Dallëndyshe Bici është emëruar sot drejtuesja e re e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës.
Në një takim të posaçëm me drejtues dhe punonjës së kësaj Agjencie, Kryeministri Rama prezantoi këtë ndryshim, teksa theksoi se është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë përmbyllëse me një ritëm tjetër të gjithë këtij procesi, i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, stabilitet të plotë të marrëdhënies së pronës, stabilitet të plotë mes marrëdhënies së qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës.
Gjatë prezantimit të saj, kryeministri Rama ka bërë thirrje për të përmbyllur përfundimisht të gjitha rrugët e kontakteve të drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës.
Për të arritur një gjë të tillë, ai tha se duhet një bashkëpunim i ngushtë me Kadastrës dhe AKSHI-t, që procesi të marrë një tjetër vrull e të hyjë në një tjetër fazë.
Për dixhitalizimin e plotë të pronave dhe hartave, Rama tha se do të futen në punë edhe shërbimet satelitore përmes satelitëve Albania 1 e Albania 2.
Sot ju kam thirrur për t’ju bërë me dije që do të kemi një ndryshim në drejtimin e Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, thuajse një dekadë pas drejtimit të procesit të transformimit në këtë fushë edhe pse mos të harrojmë se ky proces ka nisur me institucione të ndara, nga njëra anë Hipoteka, nga ana tjetër ALUIZNI dhe në këtë rrugë është bërë një reformë integruese e të dyjave, megjithatë bëhet thuajse një dekade dhe pa diskutim rezultatet janë të dukshme, janë të prekshme. Krahasimi me pikënisjen është absolutisht si dita me natën, por sot është koha për një shtysë të re dhe për të hyrë në një fazë përmbyllëse me një ritëm tjetër të gjithë këtij procesi, i cili në fund duhet të garantojë stabilitet të plotë të pronës, stabilitet të plotë të marrëdhënies së pronës, stabilitet të plotë mes marrëdhënies mes qytetarëve dhe shtetit në aspektin e pronës.
Sot kemi një bazë nga e cila mund të shkojmë me shpejtësi më tutje, që është teknologjia dhe proceset teknologjike të nisura edhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës na kanë dhënë mundësinë që të shërbejmë për qytetarët pa radha dhe që qytetarët ta kërkojnë shërbimin nga Kadastra online, por jemi në kushtet kur cikli mbetet i hapur sepse në ndërkohë pjesa e përgjigjeve jepet ende me letër dhe kërkon ende postën, kërkon ende të tjera komponentë në mes, që praktikisht janë dhe pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes përfundimtare.
Në këtë fazë na duhen hapa të shpejtë dhe na duhen zgjidhje radikale për të mbyllur procesin. Që do të thotë është koha për t’i mbyllur pa asnjë diskutim dhe pa asnjë ekuivok të gjitha rrugët e kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve dhe Kadastrës.
Kadastra është banka më e rëndësishme të vendit. Është banka e pasurive të paluajtshme dhe kërkon që të sillet si e tillë dhe të funksionojë si e tillë në të gjitha aspektet. Kështu që mbyllja përfundimtare e kontakteve dhe ndryshimi përfundimtar i skemës së organizimit e cila e thashë dhe një herë dhe nuk jam këtu për të përsëritur shumë gjëra që i kemi thënë dhe i kemi stërthënë për çfarë është bërë dhe si ka ndryshuar etj, këtu jemi për çfarë nuk është bërë dhe çfarë duhet bërë. Sepse na takon ne që të kërkojmë shumë më tepër nga vetja çdo ditë dhe na takon ne që atë që kërkojmë ta bëjmë. Nuk kemi kujt t’ia kërkojmë tjetër. Kështu që, jo vetëm duhen mbyllur të gjitha sportelet por duhet ndryshuar komplet skema e organizimit dhe duhen eliminuar menjëherë të gjitha zonat ndarëse. Nuk duhet të funksionojë më me zona, nuk duhet të funksionojë më me çifligje. Nuk duhet të funksionojë më me sfera influence që janë të vetvetishme pastaj në raport edhe me problematikën që nuk zgjidhet.
Kadastra dhe gjithë personeli Kadastrës duhet të hyjë tërësisht mbrapa ekranit dhe mbrapa ekranit duhet të zhvillojë gjithë veprimtarinë e vet. Për këtë sigurisht që do të duhet një bashkëpunim shumë i ngushtë në vijim mes ASHK dhe AKSHI-t, kjo është dhe arsyeja dhe pse drejtorja e përgjithshme e AKSI-t është këtu, në mënyrë që procesi te marrë një tjetër vrull dhe të hyjë në një tjetër fazë.
