Historia e Editës dhe Visarit, motër e vëlla nga Kosova me banim në Zvicër, ka tronditur autoritetet si dhe opinionin publik në Zvicër e Kosovë. Dy të rinjtë, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç mashtruan prindërit në vitin 2014 dhe u larguan nga Zvicra për në Siri.
Ata u thanë prindërve se do të shkonin në një festë familjare por nuk u kthyen më për një vit. Gazeta zvicerane “Blick” shkruan se një rol kryesor për radikalizimin e të rinjve ka luajtur xhamia famëkeqe An’Nur në Uintertur.
Në një prononcim për gazetën, një i afërm i dy të rinjve tregon se Edita dhe Visari ndryshuan shumë që kur nisën të frekuentonin Xhaminë në fjalë.
“Në atë xhami rekrutohen xhihadistë. Ata ndryshuan shumë që kur nisën të shkonin atje. Nuk di shumë për atë xhami por kam parë se hidhen plot para për rekrutime. Për këtë faj kanë edhe autoritetet zvicerane që i lënë të lirë të veprojnë”, thotë i afërmi.
Frekuentues i asaj xhamie ka qenë edhe Valdet Gashi, sportisti i mundjes dhe kikboksit, dy herë kampion bote, i cili mendohet se stërviste të rinjtë për t’i dërguar për xhihad në Siri, raporton Panorama.
Gjithashtu, të afërm thonë se ka qenë edhe një grua misterioze që ka luajtur një rol në radikalizimin e dy të rinjve, të cilët janë kthyer tashmë nga Siria në Zvicër.