Shqipëria hedh një tjetër hap historik në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian i ka rekomanduar dje Bashkimit Evropian që të nisë negociatat zyrtare për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Report Tv dhe Shqiptarja.com zbardhin ekskluzivisht raportin e plotë të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në vlerësimin e saj, KE-ja gjykon se Shqipëria ka bërë një progres gjithëpërfshirës, që nga lufta kundër narkotikëve, e deri te sistemi i gjyqësorit, pa harruar çështje jetike si pronat dhe të drejtat e pakicave. Komisioni Evropian e vendos theksin tek rezultatet e para të Vetingut, duke iu referuar dorëheqjeve dhe shkarkimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Komisioni ka vlerësuar gjithashtu përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën korrupsionit dhe trafikut të drogës. Në raport vlerësohen përgatitjet për luftën kundër korrupsionit, duke iu referuar ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi. Por, Komisioni Evropian konstaton se numri i dënimeve të zyrtarëve të lartë është shumë i ulët. Gjithashtu shprehet shqetësimi se korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë dhe se vazhdon të jetë një problem serioz.
Raporti konstaton progres në luftën kundër kultivimit të kanabisit si dhe raste të shkatërrimit të grupeve kriminale të organizuara. Megjithatë, KE kërkon një intensitet më të lartë sa i takon konfiskimit të pasurive që u përkasin bandave kriminale. Komisioni Evropian vlerëson progresin në fusha të tjera, duke iu referuar reformës në administratë, respektimit të të drejtave të njeriut, bashkëpunimi rajonal, frenimin e azilantëve etj.
Propozimi
Komisioni Evropian arrin në konvulsionin se hapja e negociatave është e domosdoshme që thellimi i reformave të vijojë me ritmin e kënaqshëm në të cilin ndodhet Shqipëria. Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë. “Duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu), do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelorë dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit”, thuhet në raport.
Pjesë nga raporti i KE-së për Shqipërinë:
Shqipëria ka vijuar të bëjë një progres të qëndrueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua, me një përforcim të dukshëm të profesionalizmit dhe depolitizimit. U ndërmorën veprime të mëtejshme për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes avancimit në zbatimin e një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingun), me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe në dëgjesat e para që sollën shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese.
Luftë e vendosur kundër trafikut të drogës
Përpjekje të mëtejshme më të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, që kontribuan në ndërmarrjen e disa hetimeve proaktive, si dhe të arrestimeve dhe dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkasin pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat anti-diskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës.
Hapja e negociatatave që progresi të vijojë
Në kuadër të progresit të arritur, Komisioni rekomandon që negociatat e anëtarësimit të hapen me Shqipërinë, duke ruajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë, në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe të rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu), pasi do të jetë vendimtare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave lidhur me drejtësinë, të drejtat themelorë dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit.
Situata politike dhe reformat
Sa u përket kritereve politikë, polarizimi i fuqishëm ka vijuar në sektorin e politikës. Aktivitetet parlamentare janë cenuar nga një bojkot i gjatë nga opozita në fillim të vitit 2017, çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të Vettingut të Drejtësisë. Në maj, një marrëveshje mes partisë kryesore në pushtet dhe opozitës lejoi rifillimin e aktiviteteve parlamentare, duke lejuar disa ndryshime në kuadrin legjislativ zgjedhor. Kjo solli organizimin pa probleme të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, pavarësisht nga fakti se një numër rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it ende mbeten pezull. Progres është bërë në drejtim të përmirësimit të funksionimit të Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile. Përpjekje të mëtejshme duhet të bëhen për të përfshirë më shumë organizatat e shoqërisë civile si pjesë të një dialogu politik gjithëpërfshirës.Administrata publikeShqipëria është e përgatitur disi në reformën e administratës së saj publike. Përpjekjet kanë vazhduar, duke sjellë progres në drejtim të efektshmërisë dhe transparencës së ofrimit të shërbimeve publike, trajnimin e nëpunësve civilë, procedura më transparente të rekrutimit dhe forcimin e gjithanshëm të procedurave të shërbimit civil mbi bazën e meritave. Konsolidimi i këtyre arritjeve duhet të çohet përpara më tej, në mënyrë që të sigurohet një administratë më efikase, më e depolitizuar dhe më profesionale.
