arti të jetë pjesë e edukimit nëpër shkolla; aq sa është e mundur që në aeroporte të respektohet rradha dhe të mos pështyhet në rrugë; po aq sa është e mundur që dita e shqiptarit të mos ketë bashkëudhetare telenovelat e politikës etj.
Natyrisht që Arti e ka të mundur të ketë nivelin e duhur për të bërë diferencën , kur nuk mungon dëshira dhe qëllimi për ketë ashtu si edhe për çka thashë më lart”.
Cila është sfida më e madhe e një njeriu të teatrit shqiptar sot?
“Të konsiderojë artin si mënyrë të jetuari dhe jo vetëm si mënyrë për të jetuar;
Të jetë pjesë e një komuniteti komunikues dhe jo klani përjashtues;
Të jetë i pavarur ekonomikisht dhe politikisht;
Të mund të jetë krijues i nivelit evropian e jo rrogëtar në Shqipëri;
Të jetë i konsideruar si vlerë e shoqërisë dhe të marrë përgjegjësitë që sjell kjo vlerë;
Të jetë i angazhuar me problemet sociale e të mos përdoret nga politika, por ta përdorë atë;
Të punojë për krijimin e një sistemi vlerash në mënyrë që arti dhe artistët të kenë vendin që tashmë e ka zënë invadenca e publicitetit politik.
Teksa i mendoj sfidat e njeriut të artit, kuptoj se më së pari duhet të fillojë të thyejë heshtjen që i ka pllakosur gojën e të ngrejë zërin për ekzistencën e vet kundrejt veshëve të përjetshëm “që dëgjojnë vetëm veten .gov.al” që të mos ndihen si “Boule de suif” në fund të tregimit, dhe, brenda komunitetit , pasi artistët duhet të dalin nga situata Sartiane “Huis clos” në të cilën e kanë vendosur me konsesusin e vet komunitetit”.
Keni kohë që keni dalë nga rrjedha e zakonshme e teatrit shqiptar, duke dhuruar shfaqje me gjetje moderne por edhe me shumë kërkesa ndaj aktorëve dhe vetë mesazhit. Është sfidë me Emën më së shumi apo me nivelin e sotëm ku është teatri botëror?
“Kam bërë këtë zgjedhje në mënyrë të natyrshme, ka qenë thirrje e brendshme, e cila më ka bërë të besoj se mund të ndërtoj e pavarur, gjithmonë në kërkim e duke rrezikuar.
Kam zbuluar çfarë dhe si dua të zgjedh rrugëtimin tim në art duke patur përulësinë e të qënit gjithmonë studente dhe duke u azhornuar me ecurinë e teatrit, i cili për mua nuk ka kufij gjeografikë. Sfida ka nisur me vetën dhe vazhdon me veten në vazhdim të krijimtarisë time autentike dhe pa kufij. Kjo sfidë më ka rritur, më ka sfiduar, më ka bërë të ndihem ishull ndonjëherë e më ka pasuruar, më ka lumturuar e më ka trishtuar por deri-më-tash nuk e kam tradhtuar (jo me ndërgjegje të paktën) …”.
Çfarë ka ndryshuar në muajt e fundit sa i përket politikave të teatrit në këndvështrimin tuaj?
“Politikat? Unë nuk mendoj se teatri është i shkëputur nga politikat tërësore mbi artin dhe kulturën. Çfarë kam vënë re ne institucionet e teatrit në Tiranë, të paktën, është një prurje e artistëve të rinj dhe kjo është një shenjë e mirë për sa i përket institucionit të Teatrit Kombëtar apo atij Eksperimental me prodhimin e fundit. Publiku është afruar në teatër dhe ka mbushur sallat edhe në ditë-javë, e natyrisht që ky është një ndryshim shumë motivues për artistët, për sa i përket krijimtarisë së tyre. Së fundmi, debatohet për teatër apo shfaqje të Teatrit Kombëtar, Eksperimental apo të Metropolit, pavarësisht nga niveli i diskutimeve dhe ky përbën ndryshim pozitiv .
