Nga Ben Andoni
Duhet të jesh i verbër të mos e shikosh të keqen ngado në vend. E shikon në gjuhën e përdorur “normalisht” nga politikanët dhe sjelljen e tyre me njerëzit pa tagër pushteti. Deputetët janë shembujt më të mirë ilustrues, madje edhe ata më të rinj që nuk shquhen për asnjë vlerë kulturologjike në të folur apo mendime të sistemuara për të shprehur qëllime Ligjvënësish. E shikon shpesh në gjuhën arrogante të kryeministrit Rama, kur u drejtohet njerëzve të thjeshtë. Gjuha e komunikimit e përdorur orët e fundit në Durrës dhe pak ditë më parë me fermerët ishte krejt e panevojshme. Antologjia e fjalëve dhe shprehjeve të ish-kryeministrit Berisha s’ka të dytë. Regjistri deri në imtësira për familjet dhe vetë prokurorët tashmë “nuk bëjnë më asnjë përshtypje (!)”. E shikon në pabarazinë e frikshme ekonomike që e ka kapluar vendin. Përditmëria e qytetarit shqiptar është kthyer në sfidë. Referuar burimeve të Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri konsiderohen si 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Evropian. Shifra mund të mos dukej aq shqetësuese nëse nuk llogariten që të ardhurat e shqiptarit janë sa 41% e mesatares së BE-së!! Gati 50 % e shqiptarëve ushqehen për të mbijetuar. Por përballë qeveria na vendos shifrat makro, sipas të cilave rritja e PBB-së është gati 3 %, e cila duket inkurajuese, por që në realitet nuk shkon me jetën e përditshme të shqiptarëve. Shqetësimin e shton një fakt që lidhet me transparencën e të dhënave ekonomike, ku Shqipëria renditet mes vendeve me transparencën më të ulët për pabarazinë ekonomike, referuar Indeksit të Transparencës së Pabarazisë (Inequality Transparency Index – ITI). “Harta më e fundit tregon se vendi ynë bën pjesë në grupin e shteteve që publikojnë pak ose aspak të dhëna të plota mbi shpërndarjen reale të të ardhurave dhe pasurisë, duke e bërë të vështirë kuptimin e pabarazisë së vërtetë në shoqëri. Indeksi ITI mat transparencën nga 0 në 20 pikë, duke vlerësuar cilësinë, shpeshtësinë dhe aksesueshmërinë e të dhënave për të ardhurat dhe pasurinë” (Monitor, 2026).
Në literaturë, një shoqëri është e sëmurë sepse nuk jep dot si duhet për siguritë themelore, dinjitetin dhe mundësirat për të gjithë, duke favorizuar pak veta në kurriz të shumë njerëzve. Shpërndarja e të ardhurave në vend është temë tjetër, ashtu si edhe ligjet në favor të pak syreshëve. Sot, nuk duhet shumë për ta kuptuar, ashtu si skandalet që lidhen me administratën shqiptare kanë treguar problematika, që edhe pse nuk shpërfaqen në raporte ndërkombëtare janë të frikshme. Kujtojmë skandalin lidhur me AKSH-in dhe mënyrën sesi trajtoheshin njerëzit e administratës, por nga ana tjetër sesi veprohet me nëpunësit e niveleve të ulët për ta kuptuar këtë karakteristikë tashmë të shoqërisë së sëmurë.
Dhe, në fund, paçka se lista mund të ishte e gjatë diçka për përballjen e pushtetit medial dhe rolin e vet për ta informuar dhe për t’i shërbyer publikut, mënyrën sesi po shfrytëzohet turpshëm për të përballur mungesën e ideve dhe debateve me etikë, duke kërkuar klikimin e tepruar përmes të pavërtetave të disa personazheve militantë deri në absurde (shpesh duke sfiduar dhe gjetjet e pakundërshtuara shkencore). Janë pak por të mjafta për të kuptuar se e keqja tek ne ka krijuar mjedisin e vet, që quhet normalitet, kurse e mira është ose tejet artificiale ose gati e pabesueshme. Mu siç e shprehte më mirë sociologu i njohur Scott Peck, tek “Njerëzit e gënjeshtrës: Shpresa për shërimin e së keqes njerëzore” se” “E keqja krijon për ata që janë nën sundimin e tyre një shoqëri të sëmurë në miniaturë”. Vallë nuk është shoqëria jonë tashmë një shoqëri e tillë, por pak nga pak dalë nga miniatura dhe kthyer në përmasa reale. Duhet të jesh i verbër të mos e shikosh të keqen ngado në vend. (Javanews)