Drejtesia
Sistemi juridik zotëron një nivel të caktuar përgatitjeje. Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse të Drejtësisë ka vazhduar, duke rezultuar në një përparim të mirë në përgjithësi. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vettingut) ka filluar. Nën drejtimin e Komisionit Evropian, një Operacion Monitorimi Ndërkombëtar është ngritur për të mbikëqyrur procesin gjatë zbatimit të tij. Institucionet ndihmëse që mbështesin procesin kanë përfunduar raportet e tyre të para mbi vlerësimet e aftësisë, kontrollin e së kaluarës dhe deklaratat e pasurive. Procesi i rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu) ka filluar dhe po jep rezultate të para të prekshme.Shqipëria zotëron një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Progres i mirë është bërë, sidomos me miratimin e amendamenteve të Kodit të Procedurës Penale. Një zinxhir i organeve të specializuara anti-korrupsion, duke përfshirë një zyrë të posaçme të Prokurorisë, është krijuar. Numri i dënimeve përfundimtare që përfshijnë zyrtarë të vegjël apo të mesëm është rritur krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese. Dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë kanë ndodhur kryesisht në Gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); megjithatë, shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë dhe vazhdon të jetë një problem serioz.
Lufta kundër krimit të organizuar
Shqipëria zotëron një nivel të caktuar të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Në përgjithësi, pati progres në periudhën raportuese, sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Shqipëria duhet të arrijë rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe duke vazhduar shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit. Ndryshimet në ligjin anti-mafia dhe Kodin e Procedurës Penale kanë krijuar kushtet për rritjen e efikasitetit të hetimeve penale. Shqipëria ka marrë pjesë me sukses në bashkëpunimin ndërkombëtar të policive, duke intensifikuar ndërveprimet e saj veçanërisht me vendet anëtare të BE. Në nivel vendor, bashkëpunimi efektiv i policisë dhe prokurorisë mbetet për t’u përmirësuar. Sa u përket të dhënave, ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shumë i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar.
Media dhe drejtat e njeriut
Shqipëria ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ka ngritur kuadrin ligjor në përputhje me standardet evropiane. Zbatimi dhe monitorimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut mbeten ende për t’u forcuar. Sa i përket lirisë së shprehjes, Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje/është e përgatitur mesatarisht. Ka pasur disa përparime në forcimin e pavarësisë së autoritetit rregullator dhe RTV publik, por transparenca e reklamave shtetërore në media duhet të rritet. Progres mbetet për t’u bërë në fushën e të drejtave pronësore me përditësimin e legjislacionit aktual dhe forcimin e koordinimit institucional. Mekanizmat institucionalë për të mbrojtur të drejtat e fëmijës dhe për të trajtuar dhunën me bazë gjinore mbeten të dobëta. Hapa të rëndësishëm janë bërë për të përmirësuar kuadrin ligjor për respektimin dhe mbrojtjen e pakicave, por duhet të përmirësohen aktet e rëndësishme nënligjore. Kushtet e jetesës për romët dhe egjiptianët duhet të përmirësohen.
Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësore. Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë për të zgjidhur çështjet dypalëshe me Greqinë.Situata ekonomikeSa u përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka bërë disa përparime dhe është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së dhe deficiti i llogarisë korrente janë zvogëluar. Rritja ekonomike përparoi më tej dhe papunësia u zvogëlua, por është ende e lartë. Huatë me probleme në sektorin bankar janë zvogëluar, por kreditimi bankar ndaj bizneseve mbetet i ngadaltë. Kanë ecur më tej reforma thelbësore për përmirësimin e mjedisit të biznesit, por ato kërkojnë përpjekje të mëtejshme, duke përfshirë zvogëlimin e ekonomisë informale. Reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore ka avancuar, por ajo duhet të zbatohet plotësisht. Ligji i ri i falimentimit hyri në fuqi dhe duhet të forcojë regjimin e falimentit. Megjithatë, rregullat e rëndësishme për biznesin mbetën deri diku penguese dhe mangësitë në sundimin e ligjit vazhduan të pengonin bizneset dhe të pengonin investimet.Shqipëria ka bërë njëfarë progresi dhe ka një nivel të caktuar të përgatitjes sa i përket kapacitetit për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut brenda BE-së. Në mënyrë të veçantë, u arrit progres në infrastrukturën e energjisë dhe transportit dhe dixhitalizimin, megjithëse mbeten mangësi që pengojnë konkurrencën dhe tregtinë e Shqipërisë.ArsimiCilësia e arsimit duhet të rritet në të gjitha nivelet, kjo edhe për të pajisur më mirë njerëzit me aftësitë që kërkon tregu i punës. Tregtia e jashtme mbetet nën potencial dhe e përqendruar në disa sektorë. Kapaciteti i Shqipërisë për kërkime, zhvillim dhe inovacion mbetet i ulët.Sfidat drejt BEShqipëria vazhdoi të harmonizojë legjislacionin e saj me kërkesat e BE-së në një numër fushash, duke rritur aftësinë e saj për të marrë mbi vete detyrimet e anëtarësimit. Vendi është i përgatitur në mënyrë të moderuar në shumë fusha, të tilla si kontrolli financiar, arsimi dhe kultura, ose ka një nivel të caktuar të përgatitjes në fushat e prokurimit publik dhe statistikave. Shqipëria do të duhet të vazhdojë përpjekjet e saj sa u përket përgatitjeve të përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e përshtatshmërisë me BE-në. Duhet të vazhdojë puna në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë, gjithashtu me qëllim përmirësimin e lidhjeve në të gjithë rajonin. Kapacitetet administrative dhe standardet profesionale të organeve që do të ngarkoheshin me zbatimin e përshtatshmërisë duhet të forcohen dhe të ruhet pavarësia e organeve rregullatore. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies, duke siguruar veçanërisht funksionimin e efektshëm, real dhe transparent të sistemit të prokurimit publik dhe menaxhimit të financave publike, mbetet thelbësore. Shqipëria ka vazhduar të përputhet plotësisht me të gjitha qëndrimet dhe deklaratat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
Kërkesat për azil
Numri i kërkesave të pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet Schengen ka mbetur i lartë. Shqipëria është angazhuar dhe ka miratuar një numër masash, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit dypalësh me shtetet kryesore anëtare të BE-së. Këto masa dhanë rezultate pozitive. Veprime të mëtejshme të vendosura duhet të vazhdojnë në këtë drejtim, duke i përfshirë në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të liberalizimit të vizave, për të përballuar në mënyrë efektive këtë fenomen.
Pra është tashmë e sigurt që komisioneria europiane për politiken e jashtme Federica Mogherini do të vijë nesër në Tiranë me lajmin e mirë, ndërsa komisioneri për zgjerimin Hahn, do ta zyrtarizoje nga Brukseli. Mogherini do të dorëzojë në Tiranë progres raportin e plote te KE, ku përveç rekomandimeve pozitive për hapjen e negociatave, do të gjykohet edhe ecuria e reformave në Shqipëri sipas fushave te ndryshme.
Rekomandimi për hapjen e negociatave vjen më në fund pas një sërë shtyrjesh dhe kushtesh të vëna Shqipërisë nga Bashkimi Europian që tashmë, në pjesën më të madhe janë përmbushur, duke nisur që nga Reforma për Drejtësinë, lufta kundër trafikut të drogës, kriminalitetit dhe korrupsionit dhe ne fund edhe një përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë.
Rekomandimi pozitiv qe do të zyrtarizohet nesër, dhe qe Shqiptraja.com dhe Report Tv siguruan eksluzivisht sot, nuk është ende kalimi përfundimtar drejt hapjes së negociatave që do të varet nga votimi në 28-29 qershor nga ana e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare. Kundër Shqipërisë peshojnë akoma pozicionet e Francës, Gjermanisë dhe Holandës.
Brenda fundit të prillit, kryeministri Edi Rama ka në program një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel, pikërisht me synimin për të rreshtuar edhe Gjermaninë në kampin e aleatëve. Nuk është fiksuar ende një takim me presidentin francez, Emanuel Macron, takim i cili është në fazë përgatitore.
Sipas raportit Brukseli ka një strategji të re për të përshpejtuar zgjerimin. Ndërsa pritet që të ketë një rekomandim pozitiv edhe për Maqedoninë pasi negociatat me Greqinë për emrin janë drejt finalizimit, përsa i përket shteteve të tjera të Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi mund të bëhen pjesë e BE në 2025. Shume larg mbetetet pozicioni i Turqise. /Shqiptarja/a.m.