Por këto janë rezultate për t’u përgëzuar institucioni apo politika e institucionit të Teatrit Kombëtar, por një institucion natyrisht që nuk përfaqëson gjithë teatrin dhe nëse do të flasim për politika për teatrin do të preferoja ta çonim bisedën në një shkallë më të gjerë sesa një institucion pas arritjeve të të cilit nuk mund të fshihet fakti, që nuk po shihet as teorikisht një politikë e mbi teatrin, krijuesin apo artistin në përgjithësi.
Po zbatohet politika e shumëpërfolur për artistët e lirë ose me kontrata pune në institucionet shtetërore me të cilën jam dakort, por nuk ka asnjë politikë që të mbështesë krijuesin e lirë. (aktor, regjisor, kompozitor, balerinë, dramaturg etj., me eksperiencë artistike apo të rinj).
Sërish shanset e vetme për krijuesin e lirë janë institucionet shtetërore qëndrore. Nuk ka as hapësira e as lehtësime për krijuesin e lirë, e as mundësi vetëpunësimi për këta të fundit, por artistët quhen tashmë të lirë dhe sërish janë të varur, dëshpërimisht të varur nga institucionet apo bordet përzgjedhëse të artit pranë Ministrisë. Kjo e fundit bën thirrje të hapur për projekte artistike, ku nuk janë të qarta prioritetet dhe vazhdon shpërndarjen e fondeve me teorinë “pak për të gjithë”. Dakort, që ministria mbështet pjesërisht ( e njoh këtë përgjigje) ,por me çfarë prioriteti dhe mbi ç’politikë e bën diferencimin?
Po një dramaturg, një kompozitor, një regjisor që ka nevojë për një kohë krijimtarie përpara se të kthehet në menaxher projekti (pasi këtu dihet se nuk ka sistem menaxhim arti dhe artistët bëhen edhe menaxherë të papaguar ) kur dhe si duhet të punojë apo të mbijetojë?
Nëse një artist pretendon të marrë pjesë në konkursin për Bienalen e Venecias apo për Festivalin e Teatrit në Edinburg, si duhet t’i gjejë financimet për fazën e tij kërkimore?
Si mund të pretendohet që kemi artistë të lirë që punojnë me projekte, të cilave nuk u dihet vazhdimësia? Do vazhdojmë vallë sërish në mënyrë rraskapitëse spontane??
Projektet nuk bëjnë dot sistemin, kur nuk kanë një vazhdimësi. Dihet fare mirë se një projekt privat ka kosto shumë herë më të lartë se një projekt i një institucioni, ku janë politikat mbështetëse apo lehtësuese për iniciativat e reja apo për projektet e sukseshme?”
Atëherë gjithçka mbetet në organizimin e pushtetit qëndror…
“Arti Shqiptar në nivelin Evropian quhet ende vetëm kur organizimin e bën Ministria dhe shumë aktivitetet e tjera ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri duket sikur janë thjesht dëshirë e “artistëve të lirë” dhe duhet të mbeten pa u vlerësuar për impaktin apo ndryshimin që sjellin dhe trajtohen alla “Topi me dhjamë”.( përkthimi ne shqip)
Nuk mund të quaj politikë ndryshimi, kur nuk shoh një vizion të qartë apo një përpjekje për të vlerësuar punën e artistëve të lirë, të cilët së shpejti do të jenë më të shumtë, por kam frike se do të shtojnë numrin e artistëve të pa punë dhe jo të krijuesve të lirë të rinj e të pjekur në moshë, me apo pa eksperiencë artistike. 4 institucione apo 10 institucione qëndrore artistike nuk bëjnë dot as artin e as politikën e artit kur mungojnë politikat e periferisë dhe të lëvizjes së artit.
E vërteta është se në të shkuarën është abuzuar me fondet për artin ashtu si me fondet për rrugët apo për ngritjen e godinave të reja. Është abuzuar me vendet e punes, me projektet artistike privatë apo shtetërore, por deri më sot nuk është ndëshkuar askush.
