Deputeti socialist Erion Braçe, i ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka komentuar protestën që po zhvillohet në Tiranë.
Braçe tha se e drejta e protestës u përket qytetarëve, por jo dhuna.
Sipas tij, edhe në Europë ndodhin protesta të dhunshme, por reagimi i policisë atje është po aq i dhunshëm sa ai i protestuesve, ndërsa këtu nuk ndodhi kështu.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Çfarë ishte kjo për ju?
Braçe: Nuk ka asgjë të re aty. Janë pamje që unë i kam parë që nga viti 1996, të atashuara nga forcat politike. Nuk është një gjë e re. Ajo që dua të theksoj është se e drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese. Në Kushtetutë janë të renditura një sërë të drejtash të tjera, ashtu sikurse në Kushtetutë është përcaktuar rendi publik, ku policia merr një rol themelor për të garantuar si protestën, ashtu edhe të drejtën e çdo qytetari tjetër për të bërë jetën e tij.
Pra, duhet gjetur një ekuilibër mes të gjithëve. Askush të mos cenohet në të drejtën për të protestuar, ndërsa rendi dhe siguria publike duhet të jenë të garantuara. Ki parasysh një gjë: nuk është ndryshe nga çfarë ka ndodhur deri më sot, por ndryshe nga protestat që nga ditët e para, ku nuk ka pasur dhunë. Nuk ka pasur sulme kundër institucioneve deri tani. Ata kosha që ju shihni, nesër do të mungojnë dhe kjo do të jetë një problem i madh.
Rakipi: Edhe nëpër botë ndodh.
Braçe: Nëse i referohemi botës perëndimore, duhet t’i referohemi edhe mënyrës se si policia reagon ndaj dhunës. Unë nuk e pashë këtë sot. Në Francë pamë edhe dhunë nga ana e policisë, për sa kohë vihet në rrezik rendi publik. Unë mendoj se Tirana është kryeqyteti i kombit.
Rakipi: Edhe Parisi është kryeqyteti i Francës, por digjet ndonjëherë.
Braçe: Digjet shpesh. Edhe kur ka ndeshje futbolli, atje kalohet në gjendje lufte, jo më larg se maji i këtij viti. Ne nuk kemi imazhin e Parisit. Ne jemi një qytet që po zhvillohet dhe po mundohemi që këtë qytet ta kthejmë në aset për Shqipërinë. Ky është një aset që duhet mbrojtur nga kjo pikëpamje.
Rakipi: Ne kemi një kryeqytet me këto problematika, por kemi një kryeqytet ku jeton pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Nisur nga njerëzit që ishin në hall të madh, një pjesë nuk blen dot banesë, nuk kanë ushqim, nuk kanë para për të paguar qiranë. Dolën për hall, Braçe. Këta njerëz duan një përgjigje nga ju.
Braçe: Unë mendoj se edhe ky qytet, edhe Shqipëria po ndryshojnë jashtë mase, ashtu siç ndryshojnë brezat. Protesta solli në vëmendje disa interesa legjitime. Mbase të gjithë, që nga viti 1991 e këtej, i kemi hequr shtetit disa detyrime themelore, siç është strehimi. Dega sociale e qeverisjes vendore dhe qendrore nuk ekziston, pasi kjo përgjegjësi i është lënë privatit.
Por edhe përgjegjësia e qeverive qendrore dhe vendore për të ndikuar te çmimet në këtë qytet nuk ekziston. Ato ua kanë lënë këtë në dorë privatëve.