Duhet patjetër që të merren masa shumë serioze lidhur me bishtat e të keqes në institucion, me bishtat e pisllëkut edhe të korrupsionit që janë të kudondodhur në Kadastër, në të gjithë territorin dhe drejtorja e re, një nga detyrat që ka është që të merret drejtpërdrejtë me një task forcë të brendshme për të çuar aty ku duhet dhe aty ku e kanë vendin të gjithë punonjësit dhe të gjithë ata në kadastër që kanë luajtur bishtin e institucionit për interesat e tyre.
Nga ana tjetër duhet një bashkëpunim i ngushtë me Prokurorinë Speciale edhe për sa i përket AMTP-ve, që kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me Kadastrën, por ka të bëjë me bishtat e pisllëkut edhe të korrupsionit të së kaluarës, që është nga koha e komunave që ka gjetur hapësirë dhe nëpër njësitë bashkiake dhe që prodhon edhe sot që flasim dokumente AMTP që jepen tani dhe pretendohen se janë dhënë në 1991 dhe 1992, por natyrisht e thashë që kjo është komplekse dhe është përtej institucionit vetë sepse duhet të përfshijë dhe institucione të tjera në mes, përfshirë dhe një ndërhyrje tjetër finale ligjore për të ndaluar përfundimisht, për të dhënë një afat përfundimtar dhe për të ndaluar përfundimisht regjistrimin e çdo AMTP tjetër në Republikën e Shqipërisë, se fenomeni i nxjerrjes dhe i kokë daljes së AMTP-ve nëpër prona të konsoliduara nga investitorët dhe në rrugët e zhvillimit për të hyrë në mes dhe pastaj për të kërkuar pjesë pa merituar është një fenomen që nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet të marrë formë.
Duhet një punë intensive për të trajtuar problemin e përçartjeve të institucionit lidhur me legalizimet, një këtu e një atje, një andej e një këtej dhe patjetër edhe për procesin e dhënies në dorëzim të tokave që janë jashtë rruzullit të 7501, në zona të caktuara të vendit ku është bërë një hap i rëndësishëm përpara, por ku duhen edhe hapa të tjerë konkretizues dhe duhet, në fund të ditës, futur menjëherë në punë shërbimi satelitor që ka filluar tani të japë prodhimet e para në mënyrë që puna e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të marrë përfundimisht dhe plotësisht dimensionin teknologjik.
Dhe duhet në fund të ditës futur menjëherë në punë shërbimi satelitor, i cili tani ka filluar të japë prodhimet e para në mënyrë që puna në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës të marrë përfundimisht dhe plotësisht dimensionin teknologjik.
10.25 Natyrisht që problematika bazë e kadastrës, si e gjithë institucioneve të tjera mbetet stabiliteti i burimeve njerëzore dhe cilësia e burimeve njerëzore dhe natyrisht në këtë aspekt kërkohet që Kadastra të vazhdojë të ”blindohet’’ për të mos lejuar influencat e jashtme dhe ndërhyrjet e jashtme sepse e thashë dhe në fillim, është banka më e rëndësishme e vendit dhe ashtu sikundër askujt nuk i shkon ndërmend që një bankë ta kthejë në një fole punësimi, ashtu edhe nuk do t’i shkojë askujt ndër mend se kadastra është një zyrë punësimi, por në këtë aspekt përgjegjësia është e përgjithshme dhe është politike në radhë të parë, kështu që është pjesë e procesit të punës së përbashkët, ku përgjegjësinë kryesore natyrisht e ka qeveria.
Dhe e fundit që kam, e kam për ju, por meqënëse ky komunikim është edhe hapur për publikun, e kam për të gjithë ata që punojnë në adminstratën shtetërore lidhur me trimërinë dhe me frikën se dëgjoj shpesh që janë trembur njerëzit dhe kanë frikë të firmosin. Nuk ka askush pse të trembet nëqoftëse zbaton ligjin.
Nuk ka askush pse i shmanget përgjegjësisë dhe frikës së vet nëse është aty për t’i shërbyer vendit, për t’u shërbyer njerëzve dhe për të garantuar që ligji është në funksion të njerëzve, jo në funksion të tij apo të kujtdo tjetër anash, poshtë apo më sipër tij.
Dhe në këtë aspekt është e padiskutueshme që procesi i nisur më në fund pas 500 vjetësh, i përpjekjes për të vendosur disa pika mbi “i”, në raport me ligjin dhe në raport me marrëdhënien e zyrtarëve të lartë, apo të mesëm apo të ulët, nuk ka rëndësi, por në radhë të parë të lartë, në raport me ligjin, duhet të trembi ata që duan t’ i bëjnë ligjit bisht dhe askënd tjetër.