E vërtetë është gjithashtu se gabimet e së shkuarës nuk mund të vazhdojmë t’i vuajmë ende. Jemi pa një vizion të qartë dhe nuk po flas për fonde, të cilat sikundër i kërkohet artistit të lirë ti gjejë në projekte Evropiane, mund t’i kërkoja të njëjtën gjë edhe politikë- bërësve për artin dhe kulturën ti gjejnë po aty.
Natyrisht që në këtë mungesë vizioni i vë faj edhe artistëve, që në takime Ministrore nuk kanë asnjë alternativë por letra të gjata ankesash dhe sharjesh, apo ku gjejnë terrenin për të hedhur poshtë çdo përpjekje .(Këtyre të fundit u del koha për mbledhje natyrisht se pretendojnë veç të bëhen drejtues e drejtorë bordesh apo institucionesh (sikundërse disa janë bërë) dhe djersën e artistit të lirë nuk e njohin). Artistë që zbrazen e mbushen me bërtima e sherre në kërkim të një “përkëdhelje” mediatike apo shtetërore. ( Disa ja dalin gjithmonë çuditërisht). Kanë faj edhe artistët e mirë që kur kishin mundësi të përfaqësonin këtë komunitet në politikë apo institucione shtetërore, nuk bënë asgjë për të krijuar një sistem përtej këtij të projekteve spontane. Jetoj këtu dhe jam kaq e ndërgjegjshme që nuk ngrihet gishti për të kritikuar apo sharë dikë (qoftë ky edhe Ministri) vetëm sepse mundesh, e di që kjo situatë ka të kaluar që kish një rregull kaosi, ku fajtorë janë edhe politikë-bërësit, politikë-zbatuesit dhe përfituesit që merreshin apo merren me art. Por nëse kjo gjendje vazhdon Shqipëria do të duket gjithmonë e më e vogël në shpirtin e saj dhe e gjithmonë e më e madhe për nga dhimbja e absurdit!”
Ema, a shikoni ndonjë rrugëdalje…
“Po. Tek e fundit, unë dua të kem mundësi të krijoj projektet e mia për përceptues të artit dhe të kem mundësi të bëj atë që kam vërtetuar që e bëj mirë (më falni për mëndjemadhësinë, por kështu më thonë veprat e mia dhe unë u besoj) prej 22 vitesh , artisten, me gjithë përgjegjësitë që përmban kjo fjalë. Nuk dua të futem përjetësisht nëpër labirinthe fondesh apo rrogash të mjerueshme. A e kam vallë këtë mundësi?
Natyrisht që kam bërë zgjidhje të tjera për të realizuar pagjeografinë time, kam jetuar në këtë sistem pa sistem dhe kam krijuar, pa qenë e varur, pa qenë e politizuar apo institucionalizuar, dhe çfarë kam bërë ka qenë dhe është në kufijtë e së pamundurës. Nuk kërkoj lapidar e as duartrokitje, sepse është zgjedhja ime, por pyetja e mësipërme është legjitime për çdo krijues në Shqipëri, pyetje së cilës krijuesit shqiptarë në Evropë ja kanë gjetur përgjigjen dhe vlerësimin.
Personalisht kam qenë dhe jam artiste e lirë, që kam krijuar brenda dhe jashtë këtij vendi dhe që gjendem në pikën fillestare në çdo sezon krijimtarie edhe pas 22 vjet pune, kërkimi e suksesi ndërkombëtar (me falni duhet ta thoja që të jem më e pranuar) ndaj edhe pse pak ashpër ,besoj se kam tagër për t’i bërë këto pyetje dhe thënë dy fjalë”.
Çfarë është duke përgatitur Ema për të ardhmen e afert?
“Një projekt arti në periferi të Tiranës. Projekt me përkthime dramash ballkanike,(por nuk e di se cilës së ardhme do i përkasë fundi), projekt ndërkombëtar teatri dhe danci, Informal Mind dhe teatër alternativ sërish. Uroj t’ja dal !…”.