Dhe për këtë dua të jemi shumë të qartë edhe me ju të gjithë, që A dhe B, dhe Zh-ja e punës së kadastrës, e punës së drejtores së re të kadastrës do të jetë shpejtësi dhe cilësi pa alibira, por në zbatim të ligjit dhe çdo bishtnim dhe çdo futje duarsh në sistemet digjitale të kadastrës për të bërë truke dhe çdo futje e të keqes pas shpinës së shtetit dhe të ligjit në kadastër nga cilido qoftë nuk do të tolerohet, por përkundrazi, nëse është ndjekur me prioritet nga drejtori i mëparshëm në përpjekje për të garantuar integritetin e isntitucionit, nga drejtorja e re do të ndiqet si prioritet i prioriteteve.
Dhe ju thashë dhe me parë dhe e përsëris dhe po e mbyll që një taskforcë speciale do të ngrihet menjëherë për të bërë prerjen e të gjithë ‘’bishtave’’ të pisllëkut dhe të korrupsionit të të shkuarës që vazhdojnë të lëvizin lart e poshtë në zyrat e kadastrës së Republikës së Shqipërisë.
Ne ju kemi premtuar njerëzve që do të kenë pronat e tyre të sigurta dhe që shërbimet për pronat përmes kadastrës do t’i marin pa lëvizur nga vendi duke nxjerrë celularin dhe me disa klikime duke patur në telefon pronën e tyre. Natyrisht që nuk na ka gënjyer mendja që kjo është një çështje si në shumë raste të tjera, si në marrjen e vërtetimeve të tjera, që sot merren të gjitha në celular sepse e dimë shumë mirë që për t’i marrë në celular letrat e pronës dhe për të siguruar që ndërkohë që ti je zot i pronës tënde, dikush tjetër nuk del nga nëntoka për të pretenduar pronën tënde, duhet një proces heroik dhe monumental i digjitalizimit të plotë të pronave dhe i digjitalizimit mbi harta që ju e dini më mirë se unë se çfarë komplikacionesh, çfarë vrimash, çfarë storiesh kanë kaluar dhe kanë në sipërfaqen e tyre, por nga ana tjetër sikur këtu këto gjëra të ishin të bëra, nuk do ju vinte radha, as juve, as ne që jemi këtu për t’u marrë me këtë punë që po meremi. Pikërisht se këto punë nuk i bënë të tjerët, jemi ne që duhet t’i bëjmë dhe tani jemi ne në limitet e kohës për t’i realizuar.
Nuk mund t’i themi njerëzve që ju duhet të prisni edhe 10 vjet apo 20 vjet të tjera që ju të merrni garancinë e plotë që prona nuk ju preket asnjë cm nga askush apo që me disa, me pak klikime ju e keni dokumentin e pronës në celularin tuaj.
Ky është mesazhi që unë kam dhe kjo është arsyeja e këtij ndryshimi. Gjithmonë ndryshimet janë në funksion të përmirësimit të punës dhe në një pjesë të rasteve nuk janë hedhje poshtë e punës së bërë, sepse ka dhe raste kur puna nuk është bërë dhe duhet ndryshimi, por ka dhe raste, dhe ky është rasti që është bërë një punë e madhe, por nuk është e mjaftueshme dhe tani duhet të shkojmë më tutje, me një ambicie të re dhe me një fuqi të re dhe me një motivim të ri ,etj, etj, siç ndodh me çdo skuadër, e cila mund të fitojë disa kampionate rresht pastaj ngopet me fitoret edhe fillon edhe humbet pozicione.
Unë hyj tek njerëzit që me fitoret nuk ngopet asnjëherë dhe jam i pari që shoh kudo vetëm çfarë bëhet keq dhe çfarë duhet të bëhet më mirë. Nuk shoh se çfarë bëhet mirë dhe të kënaqem dhe të mos shoh se çfarë bëhet keq dhe natyrisht që nuk kam ndërmend të korrigjohem në këtë pikë dhe as kam ndërmend të ndryshoj këndin e shikimit tim që i zvogëlon të mirat dhe zmadhon të metat. Kështu e kam dhe kështu do ta mbaj sepse kështu mund të shkohet përpara.
Tani meqë është një moment sidoqoftë kalimi stafete, unë jam këtu bashkë me drejtorin e derisotëm dhe me drejtoren e qënesërme dhe me drejtoren e AKSH-it e cila drejton një institucion që është në bashkëpunim të vazhdueshëm me kadastrën për arsyet që dihen prandaj nuk dua që ta mbyllim këtë komunikim pa iu kaluar shkurt fjalën të treve, duke filluar nga drejtori i derisotëm të cilin e falenderoj për punën që ka bërë, për përpjekjet që ka bërë, për arritjet që ka garantuar me punën e tij dhe patjetër uroj që me të, dhe ai vetë me ne, të bëjë të tjera punë të mira./m.j